Projektet për transformimin e Tiranës, Veliaj: S’keni parë asgjë akoma

Kryebashkiaku i Tiranë Erion Veliaj prezantoi sot projektin për rehabilitimin e lumit të Tiranës, ku do të hapet edhe segmenti i dytë në Bulevardin e Ri të Tiranës.

Gjatë fjalës së tij Veliaj theksoi se në këtë zonë janë bërë shumë transformime, siç është edhe lumi i Tiranës.

“Besoj që ashtu siç kemi punuar me të njëjtën cilësi në sheshin “Skënderbej”, te Pazari i Ri, te parku i Liqenit apo dhjetëra projekte anembanë Tiranës, sot jemi në fazën e dytë të projektit të Bulevardit të Ri, shumë pranë Bregut të Lumit ndërkohë që mund të themi me gojën plot se kemi përfunduar me sukses rehabilitimin e Lumit të Tiranës, një gangrenë disavjeçare prej përmbytjeve dhe sot jemi në vitin e tretë pa përmbytje në Tiranë nga Lumi i Tiranës. Lajmi më i mirë është për njësitë 4,8 dhe 9 të cilat e prisnin stinën e reshjeve dhe të shirave me dorë në zemër dhe me një frikë të madhe që uji do të pushtonte banesat e tyre dhe sot më vjen mirë që jo vetëm nga deputetët e zonës, por nga të gjithë banorët ky është një problem që tingëllon si përrallë nga e kaluara dhe më në fund kemi një sistemim 8.3 km të Lumit të”, deklaroi Veliaj

Përsa i përket Bulevardit të Ri, Veliaj tha se po themelohet lagjja e parë ku e gjithë infrastruktura mendohet paraprakisht.

Sipas kryebashkiakut, kjo zonë pritet të strehojë rreth 100 mije persona deri në fund të vitit 2050.

“Për herë të parë kemi ndërtuar një shtyllë kurrizore, kemi konceptuar të gjitha blloqet. Në fund të këtij muaj zbardhet PDV-ja e gjithë lagjes së Bulevardit të Ri që ne besojmë do të strehojë deri në 100 mijë persona deri në fund të vitit 2050. Arsyeja pse e them këtë është për të kuptuar një realitet që Tirana është e destinuar të vazhdojë dhe të ritet. Sot INSTAT na tregon që Tirana ritet me ritmet 25 deri 30 mijë persona çdo vit. Do të thotë 7- deri në 8 mijë apartamente çdo vit. Edhe unë e ndaj shqetësimin që Tirana sot është e mbingarkuar. Sot jo nga aq nga ndërtimet me leje se sa nga ndërtimet pa leje. Janë 160 mijë ndërtimet pa leje që na e shëmtojnë qytet, jo ato 160 me leje që paguajnë taksat dhe respektojnë të gjitha rregullat e urbanistikës. Por më në fund kemi një valvul shkarkimi, kemi një lagje të re e cila do themelohet mbarë, duke filluar nga ky Bulevard që është aksi kryesor dhe duke vazhduar me të gjitha kuartallat në të majtë dhe të djathtë të këtij bulevardi”, tha ai, teksa shtoi se siç është sheshi Nënë Tereza Bulevardi i Ri do të përfundojë me një shesh ceremonial i cili bashkë me parqet lineare dhe me parkun Qendror do të jetë hapësira më e madhe rekreative brenda Tiranës, e ngjashme në përmasa me Parkun e Liqenit të Tiranës, ose me Parkun e Farkës dhe shumë herë më i madh se Parku Rinia.

Kreu i Bashkisë bëri të ditur se në këtë pjesë të bulevardit kanë shfaqur interes katër ambasada për t’u zhvendosur, ndërkohë që edhe Bashkia e Tiranës do të zhvendoset në Bulevardin e ri duke dhënë vetë e para shembullin.

“Ne kemi vendosur që Bashkia e re të Tiranës gjithashtu të transferohet në Bulevardin e Ri, si një mënyrë për ta çliruar edhe ne qytetin nga rreth 100 zyra bashkiake që Bashkia ka në gjithë territorin e Tiranës dhe për ti koncentruar të gjitha shërbimet administrative në fillim të Bulevardit të Ri duke dhënë vet shembullin e parë se si mund të shfrytëzohet kjo valvul e re e shkarkimit urbanistik të qytetit të Tiranës”, tha Veliaj, teksa sqaroi se sëbashku me qeverinë do të vijojë puna për ndërtimin e Unazës së Pestë, e cila do ta bënte jo vetëm daljen dhe hyrjen nga Tirana nëpërmjet këtij bulevardi shumë të thjeshtë, por dhe lidhjen me rrugën e Rinasit dhe aeroportin.

Një tjetër investim që pritet të fillojë shumë shpejt do të jetë rehabilitimi i bulevardit Zogu i Parë, i cili do t’i nënshtrohet rehabilitimit të plotë duke lidhur sheshin “Skënderbej” dhe Bulevardin e Ri.

Veliaj komentoi edhe ndërtimin e parkingjeve në Tiranë, ku pas atij të sheshit Skënderbej dhe të Bulevardit të ri, kryeqyteti do të ketë së shpejti edhe vende të reja duke zgjidhur këtë shqetësim për qytetarët.

“Për herë të parë futëm konceptin e parkingjeve nëntokësore. Para tre vitesh as që flitej që Tirana të kishte parkingje nëntokësore publike. I pari u bë sheshin Skëndërbej, i dyti te Bulevardi i Ri, momentalisht jemi duke punuar për dy parkingje të tjera nëntokësore, te prona publike e Bashkisë te 7 Xhuxhat, ku pasi të mbarojë parkingu nëntokësor do të ketë sërish një kënd lojërash nga një dizajner dhe arkitekt shumë i njohur holandez, dhe parkimi tjetër te Sheshi Italia, përballë Stadiumi Qemal Stafa, për të rritur kapacitet e parkimit në të gjitha shërbimet që ofron sheshi Nënë Tereza, por sigurisht edhe për të fuqizuar shërbimet e parkimit për stadiumin Qemal Stafa”, u shpreh Veliaj.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne