Prokuroria: deputeti Rakipi hetohet për dy akuza

Ndaj deputetit të PDIU, Aqif Rakipi, Prokuroria e Tiranës ka ngritur dy akuza lidhur me aksidentin e ndodhur tre ditë më parë, ku humbi jetën 54-vjeçari Seit Sorra. Deputeti mësohet se do të hetohet në gjendje të lirë, ndërsa akuzat e ngritura janë “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”. Kjo akuzë e fundit mësohet se është formuluar nga prokuroria pas analizimit të provave e rrethanave të ngjarjes, edhe pse rezulton se policia nuk e ka referuar çështjen për një vepër të tillë.

“Më datë 12.08.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, Tiranë për shtetasin Aqif Rakipi, 53 vjeç, banues në Tiranë, pasi në autostradën Tiranë-Durrës, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, ka aksidentuar për vdekje këmbësorin Seit Sorra, 54 vjeç, banues në fshatin Kashar. Neni 290 i Kodit Penal”, thuhet në komunikatën zyrtare të policisë. Siç duket nga kjo komunikatë, policia e ka referuar në prokurori çështjen e deputetit vetëm për një vepër penale, që është ajo e parashikuar nga neni 290. Ky nen në Kodin Penal parashikon veprën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.

Sipas paragrafit të dytë të këtij neni, “shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, kur ka shkaktuar vdekjen e një personi, dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet. Nga ana tjetër, deputeti i PDIU, po hetohet nga prokuroria edhe për akuzën e largimit nga vendi i aksidentit. Kjo vepër penale parashikohet nga neni 273 i Kodit Penal ku thuhet: Largimi nga vendi i aksidentit, i drejtuesit të automjetit apo të çdo mjeti të motorizuar, për t’u shmangur nga përgjegjësia penale, civile apo administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Deputeti i Elbasanit, Aqif Rakipi shkaktoi një aksident me vdekje, teksa drejtonte makinën në autostradën Tiranë–Durrës tri ditë më parë në orën 04.41 të mëngjesit. Rakipi përplasi me makinë një 54-vjeçar, në momentin që ai zbriti nga një fugon përballë tregut agro-ushqimor dhe po tentonte të kapërcente trafikndarësen. Sipas Policisë së Tiranës ngjarja ndodhi në orën 04:41, të paktën sipas raportimeve që dëshmitarët kanë bërë duke telefonuar në sallën operative.

Deputeti i PDIU, është larguar nga vendi i ngjarjes duke u paraqitur në Komisariatin nr. 2, 10 minuta pasi kishte shkaktuar aksidentin. Policia tha se Rakipi është paraqitur në Polici në orën 04:51, bashkë me automjetin tip “Mercedez Benz S-Class”, me targë AA 002 CY, që ishte i dëmtuar në pjesën e përparme. Ai ka deklaruar se kishte përplasur një këmbësor me makinë në autostradë dhe për këtë arsye po dorëzohej.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne