Shqiperia

Prokuroria e Dibrës zgjat hetimet për shitblerjen e votës

Prokuroria e Dibrës zgjati me tre muaj hetimet për shitblerjen e votave në zgjedhjet e Dibrës në vitin 2016, e njohur deri tani në media si Dosja 184.

Përgjimet e prokurorisë të botuara në media treguan disa telefonata të zyrtarëve të lartë të Partisë Socialiste dhe të administratës civile, deputetëve të PS-së, ministrave të qeverisë Rama dhe të vetë Kryeministrit Rama, si dhe të personave me të shkuar dhe aktivitete të dyshimta, të cilët duket se flisnin për disa veprime të dënueshme me ligj. Bisedat e tyre përfshinin dyshime për blerjen e votave, frikësimin e votuesve, kërkesa joligjore për kontroll të votuesve përmes dokumenteve të identifikimit, shantazhin për heqje nga puna, premtime për punësim dhe ngritje në detyrë etj.

Prokurorët Rofat Kojku dhe Belina Zeneli vendosën ta zgjasin afatin e hetimit pasi u duhet të studiojnë më gjatë dosjen në fjalë. Në Prokurorinë e Dibrës hetimet u klasifikuan në Dosjen 385, jo më Dosja 184. Prokurorët e morën në shqyrtim këtë dosjen rreth një muaj më parë.

Pas rreth tre vitesh hetime, prokurorët në Prokurorinë e Krimeve të Rënda arritën në përfundimin se kjo çështje nuk i përkiste atyre, pasi provat nuk tregonin një “grup të strukturuar kriminal” të përfshirë në shitblerje votash. Si rrjedhojë, këta prokurorë shpallën moskompetencën e tyre për të vazhduar hetimet dhe ndërprenë hetimet.

E ngarkuara me detyrat e Prokurores së Përgjithshme Arta Marku vendosi ta kalojë hetimin në Prokurorinë e Dibrës, pavarësisht refuzimit nga kjo e fundit me argumentin se çështja nuk ishte në kompetencën e tyre dhe se për pushimin e saj duhej të merrej miratimi i gjykatës.

Exit.al e ka shpjeguar më gjerë këtu se pse transferimi i hetimit u bë në shkelje të ligjit.

Zgjatja e hetimeve vjen pak ditë pasi Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli të pafajshëm për pjesëmarrje në “grup të strukturuar kriminal” Saimir Tahirin dhe Jaeld Çelën. Hetimet për ta u zgjatën, gjithashtu, disa herë përpara se ata të shpalleshin të pafajshëm për akuzat e ngritura nga prokuroria.

Transferimi i hetimit për shitblerjen e votave nga Prokuroria e Krimeve të Rënda te një prokurori rrethi tregon se të dyshuarit e mundshëm nuk do të akuzohen për pjesëmarrje në “grup të strukturuar kriminal”./exit

OPINIONE