Opinion

Pse britanikët duhet ti kërkojnë falje Indisë

nga Shashi Tharoor.

Njëqindvjetori i masakrës Jallianwala Bagh është rasti me i duhur për Britaninë që të kërkojë falje për të këqijat e kolonializmit.

Dy vjet më parë, me botimin e librit tim në Mbretërinë e Bashkuar me titull, ‘Perandoria pa lavdi: Çfarë bënë britanikët në Indi’, unë bëra hapin e pazakontë duke i kërkuar Britanise që ti kërkonte falje Indisë. Unë madje sugjerova vendin dhe datën e 13 prillit 2019 që përkonte me njëqindvjeçarin e masakrës Jallianwala Bagh në Amritsar. Kjo masakër e vecantë ishte treguesi e të keqes më emblematike të “Raxhit”, Perandorisë Britanike në Indi.

Historiku i masakrës lidhet me tradhtinë britanike ndaj premtimeve për shpërblimin e Indisë mbi shërbimet e saj në Luftën e Parë Botërore. Pasi bëri sakrifica të mëdha dhe ofroi një kontribut të jashtëzakonshëm në njerez, materiale, gjak dhe para në luftën e britanikeve, liderët indianë prisnin të shpërbleheshin me disa vetëqeverisje. Këto shpresa u shuan dhe u përgënjeshtruan.

Kur shpërthyen protestat, britanikët u përgjigjën me forcë. Ata arrestuan udhëheqësit nacionalistë në qytetin Amritsar dhe hapën zjarr ndaj protestuesve, duke vrarë dhjetë prej tyre. Në traziren që pasoi, pesë anglezë u vranë dhe një angleze u sulmua (megjithëse u shpëtua dhe u çua në nje vend të sigurt nga indianët). Gjenerali Reginald Dyer u dërgua në Amritsar për të rivendosur rendin; ai ndaloi demonstratat dhe tubimet, madje edhe grumbullimet në grupe me më shumë se tre persona.

Trupat koloniale britanike në Amritsar

Mijëra njerëz që ishin mbledhur në parkun e rrethuar me mure në Jallianwala Bagh për të festuar eventin e madh fetar të Baisakhit, nuk ishin në dijeni të këtij urdhëri. Gjenerali Dyer nuk u mundua të zbulonte se çfarë po bënin ata. Ai mori një grup ushtarësh në makina të blinduara, të pajisur me armë automatike, dhe pa urdhëruar që turma të shpërndahej apo të lëshonte ndonjë paralajmërim, urdhëron trupat e tij që të hapin zjarr. Ata qelluan mbi 1,650 herë duke vrarë të paktën 379 veta (ky është numri që britanikët janë të gatshëm të pranonjnë, ndërsa shifrat indiane janë dukshëm më të larta) dhe plagosur 1,137. Për fat të keq vetëm një plumb shkoi kot, u shpreh me kënaqësi Dyer.

Dyer nuk i urdhëroi njerëzit e tij të shtinin në ajër ose në këmbët e shenjestrimeve të tyre. Me urdhër të tij ata gjuanin në gjoks, në fytyra dhe nëpër barqet e turmës së paarmatosur dhe të pambrojtur që thërriste e lebetitur. Pasi mbaroi, ai refuzoi tu jepte leje familjarëve që të shihnin anëtarët e tyre të vrarë. Ata u lanë në diellin e nxehtë për orë të tëra, duke e shtuar në këtë mënyrë edhe më shumë poshtërimin ndaj indianëve, madje nëse dikush prej viktimave mundohej të ngrinte kokën, goditej menjëherë me kondakun e pushkës.

Dyer asnjëherë nuk tregoi keqardhjen më të vogël apo të bënte ndonjë autokritikë.

Ky ishte një “tubimi rebelëve”, tha ai, një akt kundërshtimi ndaj autoritetit të tij që duhej dënuar. “Nuk ishte më një çështje thjesht e shpërndarjes së turmës”, por një efekt moral që do të siguronte nënshtrimin e indianëve. Ai vuri në dukje se personalisht kishte drejtuar sulmin në pesë rrugica dalëse, sepse aty gjendej turma më e dendur: “Objektivi ishte nën kontroll,” pati deklaruar ai.

Pamje nga filmi Gandhi (1982) i regjizorit Richard Attenborough

 

Lajmi mbi barbarizmin e Dyerit qarkulloi tek britanikët për gjashtë muaj dhe kur raportimi shkaktoi irritim, pati një përpjekje për ta shfajësuar veprimin e tij nga një komision zyrtar hetimor i cili e shpalli atë fajtor vetem për një ‘gabim të rëndë’. Si përfundim, kur u shfaqën detajet e tmerrit, Dyer u lirua nga pozicioni i tij i komandës dhe u kritikua nga Dhoma e Përfaqësuesve. Megjithatë ai u shkarkua menjëherë nga detyra prej Dhomës së Lordëve dhe u lejua të dilte në pension. Rudyard Kipling, zëri poetik i imperializmit britanik, e vlerësoi atë me fjalët, “Njeriu që shpëtoi Indinë”.

Madje miqtë e tij britanikë si shpërblim adekuat për aktin e tij të lavdishëm të vrasjes masive zhvilluan edhe një fushatë publike për mbledhje fondesh për të nderuar mizorinë e tij. Vetëm në dhjetë ditët e para ata arritën të mbledhin një shumë të jashtëzakonshme prej 26,317 paundësh, që sot kap vlerën e mbi çerek milioni paundësh. Për ta nderuar, paratë ja dhuruan atij së bashku me një shpatë me xhevairë.

Masakra e Jallianwala Bagh nuk ishte një akt çmendurie i papërgjegjshëm. Ajo u bë me vetëdije dhe me vullnetin kolonial britanik. Dyer ishte një vrasës efikas dhe jo një maniak i çmendur. Ai thjesht ekspozoi brutalitetin ushtarak. Kjo bëri që sot në eventin e Baisakhit të përkujtohet gjithashtu edhe sistemi i eger në emër të të cilit ushtaraku kishte vepruar.

 

Vizitorët indiane shohin vendin Jallianwala Bagh në Amritsar © AFP

Çdo gjë lidhur me këtë incident, tradhëtia ndaj premtimeve të bëra për Indinë, mizoria e vrasjeve, brutaliteti dhe racizmi, vetë-justifikimet, përjashtimi dhe shpërblimi që pasoi, të gjitha bashkë simbolizojnë krejt gabimet e Raxhit.

Kjo përfaqësonte më të keqen që kolonializmi mund të bënte. Duke e lënë atë që të ndodhte, britanikët kaluan në pikën e mos kthimit pas që ekziston vetëm në mendjet e njerëzve, atë pikë e cila në çdo marrëdhënie të pabarabartë, sunduesi dhe subjekti duhet që instinktivisht ta respektojnë në mënyrë që marrëdhënia të mbijetojë.

Masakra bëri që miliona indianë të bëheshin të vetëdijshëm për identitetin e tyre politik pas asaj të diele të zymtë. Ajo i ktheu besnikët në nacionalistë dhe konstitucionalistët në agjitatorë, e shtyu poetin Rabindranath Tagore, fitues të çmimit Nobel, që ta kthente mbrapsh titullin dhe në një numër pozicionesh kyce të emëroheshin zyrtarë indianë në vend të atyre britanikë. Dhe mbi të gjitha ajo nguliti tek Mahatma Gandhi një besim të patundur për tek e drejta morale për kauzën për pavarësinë e Indisë prej një perandorie të cilën ai e shihte të keqe, madje edhe satanike.

Shlyerja e dëmit po vonohet, megjithatë nuk është akoma vonë. As mbretëresha dhe as Theresa May nuk jetonin kur ndodhi mizoria, edhe qeveria britanike e vitit 2019 nuk mban asnjë fije përgjegjësie për atë tragjedi, megjithatë kombi që dikur e lejoi atë të ndodhte duhet ti shlyejë mëkatet e tij të kaluara.

Kjo është ajo që Kancelari gjerman Willy Brandt bëri në vitin 1970 kur u gjunjëzua për Geton e Varshavës, edhe pse si social demokrat ai vetë kishte qenë viktimë e persekutimit nazist, madje ishte i pafajshëm nuk kishte qenë bashkëpuntor me ta. Kjo është arsyeja pse kryeministri Justin Trudeau kërkoi falje në vitin 2016 në emër të Kanadasë për veprimet e autoriteteve të vendit të tij një shekull më parë për mohimin e lejes për emigrantët indianë që të shkonin nga Komagata Maru në Vankuver, duke bërë që shumë prej tyre të shkonin drejt vdekjes. Faljet e kërkuara nga Brandt dhe Trudeau duhet të bejnë jehonë tek britanikët. Përshkrimet për masakrën si një “ngjarje shumë e turpshme” nga ish-kryeministri David Cameron në vitin 2013 nuk janë shfajësim. E tillë nuk është as edhe vizita ceremoniale në atë vend në vitin 1997 nga Mbretëresha Elizabeta dhe Duka i Edinburgut, të cilët thjesht lanë nënshkrimet e tyre në librin e vizitorëve, madje pa as edhe një koment shpengimi.

Thirrja ime është që një ministër britanik ose një anëtar i familjes mbretërore të verë dorën në zemër dhe me shpirt të gjunjëzohet në Jallianwala Bagh në vitin 2019 dhe ti kërkojë falje popullit indian për masakrën e pafalshme që u krye në atë vend një shekull më parë. Së bashku me një apologji të tillë, britanikët mund të fillojnë vërtet mësimin e historisë koloniale në shkollat e tyre dhe të dekolonizojnë muzetë e tyre, të cilët janë të mbushur plot me objekte të plaçkitura nga vende të tjera.

Publiku britanik është për të ardhur keq pasi është i paditur ndaj realiteteve të perandorisë britanike dhe vendeve që ka pasur të nënshtruar. Këto ditë të Brexitit, në Mbretërinë e Bashkuar është rindezur një dëshirë e zjarrtë për Raxhin, sidomos në programet televizime të mbushura me romanca dhe fantazi për një ringjallje të Perandorisë si një alternativë ndaj Evropës. Nëse nxënësit britanikë do të arrijnë të mësojnë se si ato ëndrra të mira për popullin anglez kanë qenë vërtet fatkeqsi për popujt e tjerë, atëherë mund të arrihet shlyerja e vërtetë morale, që përfshin një konsideratë serioze ndaj përgjegjësisë historike dhe jo thjesht një pranim të fajit. Një kërkim faljeje duke filluar nga Jallianwala Bagh do të ishte vendi më i mirë për ta filluar, dhe si kohë më e mirë do të ishte pikërisht ky njëqindvjetor.

Dr. Shashi Tharoor është një politikan indian, autor dhe ish-nëpunës civil ndërkombëtar.

burimi: rt/Gazeta Impakt

OPINIONE