Bota

Putin, Erdogan dhe Rohani takohen sot në Soçi për Sirinë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, pret sot në Soçi homologët nga Irani dhe Turqia, për të diskutuar planet për Sirinë, pas tërheqjes së trupave amerikane nga kjo vatër e luftës.

Kremlini tha se Putin, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe presidenti iranian, Hassan Rohani, do të flasin për “hapat e mëtejmë të përbashkët, me synim gjetjen e një zgjidhjeje afatgjate” të konfliktit në Siri.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se presidentët do të diskutojnë për formimin e një komiteti që do të hartonte një kushtetutë të re të pasluftës për Sirinë.

Tri vendet kanë thënë se duan një zgjidhje politike për t’i dhënë fund luftës në Siri, e cila ka nisur në vitin 2011, përcjell rel.

Moska dhe Teherani e mbështesin presidentin sirian, Bashar al-Assad, ndërsa Turqia dhe Shtetet e Bashkuara mbështesin grupe të ndryshme rebele.

Lufta në Siri ka lënë mbi 400,000 njerëz të vrarë dhe ka zhvendosur miliona të tjerë.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar se do t’i tërheqë të 2,000 trupat nga Siria, ku ata kanë ndihmuar një aleancë arabe-kurde.

OPINIONE