Shqiperia

Rama pret në drekë private presidentin kroat, mediat atje zbulojnë skandalin: Çfarë i bën bashkë dy politikanët, dhe hijet e një tenderi të dyshimtë

Mediat në Kroaci kanë shkruar lidhur me vizitën e presidentit të tyre Zoran Milanović në Shqipëri, me ftesë personale të kreut të qeverisë sonë Edi Rama. Këta të dy kanë një njohje të vjetër mes tyre, që duket se ndërlidhet dhe me disa tendera të dyshimtë që janë fituar nga kompani kroate në vendin tonë.

Mediat kroate kanë shkruar disa herë që kompania e Zoran Milanović ”EuroAlba Advisory”, e themeluar në nëntor 2016, këshilloi kryeministrin shqiptar Rama për çështjet e integrimit në Bashkimin Evropian gjatë vitit 2017. Ndërkohë që nuk lihen pa përmendur dhe rasti i tenderit të fiksalizimit, që është fituar nga një mik i afërt i vëllait të Milanovic, i cili tashmë ka ndërruar jetë, me një shifër prej 15.2 milionë eurosh.

“Ky tender ishte me vlerë 15.2 milion euro, dhe roli i Zoran Milanoviç, i cili më parë krenohej publikisht se po këshillonte kryeministrin shqiptar Edi Rama, është i paqartë në të gjithë historinë. Asnjë studim mbi kosto-efektivitetin nuk është kryer për këtë prokurim publik, i cili është i zakonshëm në punë të tilla”, shkruajnë mediat kroate.

Çfarë deklaronte vetë Rama për raportin me politikanin kroat

Gjatë një konferencë për media të zhvilluar me Komisionerin e Zgjerimit të Bashkimit Europian, Johannes Hahn në Tiranë, në Nëntor 2017, Edi Rama hodhi më shumë tymnajë se sa dha sqarime mbi raportet me “këshilltarin” Zoran Milanovic.

I pyetur nga gazetarët kroatë nëse ai po merrte shërbime nga zyra e konsulencës së Milanoviç, Rama u shpreh: “Kroacia është një vend i shkëlqyeshëm që është një shembull në rajon. Zoran (Milanoviç) është një mik i shkëlqyeshëm dhe këshillat e tij janë gjithmonë të mirëseardhura. Dua të them që ai është aq i mirë me mua dhe se këshillat e tij janë të dobishme”.

Cili është “shpërblimi” që Rama i ka dhënë indirekt politikanit kroat?

Vëllai i tij, Kresimir Milanovic njihet si një nga bashkëpunëtorët më të afërt, madje edhe si “kumbar” i bizneseve të Hrvoje Čabrajić, pronar i “Primus Adriatic”. Më herët janë bërë publik rastet e dy ish-zyrtarëve të lartë, të cilët deklarojnë se janë kërcënuar dhe shantazhuar sapo në rrugën e tyre janë përballur me emrin e biznesmenit Čabrajić.

Ish-zyrtarja e lartë e Tatimeve në kryeqytetin e Kroacisë, Zagreb, thotë se, në vitin 2015, është njoftuar se ndaj saj ka kërcënime me jetë, pasi zbuloi përfshirjen e kompanisë së Hrvoje Čabrajić, “Pismohrana”, në një skemë mashtrimi financiare multi-milionë euro.

Edhe ish-drejtoresha e Arkivave Kroate, Vlatka Lemić, thotë se, në vitin 2014, është kërcënuar nga Hrvoje Čabrajić, kur ajo vendosi të prishte kontratën e mirëmbajtjes elektronike të arkivave me një tjetër kompani të tij, “Avicerna Softëare”.

Të dyja ish-zyrtaret kanë të njëjtin mendim se nga i vinte ky pushtet biznesmenit Hrvoje Čabrajić- lidhja e tij me Kresimir Milanovic, vëllai i kryeministrit të asaj kohe, Zoran Milanovic.

Tashmë, emri i Hrvoje Čabrajić shfaqet në terrenin shqiptar. Kompania e tij, “Primus”, është pronare e 100% të aksioneve të shoqërisë me seli në Shqipëri “Jehona Softëare”, e cila, në konsorcium me kompaninë tjetër kroate, “Neos” dhe atë shqiptare “DATECH”, fitoi tenderin 15 milionë euro të zhvilluar në Shtator 2018 nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) për monitorimin on-line të faturave tatimore.

Tenderi “15 mln euro” është i mbuluar me dyshime të shumta. Primus është krijuar në Qershor 2018 në Zagreb. Sipas të dhënave zyrtare, ajo është një “shoqëri e vogël”. Në Shtator 2017, kur “Jehona” ishte pjesë e tenderit të AKSHI-it, administratori Klodian Zyberi nënshkruan një kontratë paraprake për shitjen e 100% të aksioneve tek “Primus Adriatic”.

Në Tetor të atij viti, kompania shqiptare “Jehona”, e cila vijonte formalisht të administrohej nga Klodian Zyberi, ishte pjesë e konsorciumit që fitoi tenderin e zhvilluar nga AKSHI. Në tender ishte pjesëmarrëse edhe kompania “B360” e Armand Frangut, baxhanaku i Edi Ramës. Por prania e “B360” në tenderin 15 milionë euro duket se ishte fiktive, pasi ajo nuk paraqiti asnjë ofertë dhe automatikisht u shpall humbëse.

Në Dhjetor 2018, pra vetëm 3 muaj pasi “Jehona” kishte fituar tenderin gjigand, realizohet edhe transferimi i kuotave të kapitalit të “Jehona” nga Klodian Zyberi tek “Primus Adriatic” e Hrvoje Čabrajić. Kontrata mes tyre, e publikuar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, është nënshkruar në 27 Dhjetor 2018, nuk përmend shifrën e shitjes së aksioneve.

E pikërisht këto marrëdhënie të forta, që ndërthuren mes politikës dhe biznesit, kanë bërë që Rama dhe presidenti kroat të mblidhen në jug, pse jo, të projektojnë edhe tenderin e radhës.

/shijaktv

OPINIONE

INTERVISTA