Referendumi separatist i Kurdistanit të Irakut

Massoud Barzani, kreu i rajonit kurd të Irakut më 7 qershor 2017, njoftoi se një referendum mbi ndarjen e Kurdistanit nga Iraku do të mbahet më 25 shtator 2017. Për këtë është përgatitur një program me disa seri kushtuar statusit të kurdëve në Irak, referendumit mbi ndarjen e Kurdistanit, pengesat, skenarët dhe sfidat përkatëse.

Në emisionin e parë, u shqyrtua statusi i kurdëve në Irak dhe në këtë program do të analizojmë shkurtimisht arsyet për ndarjen e Kurdistanit nga Iraku, në situatën aktuale.

Çështja e ndarjes së Kurdistanit nga Iraku pas pushtimit të disa pjesëve të vendit nga ISIS në vitin 2014, është ngritur dhe parashtruar nga autoritetet lokale kurde, veçanërisht Massoud Barzani, kreu i rajonit të Kurdistanit. Massoud Barzani, gjatë dy viteve të fundit, ka folur shpesh për ndarjen e Kurdistanit nga Iraku. “Prania e popullit të Kurdistanit në Lindjen e Mesme është një fakt dhe kurdët mund të arrijnë të drejta dhe përfitime, ashtu si kombet e tjera”, tha Massoud Barzani në shkurt të vitit 2016. “Ata janë një e drejtë e perëndishme dhe e natyrshme që askush nuk mund ta mohojë”. Në mars të vitit 2017, Massoud Barzani gjithashtu tha:” Çekosllovakia dhe Jugosllavia u shkatërruan dhe sot kjo gjë po ndodh edhe në trashëgiminë e Sies Pico. Së fundmi, Barzani më 7 qershor 2017 njoftoi se një referendum mbi ndarjen e Kurdistanit nga Iraku do të zhvillohet më 25 shtator 2017.

Logjika e Massoud Barzanit për ndarjen e Kurdistanit nga Iraku, është përballur me kritika themelore.

Kritika e parë është se Massoud Barzani, duke folur në emër të të gjithë kurdëve në Lindjen e Mesme, parashtron kërkesat e tij. Ky model i sjelljes së Barzanit është zyrtarisht një ndërhyrje në punët e brendshme të vendeve si Turqia, Irani dhe Siria. Kritika e dytë është se edhe nëse Massoud Barzani shpreh dëshirat dhe pikëpamjet e tij në emër të kurdëve irakianë, kjo logjikë gjithashtu është e gabuar, sepse kurdët kanë të drejtën e vetëvendosjes në përputhje me kushtetutën e Irakut dhe kanë qeverinë, parlamentin dhe kushtetutën e tyre lokale dhe qeveria irakiane jo vetëm që nuk e ka mohuar këtë të drejtë të tyre, por atë e ka vendosur edhe në kushtetutën e saj. Prandaj, një referendum mbi ndarjen e Kurdistanit nga Iraku është një shkelje e kushtetutës së Irakut.

Kritika e tretë themelore e logjikës së Barzanit për mbajtjen e një referendumi mbi ndarjen e Kurdistanit nga Iraku është se ndarja e Çekosllovakisë dhe Jugosllavisë ishte një çështje e brendshme që nuk ishte e përfshirë në vende të tjera. Me fjalë të tjera, çekët, sllovakët dhe Jugosllavia ishin të pranishëm vetëm në territorin e Çekosllovakisë dhe Jugosllavisë dhe dekompozimi i tyre nuk krijoi implikime të sigurisë për vendet e tjera. Ndërsa kurdët ndahen në katër vende: Turqia, Irani, Iraku dhe Siria, ndarja e Kurdistanit nga Iraku mund të krijojë probleme të rëndësishme të sigurisë për tre vendet e tjera. Prandaj jo vetëm që qeveria irakiane kundërshton referendumin separatist kurd, por edhe Turqia, Irani dhe Siria gjithashtu e kundërshtojnë fort referendumin dhe kanë një qëndrim të përbashkët mbi këtë çështje. Këtu lind pyetja se pavarësisht pozitës së lartë të kurdëve në kushtetutën irakiane dhe duke pasur parasysh kontributin e rëndësishëm të kurdëve në shpërndarjen e pushtetit në Irak, përse qeveria lokale kurde ka ndërmend të organizojë një referendum mbi ndarjen e Kurdistanit nga Iraku? Cili është qëllimi i këtij referendumi? Arsyeja për këtë veprim duhet të shqyrtohet në nivel lokal dhe kombëtar.

Në nivel lokal

Realiteti i zhvillimeve në rajonin e Kurdistanit është se ky rajon po përballet me një lloj bllokimi dhe shtangimi politik. Ecuria e punës në tre çështjet kryesore në rajonin e Kurdistanit, duke përfshirë “referendumin mbi kushtetutën, parlamentin lokal dhe presidencën e rajonit”, janë ngadalësuar dhe secila prej tyre është pezulluar për shumë vite. Ndërsa referendumi mbi kushtetutën e Kurdistanit duhet të mbahej deri në vitin 2009, tetë vjet pas kësaj date, ky referendum mbi kushtetutën ende nuk është mbajtur. Edhe pse zgjedhjet e fundit parlamentare të Kurdistanit u mbajtën në shtator 2013, ky parlament nuk ka qenë aktiv në katër vitet e fundit dhe aktualisht puna e tij është pezulluar dhe ai nuk ka luajtur një rol në jetën politike të rajonit. Presidenca e Rajonit të Kurdistanit gjithashtu është pala e tretë e ngërçit politik në këtë rajon. Mandati i Massoud Barzanit përfundoi në gusht 2013, por parlamenti i kaluar në ditët e fundit të jetës së tij e ka ripërtërirë presidencën e Barzanit për dy vjet, veprimi i cili është kundërshtuar nga disa palë, duke përfshirë edhe lëvizjen Goran. Megjithatë, pas skadimit të periudhës dy vjeçare, Massoud Barzani nuk është larguar nga posti i Presidentit të rajonit, tani kur kanë kaluar dy vjet që nga mbarimi i mandatit dyvjeçar, Massoud Barzani ende nuk është i gatshëm të heqë dorë nga presidenca e rajonit.

Këto tre bllokada politike, si dhe protestat shoqërore dhe korrupsioni i përhapur nga qeveria lokale, i kanë inkurajuar partitë e opozitës dhe kritikët e Massoud Barzanit, si Partia Demokratike e Kurdistanit, të theksojnë se Massoud Barzani bën thirrje për një referendum mbi ndarjen e Kurdistanit nga Iraku, me qëllim që të mbulojë problemet në rajonin e Kurdistanit. Shuresh Haxhi, zëdhënësi i lëvizjes Ndryshimi, thotë: “Nëse Partia Demokratike e Kurdistanit të Irakut nuk pranon kushtet tona për shtyrjen e referendumit mbi pavarësinë e rajonit dhe përmirësimin e jetesës, ne nuk do të hyjmë në asnjë dialog dypalësh”. Procesi i mbajtjes së referendumit më 25 shtator është një aventurë në çështjen e etnisë kurde.

Duke pasur parasysh këto kushte, ekziston pikëpamja se çështja e ndarjes së Kurdistanit nga Iraku është më shumë një lloj “konsumi i brendshëm”, pasi nga njëra anë Massoud Barzani dhe demokratët po luftojnë për ta trajtuar këtë çështje në mënyrë që të administrojnë presionet e brendshme kundër tyre dhe nga ana tjetër, ata mundohen që në këtë mënyrë të ushtrojnë presione mbi qeverinë qendrore të Bagdadit dhe të marrin sa më shumë lëshime dhe favore nga qeveria e Bagdadit, sidomos në aspektin financiar.

Në nivel kombëtar

Faktori i dytë në vendimin e Massoud Barzanit dhe Partisë Demokratike për të përcaktuar afatin e organizimit të referendumit separatist, duhet të kërkohet në mosmarrëveshjet mes qeverisë lokale të Kurdistanit dhe qeverisë qendrore të Bagdadit. Këto mosmarrëveshje mund të ndahen në katër kategori: energjia, buxheti, territori dhe siguria. Mosmarrëveshjet në fushën e energjisë përfshijnë sjelljen ilegale të qeverisë lokale të Kurdistanit në fushën e eksplorimit, nxjerrjes dhe eksportit të naftës, të cilat duhet të licencohen nga qeveria qendrore në përputhje me kushtetutën irakiane, por qeveria lokale i bën këto veprime pa marrë leje nga qeveria e Bagdadit dhe në anën tjetër ajo refuzon depozitimin e fondeve në thesarin qendror të shtetit në Irak. Mosmarrëveshja në fushën e buxhetit gjithashtu është mbi 17 për qind të buxhetit të Irakut për rajonin e Kurdistanit, shumë që duhet dhënë nga qeveria qendrore e Bagdadit, për të cilën qeveria e Bagdadit refuzon ta japë duke iu referuar sjelljes ilegale të qeverisë lokale kurde në çështjen e energjisë. Mosfianncimi i buxhetit është një nga arsyet që shkaktoi probleme ekonomike dhe shfaqjen e protestave shoqërore kundër qeverisë lokale të Kurdistanit irakian.

Mosmarrëveshjet territoriale janë përqendruar në mos zbatimin e nenit 140, sidomos për rajonin Kirkuk të Irakut. Qeveria lokale kurde ka përfituar nga pushtimi i territoreve të Irakut nga ISIS në vitin 2014, të cilën e ka shfrytëzuar si një mundësi për të vendosur kontrollin e sa në disa pjesë të territoreve të kontestuara, ndërsa qeveria qendrore e Bagdadit territore në përputhje me kushtetutën irakiane i konsideron pjesë të territorit të saj.

Kontestet në sektorin e sigurisë kanë të bëjnë me forcat Peshmerga. Qeveria lokale e Kurdistanit do që qeveria e Bagdadit të ketë të njëjtin qëndrim ndaj forcave Peshmerga ashtu siç ka ndaj forcave të armatosura të Irakut. Ndërkohë, qeveria qendrore e Irakut thekson se ushtria dhe forcat e armatosura janë forca kombëtare, ndërsa forca Peshmerga konsiderohet forcë lokale në Kurdistan, të drejtat dhe nevojat e të cilëve duhet të sigurohen me të njëjtin buxhet prej 17 përqind.

Shumë analistë janë të mendimit se Massoud Barzani dhe qeveria lokale e Kurdistanit irakian, të vetëdijshëm mbi gjendjen dhe duke besuar se qeveria qendrore e Bagdadit tani është një shtet jofunksional dhe i dobët, situatën aktuale po e shfrytëzojnë si një mundësi për të realizuar referendumin separatist, ose të paktën të marrin më shumë pikë nga qeveria e Bagdadit. Në këtë drejtim, instituti Rand në vitin 2016 shkroi në një raport kushtuar dëshirës së qeverisë lokale të Kurdistanit për të mbajtur një referendum ndarjeje dhe thotë: “Prania e ISIS në Irak ka bërë që Barzani të flasë hapur për” dështimin e Irakut”. Qeveria lokale e Kurdistanit beson se sistemi politik i Irakut është i paefektshëm dhe kjo paefektshmëri do të vazhdojë. Aftësia e qeverisë irakiane për të frenuar ndarjen e Kurdistanit është e kufizuar, sepse Bagdadi përballet me sfida të tilla si dobësimi i fuqisë ushtarake, financiare, tensione sektare, dallimet politike, paraliza ekonomike dhe në përgjithësi, lodhja e shkaktuar nga një dekade konflikti dhe lufte. Megjithatë ekziston edhe një mundësi tjetër mbi referendumin separatist i cili mund të anulohet nga qeveria lokale e Kurdistanit në rast se kjo qeveri merr favore akoma më të mëdha nga qeveria qendrore e Bagdadit./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne