Bota Islamofobi

Refugjatët menduan se gjetën shpëtimin në Zelandën e Re, por gjetën vdekjen

Daoud Nabi kërkoi azil në Zelandën e re më shumë se 40 vjet më parë pasi ishte larguar nga Afganistani së bashku me dy djemtë e tij.

Christchurch, vendi të cilin e quante shtëpi që nga viti 1977, ofroi shpresë dhe siguri për të dhe familjen e tij. Por, Nabi të premten u vra nga një person i armatosur që hyri në dy xhami duke lënë të vdekur 49 persona, një akt që tronditi botën, shkruan CNN.

Derisa autoritetet nuk kanë dhënë detaje apo informacione rreth viktimave, vdekja e Daoud Nabit u konfirmua nga djali i tij, Yama Nabi.

Një numër i qytetarëve pakistanezë gjithashtu ishin në xhamitë e sulmuara. Duke folur për CNN në Abbottabad, Dr Khurshid Alam ka thënë se vëllai i tij Naeem Rashid, 50 vjeçar, dhe nipi Talha Rashid, 21, ishin në mesin e të vrarëve.

Ai thotë se këtë ia kanë konfirmuar kolegët e tij.

“Ai ishte në Zelandën e Re që shtatë vite dhe jepte mësim në Universitet. Nipi im ishte student”, shprehet Alami.

Kurse Khaled Mustafa, refugjat nga Siria, ishte vrarë të premten gjatë këtij sulmi, ka thënë “Syrian Solidarity New Zealand” në një postim në Facebook. Ai ishte në xhami së bashku me dy djemtë e tij për ta falur xhumanë kur sulmuesi hapi zjarr.

Image

“Khaled Mustafa është një refugjat sirianë që kishte ardhur me familjen e tij (gruan dhe tre fëmijët) në Zelandën e Re më 2018, për të cilën menduan se ishte parajsë e sigurt”, thotë ‘Syrian Solidarity New Zealand’.

Ky grup shton më tutje se dy djemtë e Khaledit i ishin nënshtruar një operacioni gjashtë orësh në spitalin e Christchurch të premten mbrëma, derisa njëri djalë ende mungon.

Zëdhënësi i këtij grupi, Ali Akil, në një prononcim për median zelandeze ‘Stuff’, ka thënë se ka folur me gruan e Mustafasë, e cila ishte e “shkatërruar dhe thellësisht e tmerruar”. Akili shton se ajo nuk donte të fliste për media gjatë kësaj kohe.

Ky sulm terrorist është masakra më e madhe që ka ndodhur në historinë moderne të Zelandës së Re.

I dyshuari Brenton Harrison Tarrant të premten dyshohet se la të vdekur 49 persona derisa mbi 40 të tjerë janë plagosur.

Një listë e publikuar nga “Kryqi i Kuq” tregon se njerëz nga 15 nacionalitete ishin në xhamitë gjatë kohës sa kishte ndodhur sulmi të premten.

Viktimat janë nga India, Siria, Britania e Madhe, Arabia Saudite, Jordania, Egjipti, Turqia dhe Pakistani, në mesin e tyre.

OPINIONE