Rajoni

Rritje në numrin e fëmijëve refugjatë në ishujt e Greqisë

Numri i fëmijëve refugjatë që kanë ardhur në ishujt grek në 8 muajt e këtij viti është rritur me 32 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe ka tejkaluar 7.000.

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF) ka paralajmëruar se numri i refugjatëve që vijnë në Greqi do të rritet gjatë muajve të ardhshëm.

Në deklaratën e lëshuar nga UNICEF thuhet se mes janarit dhe gushtit të këtij viti, mesatarisht 850 fëmijë në muaj kanë mbërritur në ishujt grekë dhe në krahasim me vitin e kaluar është regjistruar një rritje me 32 për qind.

Ndër të tjera theksohet se kampet janë të “mbipopulluara” dhe me një “mjedis të pasigurtë” për më shumë se 7 mijë fëmijë refugjatë që kanë mbërritur në ishuj nëpërmjet udhëtimeve të rrezikshme nga deti.

Gjithashtu bëhet e ditur se në ishujt grekë ndodhen rreth 20 mijë e 500 refugjatë dhe emigrantë të parregullt kryesisht nga Siria, Iraku dhe Afganistani.

– Thirrje për transportimin e fëmijëve në tokën kryesore

Lucio Melandri, koordinator i UNICEF-it, përgjegjës për azilkërkuesit dhe migrantët e parregullt në Greqi, në Gjenevë ka deklaruar se, “Kushtet në qendrat që i strehojnë këta fëmijë bëhen edhe më të rrezikshme dhe më të rënda, teksa rritet numri i fëmijëve refugjatë dhe fëmijëve emigrantë që vijnë në ishujt grekë”.

Melandri ka theksuar se duhet të transferohen në tokën krysore të Greqisë të gjithë refugjatët dhe emigrantët, kryesisht fëmijët që ndodhen në ishujt grekë, si dhe ka shtuar se “nuk duhet vonuar” për të siguruar kushtet e favorshme të strehimit, si dhe shërbimet e mbrojtjes shëndetësore dhe ato të tjera themelore.

Pasi ka rikujtuar se sipas ligjeve të Greqisë fëmijët nuk mund të qëndrojnë më shumë se 25 ditë në qendrat e pranimit në ishuj, Melandri ka tërhequr vëmendjen se disa fëmijë kanë qëndruar më shumë se 1 vit në qendrat e refugjatëve.

Situata në ishujt Lesvos dhe Samos, të cilët i ka vizituar, Melandri theksoi se janë alarmante, duke u shprehur autoritetet greke ndodhen në një situatë ku nuk mund të përballojnë mijëra refugjatë në ishuj dhe se BE duhet të japë më shumë mbështetje për këtë vend.

“Shumica e fëmijëve dhe të rinjve që kam njohur jetojnë me traumën që kanë pësuar nga lufta”, tha Melandri, duke shtuar se shumica e tyre kanë qenë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, sepse kanë jetuar në kushte të mjerueshme dhe pa shpresa për të ardhmen e tyre.

Burimi: AA

Etiketa