Shqiperia

Rrugët në Shqipëri “dënojnë me vdekje” shqiptarët

Mungesë sinjalistike horizontale dhe vertikale, rrethrrotullime të papritura, rrugë pa ndriçim, mbikalime të rrezikshme…

Kjo është panorama e akseve nacionale në Shqipëri. “Fiks Fare” bëri një vëzhgim në disa akse kryesore, së bashku me ekspertin e Qarkullimit Rrugor, inxhinier Artur Sulçe.

Vëzhgimi shtrihet në aksin Tiranë-Durrës-Lushnje-Fier.
Rruga nga Tirana në Durrës është një nga rrugët interurbane kryesore dhe ka ndërprerje të herëpashershme të rrugës, të cilat nuk janë në përputhje me normat dhe aktet ligjore e nënligjore, që ka aprovuar shteti shqiptar, konkretisht VKM-në e vitit 2015.
Unaza e jashtme e Durrësit në këtë aks është një kryqëzim ku semafori nuk punon, e njëkohësisht nga kryqëzimi nuk ke fushëpamje, pra mjeti që lëviz në rrugën kryesore nuk mund të konstatojë dot mjetin që del nga rruga dytësore.

“Këtu nuk është zbatuar asnjë standard”, pohon inxhinier Sulçe.
Në këtë segment vërehët se, përveç ndërprerjes së rrugës kryesore, hyrjet janë perpendikulare (pingul), nuk kanë korsi përshpejtimi. Sipas ekspertit, ARRSH-ja jo vetëm që duhet t’i konstatojë, por edhe duhet të ndërhyjë t’i riparojë, pasi nuk kanë kosto të lartë dhe rrisin performancën e sigurisë së rrugës.

Përgjatë aksit Lushnje-Fier numërohen 3 ura betoni, ku sipas ekspertit, projektet e tyre janë bërë gabim. Këto ura, që të ishin edhe funksionale, duhej të vendoseshin në kryqëzime ose mbikalime. Në gjendjen që janë, funksioni i tyre është zero. Sulçe thekson se, në asnjë vend të botës nuk ka kryqëzime në nivel, sepse ato janë burim aksidenti i shtuar.

Në vendin e quajtur “Kthesa e Çermës”, afër Fierit, nuk ka asnjë mbikalim për këmbësorët. Por, ajo që i vë kapakun këtij aksi jugor është devijimi i rrugës, për shkak të një lokali te rrethrrotullimi i Kolonjës. Sipas Sulçes, ky rrethrrotullim duhet të rregullohet sa më shpejt, pasi është burim aksidentesh për drejtuesit e ardhur nga të dyja drejtimet.

Image