Kultura

Rrugëve të Jugut të Shqipërisë, mes natyrës bujare dhe gjurmëve të historisë

Nga ditari i Elitjona Dokos

Pushimet verore janë “të shenjta” për cilindo që ka patur një vit të ngjeshur pune por edhe një mënyrë e shëndetshme për t’u rikthyer më energjik në sezonin e vjeshtës. Si domos ky viti, që na ka përballur me peripeci dhe situata nga më të pazakontat e ku nevoja për qetësi e çlodhje ishte prioritet dhe nevojë! Edhe planifikimi për to ishte po ashtu i mbushur me skepticiziëm dhe pavendosmëri deri në minutën e fundit! Dhe mes këtyre pikëpyetjeve, vendosa të përshkruaj mbi 800 km rrugëtim tokësor nga brigjet e Adriatikut (Durrësi) drejt Korcës, Ersekës, Leskovikut, Përmetit, Gjirokastrës, Sarandës dhe me kthim nga Llogoraja, sërisht drejt Durrësit. Një udhëtim mbresëlënës, për cilindo që kërkon të eksplorojë natyrën, të shijojë ushqimet bio, të zhytet në gjiret kaltëroshe të Sarandës, e të vizitojë monumente e vendbanime të hershme historike, të ngjisë kalldrëmet e Gjirokastrës etj.  Nuk do të bëj një përshkrim kronologjik por një përzgjedhje bazuar në mbresat më të thella, duke shpresuar që të kuptohet se çfarë më pëlqeu më shumë.

 

Farma Sotira, aty ku mundi i njerëzve të punës ndërthuret me bujarinë e  natyrës

Plot 267 km të përshkuara nga Durrësi për në Farma Sotira, në një infrastrukturë të qëndrueshme por që ka vend ende për përmirësim, për të mbërritur në një ambient ku natyra dhe njeriu kanë “bashkëpunuar” ngushtë për të ruajtur identitetin dhe gjallërinë e zonës. Në kilometrin e 15-të të rrugës nacionale Ersekë-Leskovik, na fton gurgullima  e ujit të  rrjedhshëm që përshkon mespërmes agroturizmin, për  ta nisur  “dollinë” me ujë dhe jo me pakëz raki vendi siç e kërkon tradita e zonës kolonjare.

Bimësia ka qenë e mbarë këtë vit, siç na treguan gjatë një bashkëbisedimi të shpejtë dy banorë të Qinamit, që mblidhin zahirenë e dimrit për gjënë e gjallë, dhe ashtu pasqyrohet edhe në këtë zonë. E eksploruam pjesërisht zonën përreth, të shoqëruar nga  vajza e pronarëve të Fermës, e cila nëpërmjet një theksi të dukshëm juglindor, nuk nguroi  as të na bashkohet në udhëtimin me  këngën, “Leskovik o gur i thatë sa të mira i ke gratë, sa të mira i ke gratë, si të voglat e  të mëdhatë!”.

 

Një fëmijë vetëm 11 vjec  por me ide të qarta për të investuar veten dhe mundin në punën e ngritur nga prindërit e saj dhe nësë e pyet për largim, ajo përgjigjet qartë: Jo! Dhe se do të qëndrojë aty, Pasi shijuam natyrën, sigurisht  shijuam një më një ushqimet bio të vendit, me dhallë dhe shalqinj që mbaheshin në freskët në ujët e ftohtë të përroit! Na u duk sikur dielli perëndoi më shpejt nga zakonisht, e rroi’  mes maleve hijerëndë, për t’i lënë vendin natës së freskët, që kërkon të mbështillesh me jorgan!

Nata pis e zezë ku mbretërojnë zërat e natyrës, mes të cilëve dhe zhurma e një ketri të struktur në tavanin e shtëpizës  prej druri ku ishim akomoduar atë natë! Mëngjesi është paqe më vete!! Zgjimin na e bëri kënga e kaposhit (gjelit), ndërsa vesa ka pllakosur gjelbërimin e zonës,  freski që nuk e gjen askund në zonat e populluara urbane. Një shëtitje e paharruar mes kullotave të Fermës ishte ajo i atij mëngjesi të freskët gushti, që do më shoqërojë deri në rikthimin e mundshëm në atë vend. Largohemi për të vijuar rrugëtimin drejt Përmetit e më andej drejt destinacionit të radhës, Gjirokastrës.

   

Udhëtimi drejt Leskovikut, që shtrihet në një lartësi rreth 1.220 m mbi nivelin e detit, i cili veçohet për reliev malor e kodrinor, me pyje, florë e faunë të pasur, e duke vijuar më pas drejt Përmetit, kalon përmes një peizazhi mbresëlënës e është lehtësisht i përshkueshëm por që kërkon vëmendje maksimale në drejtimin e mjetit. Në Përmet ndalemi për një kafe, e më pas vijojmë rrugëtimin tonë drejt Gjirokastrës.

   

E gjejmë të populluar, me rrugët e gurta të Pazarit plot, për të shkuar fillimisht në hotelin që kemi rezervuar e për të nisur një tjetër ditë intensive. Hotel “Fantasy”, i hapur këtë vit, është vendqëndrimi ynë për 2 ditët që do kalojmë në Gjirokastër.

Muzeu Etnografik (Shtëpia e fëmijërisë së ish-diktatorit Enver Hoxha)

Ndërkohë që e gjejmë veten në rrugët e bukura prej kalldrëmi të Gjirokastrës, nisim me “zbulimin” e qytetit. Fillimisht drejtohemi për te  Muzeu Etnografik, që banorët e zonës e kanë më për mbarë të marrin si referencë ish-diktatorin Hoxha! Ndonëse zyrtarisht emërtohet si  “Muzeu Etnografik”, shtëpia e fëmijërisë së Enver Hoxhës njihet ende me këtë emër. Imazhi i diktatorit ende ngjall kuriozitet dhe publiku ka interes të njohë në mënyrë sa më të plotë njeriun që instaloi një nga diktaturat më të egra në botë.

Lagjia e kalasë e quajtur “Palorto”, mban disa nga shtëpitë më të famshme të vendit:  atë të shkrimtarit më të njohur shqiptar Ismail Kadaresë, familjeve Çabej, Babaramo apo Fico. Të gjitha këto përfaqësojnë ndërtime me vlera të rralla arkitekturore por asnjëra nuk i afrohet forcës magnetike që ushtron shtëpia e Hoxhës ndaj publikut! Vendasit tregojnë se kjo shtëpi 3-katëshe u dogj kur Hoxha ishte vetëm 8 vjeç dhe u rindërtua pas’44-ës, duke u kthyer në muze në vitin 1966. Fillimisht, muzeu tregonte veprimtarinë e diktatorit dhe dëshmorët e luftës e, pas rënies së komunizmit më ’91, ai u transformua në muze etnografik. Ndonëse shtëpia nuk përmban sendet apo dekorimet specifike të familjes së Hoxhës, ajo tregon hollësisht jetën tradicionale të një familjeje gjirokastrite.

Dhomat duket sikur ende përdoren, me objekte artistike të cilat dëshmojnë për një kulturë që vjen nga familje të pasura të shekullit të 19-të. Kati përdhe, ku dominon guri, përdorej për zahiretë e dimrit. Kati i parë, i ulët, me dritare të vogla, është traditë për të gjitha shtëpitë ndërsa në katin e dytë, më i lartë dhe me punime druri, ndodhet dhoma e miqve. Kati i tretë mban një dhomë të vetme dhe më të bukurën, e cila quhet kamerie: një vend shumë i lartë ku gratë qëndronin për të kundruar jashtë. Duket se shtëpia ofron jo vetëm idenë e fëmijërisë së diktatorit por të gjithë historinë e Gjirokastrës, një qytet i cili, në shumë mënyra, ndikoi në historinë e një populli të tërë. Dalim prej aty dhe marrim në këmbë rrugën e Kalasë.

 

Kalaja e luftës, e legjendës dhe e festës

Forca e historisë dhe legjendës së saj e kanë ruajtur ndër vite e, tashmë, ajo mbahet si një nga aktraksionet turistike më të vizituara në vendin tonë.

 

E gdhendur në gur, kalaja quhet Argjiro, në nder të legjendës sipas të cilës princesha Argjiro u hodh nga lartësitë e kështjellës për të mos rënë në duart e armikut osman, ka bërë që që sot të na tërheqë në brendinë e saj për ta parë nga afër. Nëse ndalesh në Gjirokastër, nuk mund të mos ndalesh në Kala, aty ku që prej viteve ’80, zhvillohet festivali madhështor Folklorik Kombëtar. Për atë çka sheh në çdo cep të këtij qyteti, nuk do të mjaftonin libra të tërë për ta përshkruar, prandaj po ecim në destinacionin e radhës. Dita mbyllet portë më portë e shtëpi më shtëpi, duke shijuar e “lexuar” historinë e shkruar në kalldrëmet e qëndisura të qytetit të gurtë. Në ditën e dytë të qëndrimit tonë në Gjirokastër, zgjedhim të vizitojmë Antigonenë.

Antigonea, qyteti që u lind nga dashuria dhe vdiq nga urrejtja.

Cila vajzë nuk do ta donte fatin e vajzës së mbretit të Egjiptit, Antigonesë, gruas së parë të mbretit Pirro, i cili ndërtoi një qytetet të tërë për gruan e tij?

Sot në vend të shkëlqimit të atij qyteti jetëshkurtër kanë mbetur vetëm rrënojat e mureve rrethuese por që padyshim të shtojnë kureshtjen për ta vizituar së paku njëherë në jetë. Fatmirësisht, edhe pse ndodhet rreth 15 km larg Gjirokastrës, e gjetëm të mirëmbajtur e të pastruar nga barishtet por pa askënd që të na shoqërojë dhe shpjegojë diçka. Kjo nuk na pengoi të sodisim mirë e mirë atë vend të bukur, ku fle sot një copëz e historisë.

Nga një destinacion në tjetrin, marim drejtimin për në Malin e Çajupit.

Rekomandime:

Farma Sotira Agroturizëm, Leskovik (fotot në artikull)

Hotel Fantasy Gjirokastër

OPINIONE

INTERVISTA