Serbia nuk u mbajt kurrë përgjegjëse për Masakrën e Srebrenicës, Kurti

Me rastin e 28 vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë të Bosnjë dhe Hercegovinës është mbajtur mbledhje e madhe komemorative në Prishtinë, raporton Anadolu.

Në këtë tubim morën pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zv/kryeministrja Emilja Rexhepi, deputeti në parlamentin e Bosnjë dhe Hercegovinës, Shemsudin Mehmedoviq, ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, si dhe udhëheqës institucionesh, historianë, studiues dhe mysafirë të shumtë.

Kryeministri Kurti duke folur në gjuhën boshnjake tha se kriminelët e masakrës së Srebrenicës nuk u dënuan kurrë dhe Serbia nuk u mbajt kurrë përgjegjëse për këtë masakër.

“Gjithmonë e kujtojmë dhe na mundon gjithmonë fakti që kriminelët nuk morën kurrë dënimin e merituar pa çka që Serbia u konsiderua përgjegjëse dhe nuk e ndaloi kryerjen e gjenocidit. Ajo nuk u mbajt asnjëherë përgjegjëse për aktin e pamëshirshëm të kryerjes së gjenocidit”, tha Kurti.

Ai tha se jetojmë në një kohë kur plagës i shtohet kripë kur mohohet gjenocidi në Srebrenicë. Ai përkujtoi se Kuvendi i Kosovës dy vite më parë ka miratuar Rezolutë për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë.

Mehmedoviq, i cili ishte i ftuar special në këtë tubim, në fjalën e tij tha se më 11 korrik e tërë bota demokratike i bënë homazh viktimave të gjenocidit por do të ketë edhe të tjerë që nuk pranojnë një gjë të tillë “ata që përkrahin Federatën Ruse”.

Ai tha se Vuçiq dhe Dodik që nuk e pranon Kosovën dhe Bosnjë dhe Hercegovinën “për shkak të politikave të tyre gjenocidale”.

“Ne boshnjakët në Bosnje dhe Hercegovinë kemi gjithashtu detyrë të afirmojmë të gjitha vendimet e gjykatave ndërkombëtare, veçanërisht dy gjykatat e OKB-së, Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Hulumtoni dhe vazhdoni të hulumtoni krimet, sepse krimet kundër nesh nuk vjetërohen. Ndiqni kriminelët dhe gjykoni, ky është obligimi ynë, e vërteta është në anën tonë dhe ne duhet t’i ndjekim kriminelët gjatë gjithë jetës tonë”, theksoi Mehmedoviq.

Zv/kryeministrja Rexhepi tha se çfarëdo që të thuhet dhe të shkruhet për Srebrenicën, nuk mjafton.

Ajo tha se më 11 korrik 1995 ndodhi një nga krimet më të mëdha në historinë e njerëzimit: gjenocidi në Srebrenicë. Ajo tha se e ka vështirë të përshkruaj, dhimbjen, zemërimin që ka për këtë gjenocid.

Gazetari Nexhmedin Spahiu tha se raportet e Kosovës me Bosnjë dhe Hercegovinën kanë qenë gjithmonë marrëdhënie e dy aleatëve.

Spahiu tha se po të mos ishte masakra e Srebrenicës, deri sa të aktivizohej bota perëndimore gjatë luftës në Kosovë “do të mund të ndodhnin dhjetë Srebrenica”. Ai shtoi se “lirinë ua kemi borxh edhe viktimave të Srebrenicës”.

Të ftuarit ndoqën edhe një video me pamje të varrezave dhe listave të emrave të viktimave të Srebrenicës.

Të martën, më 11 korrik, shënohet 28-vjetori i gjenocidit në Srebrenicë. Kujtojmë se më shumë se 8.000 meshkuj muslimanë boshnjakë u vranë në Srebrenicë pasi forcat serbe sulmuan “zonën e sigurt” të Srebrenicës në korrik të vitit 1995, pavarësisht pranisë së trupave holandeze të ngarkuara për të vepruar si paqeruajtës ndërkombëtarë./AA

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne