SHBA deporton palestinezin që fitoi të drejtën për studime në Harvard

Një i ri palestinez i cili ka fituar të drejtën për të studiuar në Universitetin e Harvardit në SHBA, është deportuar pasi gjatë hyrjes në vend i është anuluar viza, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas Crimson, platformës informative të universitetit, 17-vjeçari Ismail Ajjawi me origjinë palestineze që jeton në Liban, mbrëmjen e së premtes ka arritur në Aeroportin Ndërkombëtar Logan në qytetin e Bostonit.

Në tentativë për të hyrë në vend, Ajjawi është marrë në pyetje për disa orë nga zyrtarët e zyrës së migrimit, ndërsa më pas i është anuluar viza dhe është deportuar.

Në një deklaratë me shkrim, Ajjawi tha se një zyrtar ka kontrolluar kompjuterin dhe telefonin e tij, ka shikuar në llogaritë e tij në rrjetet sociale dhe ka kërkuar llogari nga ai për postimet politike të disa shokëve.

Ajjawi tha se është marrë në pyetje për tetë orë, duke shtuar se zyrtari nuk është bindur përkundër faktit se postimet e tij personale nuk kanë pasur asnjë përmbajtje politike.

Ndërkohë, zëdhënësi i Universitetit të Harvardit, Jonathan Swain, tha se janë duke punuar për zgjidhjen e problemit.

Zyrtarët e Departamentit amerikan të Shtetit ende nuk e kanë komentuar rastin, kurse zëdhënësi i Njësisë së Doganave dhe Mbrojtjes Kufitare të SHBA-së, Michael McCarthy, tha në një deklaratë se Ajjawi nuk i ka plotësuar kushtet për hyrje në SHBA./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne