“SHBA do të dërgojë trupa ushtarake në Arabinë Saudite”

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-ve, Mark Esper paralajmëroi se vendi i tij me kërkesë të Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) do të vendos forca ushtarake në Gji për ofrimin e mbështetjes në mbrojtjen kundërajrore.

Pas mbledhjes së sigurisë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë lidhur me sulmin ndaj fabrikave saudite të naftës Armaco, sekretari Esper mbajti konferencë për media.

Ai rikujtoi se sulmi mbi fabrikat saudite “në mënyrë dramatike ka rritur tensionet në rajon”, duke shtuar se ”të gjitha dëshmitë shpiejnë në atë se Irani është përgjegjës për sulmin”.

Siç theksoi, për të parandaluar sulme të mëtejshme, Arabia Saudite ka kërkuar mbështetje ndërkombëtare për shkak të mbrojtjes së infrastrukturës së saj kritike.

“Emiratet e Bashkuara Arabe po ashtu kanë kërkuar ndihmë. Me kërkesë të Mbretërisë për mbështetje, presidenti (Donald Trump) ka aprovuar zhvendosjen e forcave amerikane në rajon, veçmas në kontekst të mbrojtjes ajrore dhe raketore. Po ashtu do të përshpejtojmë dërgesën e pajisjeve në Arabinë Saudite dhe EBA për të përmirësuar aftësinë e tyre të mbrojtjes”, tha Esper.

Ai nënvizoi se me dërgimin e forcave të saj, SHBA dëshiron t’i dërgojë mesazh të qartë Iranit, të sigurojë qarkullim të lirë të resurseve dhe të mbajë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

“Siç është shprehur presidenti, SHBA-të nuk kanë për qëllim të përleshen me Iranin, por kemi në dispozicion të gjitha opsionet ushtarake, nëse paraqitet nevoja”, porositi Esper, i cili i bëri thirrje qeverisë iraniane që të pushojë me përleshjet dhe t’i kthehet diplomacisë.

Para një jave është kryer sulm mbi dy fabrika saudite të kompanisë kombëtare Aramco. Ndonëse rebelët jemenas Huthi morën përgjegjësinë për sulmet, SHBA-të pohojnë se prapa tyre qëndron Irani. Këto akuza i hodhi poshtë Teherani zyrtar.

Sulmin mbi kompleksin saudit të naftës që përbën 5 për qind të prodhimit të përgjithshëm botëror të naftës, e dënuan shumë organizata ndërkombëtare dhe shtete, përfshirë OKB-në, BE-në, Turqinë dhe SHBA-të./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne