“ShBA-ja ngatërron çështjen e S-400 me projektin F-35”

Kreu i Industrisë turke të Mbrojtjes (SMS), Ismail Demir bëri sqarime në lidhje me letrën e ardhur nga ShBA-ja për avionët F-35.

Në përgjigje të një pyetjeje se do ti kthehet apo jo përgjigje letrës që kanë dërguar Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe çfarë hapi do të hedhë Turqia në lidhje me projektin e avionëve F-35, zoti Demir tha: “Autoriteti i adresuar për këtë letër është Ministria jonë e Mbrojtjes Kombëtare. Ata (në Ministri) janë duke punuar mbi këtë çështje. Jemi në koordinim me njëri-tjetrin. Do ti jepet një përgjigje kësaj letre. Pasi argumentet e letrës në aspektin tonë i kanë edhe përgjigjet. Komunikimi do të vazhdojë”.

I pyetur për procesin e dorëzimit të sistemeve S-400, që do të merren nga Rusia, Demir bëri këto sqarime: “Qëndrimi i Turqisë për sa i përket S-400 është i qartë. Për ne kjo është një çështje e mbyllur. Nëse ka ndonjë shqetësim për arsye të instalimit të raketave S-400 në Turqi, ne e kemi përsëritur me dhjetëra herë, që jemi gati për të diskutuar apo biseduar mbi këtë çështje. Pala tjetër (amerikane) nuk ka hedhur ende një hap lidhur me diskutimin e çështjes duke krijuar një ekip teknik”.

Kurse lidhur me bisedimet për sistemin e raketave (amerikane) “Patriot”, Demir tha se i kanë kthyer përgjigje ShBA-së për këtë çështje dhe janë në pritje të përgjigjes që do të vijë nga pala amerikane.

I pyetur për firmat turke që janë të angazhuara në programin e avionëve F-35, Demir tha: “Në fakt këto dy çështje ngatërrohen me njëra-tjetrën. Unë nuk e di se kjo gjë bëhet me dashje, apo pa dashje. E para, kemi një pretendim se vendosja në Turqi e avionëve F-35 së bashku me raketat S-400 përbën rrezik. Ne themi se jemi të gatshëm të diskutojmë se çfarë janë konkretisht këto pretendime. E dyta, është çështja e partneritetit të Turqisë në programin (e prodhimit të avionëve F-35). Ne nuk arrijmë të ndërtojmë një lidhje logjike midis kësaj çështjeje dhe blerjes së raketave S-400. Apo mos është qëndrimi ‘nëse blini sistemin (rus) ne do t’ju penalizojmë’ për ti bërë ballë një vendimi që Turqia e ka marrë me vullnetin e saj të lirë? Sepse vendimet, masat që do të ndërmerren në lidhje me partneritetin e Turqisë në këtë program për ne janë të pajustifikueshme nga të gjitha anët. Këto janë çështje të negociueshme”./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne