Bota

SHBA-të testojnë alarmin bërthamor

Sirenat që paralajmërojnë sulmet bërthamore ranë fuqishëm sot në Hauai për herë të parë që prej përfundimit të Luftës së Ftohtë.

Sigurisht që bëhet fjalë për një testim të sistemit, por testi tregon qartë se Koreja e Veriut i ka alarmuar mjaftueshëm autoritetet amerikane në ishujt e Hauait, që janë shteti më i afërt amerikan me vendin komunist. Në Hauai bëhen çdo muaj teste të sirenave që paralajmërojnë për katastrofa natyrore si tsunami, por tingulli i atyre për sulme bërthamore nuk dëgjohej prej shumë vitesh. Në rast të një sulmi nga Koreja e Veriut drejt Hauait, rënia e sirenave tregon se qytetarët kanë rreth 12 minuta kohë që të strehohen përpara se raketat të godasin. Presidenti i SHBA Donald Trump dhe zyrtarë të tjerë amerikanë, në shumë raste kanë kërcënuar të përdorin mjete të dhunshme kundër Koresë së Veriut. Peniani tashmë është nën të gjitha llojet e presionit politiko-ekonomik të bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë Rusinë dhe Kinën,për të ndaluar programet e tij bërthamore dhe raketore. Megjithatë, Peniani po i reziston presionit në rritje, duke shprehur shqetësimin e tij për qëndrimin agresiv të Uashingtonit ndaj vendit komunist./ PT