Shefat e diplomacive turke dhe pakistaneze bisedojnë për krizën e Xhamu Kashmirit

Ministri i Punëve të Jashtme të Pakistanit, Shah Mahmud Kurejshi falënderoi Presidentin Recep Tayyip Erdogan për mbështetjen e dhënë Pakistanit në krizën e jetuar pas anulimit të statusit të veçantë të rajonit të Xhamu Kashmirit.

Sipas një deklarate të bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Pakistanit pas një bisede telefonike midis Kurejshit dhe homologut të tij turk, Mevlut Çavusoglu, të dy ministrat vlerësuan situatën, veçanërisht shkeljet e të drejtave të njeriut në rajonin e Xhamu Kashmirit.

Gjatë bisedës Kurejshi i tha ministrit Çavusoglu se “Falënderojmë Presidentin Recep Tayyip Erdogan për ngritjen e zërit të tij për myslimanët e paarmatosur të Kashmirit të okupuar. Turqia dhe Pakistani gjithmonë përkrahin qëndrimin e njëri-tjetrit për shumë çështje ndërkombëtare”.

Kurejshi gjithashtu tha se përshëndesin përpjekjet e Turqisë për të bashkuar umetin islam.

Ndërkaq ministri Çavusoglu gjatë bisedës tha se Ankaraja zyrtare është duke e monitoruar nga afër situatën në Xhamu Kashmir.

Të dy homologët u dakorduan për të vazhduar kontaktet në lidhje me çështjen e Kashmirit dhe për të zhvilluar një takim muajin e ardhshëm gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në ShBA.

Burimet diplomatike të hënën njoftuan se ministrat Çavusoglu dhe Kurejshi kanë zhvilluar bisedë telefonike, por nuk dhanë detaje në lidhje me përmbajtjen e bisedës.

Kujtojmë që India më 5 gusht anuloi nenin 370 të kushtetutës, i cili i njihte privilegj rajonit të Xhamu Kashmirit për më shumë se gjysmë shekulli, ndërsa eliminoi edhe statusin e veçantë të këtij rajoni./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne