Shqiperia

‘Shoqëri me flokë të thinjura’/ Sociologu: Po ulet lindshmëria dhe po rritet emigracioni

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, deri në vitin 2059 në Shqipëri popullsia do të zbresë në 2,4 milionë banorë, ndërsa deri në 2100-ën sipas organizatave në vendin tonë do të jenë vetëm 1 milionë e 88 mijë banorë.

Sipas sociologëve kjo quhet “shoqëri me flokë të thinjura”.

I ftuar në Ora News, Gëzim Tushi sqaroi se, dy janë faktorët e rënies së popullsisë, ulja e lindshmërisë dhe zgjerimi i emigracionit.

“Ky projeksion është një lajm i keq dhe duhet vlerësuar nëpërmjet një procesi të një diagnostikimi të thellë të shkaqeve pse është kjo situatë që ka të bëjë me rrudhjen e popullsisë, plakjen e popullsisë, me rënien e lindshmërisë, me kalimin nga një shoqëri vitale në një shoqëri me flokë të thinjur. Unë besoj se nëse do ti përmbahemi një analize korrekte do të thosha që janë dy arsye kryesore që ndikojnë në këtë dukuri komplekse. E para rënia e dukshme e lindshmërisë në shoqërinë shqiptare dhe e dyta zgjerimi i emigracionit në sasi dhe intensitet” u shpreh sociologu

Sipas Tushit, duhen politika, pasi prioritet i një familje në ditët e sotme nuk është lindshmëria.

“Duhen politika sociale mbështetëse si favorizimi i grave, rritja e kohës së pagesës pas lindjes dhe një varg arsyesh të tjera që e bëjnë më të qenësishëm këtë proces. Duhen politika të tjera sociale që kanë të bëjnë me të rinjtë, siç janë problemet e strehimit, të punësimit. Të gjitha këto kanë ndikim në këtë proces. Ajo që është më kryesore që është bërë shqetësim social është emigracioni. Në këtë fazë emigracioni është në zgjerim. Ajo që më shqetëson është se ky emigracion i kohëve të fundit është emigracion elitar”, shtoi Gëzim Tushi./Tpz

OPINIONE