Shqiperia

Shpërndanin drogë afër shkollave, prangosen 5 persona

Policia e Shtetit në katër operacione të zhvilluara kundër trafikut të lëndëve narkotike ka arrestuar në flagrancë 5 persona. Arrestimi i tyre është kryer në Fier, Shkodër, Durrës dhe Himarë.

“Në kuadër të masave për parandalimin dhe goditjen e rasteve të shpërndarjes së lëndëve narkotike në afërsi të shkollave apo të lokaleve të natës, nga strukturat e Policisë së Shtetit janë ushtruar kontrolle të shumta në ambiente të ndryshme.

Si rezultat i kontrolleve janë goditur 4 raste konkretisht në Fier, Shkodër, Durrës e Himarë, ku u arrestuan 5 persona dhe u sekuestrua një sasi lënde narkotike e ndarë në doza të vogla.

Në Fier u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit: A.H., 38 vjeç, si dhe V.P., 55 vjeç, nga Fieri, pasi në aksin rrugor Levan-Tepelenë, në mjetin me të cilin udhëtonin, u gjet dhe sekuestrua 1 kg lëndë narkotike e dyshuar kanabis.

Në Shkodër u arrestua në flagrancë shtetasi E.C., 23 vjeç, pasi gjatë kontrollit iu gjetën në trup doza lënde narkotike kanabis, si dhe gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tij janë gjetur edhe 73 doza të tjera me lëndë narkotike të dyshuar kanabis të futura në qese plastike.

Në Durrës u arrestua në flagrancë shtetasi M.V., 28 vjeç, pasi gjatë kontrollit personal i janë gjetur 9 doza me lëndë narkotike të dyshuar marijuanë, të futura në qese.

Në Himarë u arrestua shtetasi S.J., 28 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar, iu gjetën dhe iu sekuestruan 100 doza lënde narkotike e dyshuar kanabis.

Policia e Shtetit do të vijojë kontrollet në të gjithë territorin dhe fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe të paligjshmërisë në tërësi, në numrin 112, në aplikacionin “Komisariati Dixhital”, apo në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit në rrjetet sociale, duke iu garantuar anonimatin si dhe një reagim të shpejtë e të paanshëm të Policisë së Shtetit”, njofton policia./ tpz

OPINIONE