Shqipëri-Kosovë, protokoll bashkëpunimi për sezonin turistik

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Fatmir Xhafaj, prit të shtunën ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Bejtush Gashi. Ata diskutuan çështje të bashkëpunimit dypalësh dhe thellimin e tij. Dy ministrat kanë nënshkruar një protokoll bashkëpunimi për sezonin turistik veror. Protokolli ka qëllim intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve për të forcuar bashkëpunimin midis policive të dy vendeve, nëpërmjet planifikimit dhe zbatimit të masave të përbashkëta në fushën e kontrollit kufitar.

Ai do të kryhet sipas drejtimit të lëvizjes së qytetarëve dhe mjeteve, ku punonjësi i Policisë shqiptare kryen regjistrimin në dalje të territorit të Republikës së Shqipërisë dhe punonjësi i Policisë kosovare kryen regjistrimin në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës.

Procedurat e përbashkëta mund të ndryshojnë ndërmjet negociatave dhe me miratim të ndërsjelltë. Gjatë zbatimit të këtyre procedurave të kontrollit të përbashkët, do të mbahet lista e përpunimit të automjeteve me procedurë të lehtësuar.

“Besoj fort se midis dy Ministrive dhe dy Policive tona, do të vazhdojë të ketë një bashkëpunim më intesiv në interes të popujve tanë, në interes të të gjithë shqiptarëve, në interes të sigurisë së vendeve tona, të rendit, qetësisë që iu ofrojmë njerëzve tanë, në dy anët e kufirit. Por besoj fort, edhe në interes së sigurisë rajonale është një kontribut i çmuar bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Policisë shqiptare dhe forcave respektive të sigurisë”, tha ministri Xhafaj pas takimit.

“Diskutuam një sërë temash të rëndësishme ndërmjet nesh, që kanë të bëjnë me terrorizmin dhe luftën kundër krimit të organizuar, menaxhimin më mirë të kufijve formalë, por edhe të nevojës për të pasur një marrëdhënie më të mirë në tërësi dhe në mënyrë të veçantë në periudha të rëndësishme, siç është sezoni turistik, marrëdhëniet në forcimin e bashkëpunimit shumë të mirë që kemi ndërmjet dy Akademive, dhe një sërë projektesh të përbashkëta. U dakordësuam për të pasur një agjendë të përbashkët bashkëpunimi në muajt në vijim”, shtoi ai.

Xhafaj tha se ministri i Republikës së Kosovës trajtoi me shumë të drejtë një shqetësim që ka të bëjë lidhur me sigurinë rrugore të shtetasve kosovarë gjatë sezonit veror dhe posaçërisht lidhur me patentat, me mënyrën se si trajtohen rastet e menaxhimit të këtyre patentave kur krijohen probleme për shkak të mosrespektimit të rregullave.

“Duhet një procedurë e gjatë për t’i kthyer ose për t’ua ridhënë në përdorim patent-mbajtësve përmes një burokracie shumë të gjatë, që kemi aktualisht”, u shpreh ai dhe vijoi me fjalët:

“Unë e mirëkuptoj ministrin e Republikës së Kosovës në shqetësimin që trajtoi. I bëra me dije faktin se është propozuar nga deputetët e Kuvendit, nga deputeti Ndreu, një amendim i Kodit Rrugor që do ta lehtësonte së tepërmi. Dhe ne shpresojmë se në seancën e fundit të Parlamentit, që është ditën e hënë, të mund të miratohet ky amendament, që do të ishte një kontribut shumë i çmuar në këtë aspekt dhe një lehtësi për të gjithë ata që përdorin rrugët kombëtare të Republikës së Shqipërisë.

Dhe gjithsesi, në çdo rast u angazhuam së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë për të marrë disa masa shtesë, jo vetëm për efekt të sigurisë, por edhe për të bërë lëvizjen më të lehtë dhe administrimin e të gjithë procedurave që e shoqërojnë atë me lehtësi shumë më të mira në funksion të sigurisë mbi të gjitha, por dhe në funksion të lëvizjes së lirë të shtetasve në të dy anët e kufirit.”

“Në interes të diskutimit ishte sfida me të cilin lidhen të dy shtetet për parandalimin e rreziqeve dhe fenomenit me theks të veçantë të terrorizmit dhe krimit të organizuar. Për parandalimin e këtyre fenomeneve, ne si dy shtete, kemi një bashëpumim i cili duhet intesifikuar dhe të reagojmë në kohë dhe të ndikojmë që këto fenomene të zvogëlohen”, theksoi nga ana e tij ministri Gashi.

“Bashkëpunimi mes dy Ministrive përkatësisht Agjencive do të intesifikohet dhe shpresojmë se në takimet e radhës do të mund të dalim me rezultate konkrete në fushën e bashkëpunimit ndërshtetëror”, përfundoi ai.

Burimi: Trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne