Shqipëria dhe KE nënshkruajnë marrëveshjen financiare IPA

Shqipëria dhe Komisioni Evropian (KE) kanë nënshkruar marrëveshjen financiare IPA, e cila ka si qëllim mbështetjen me fonde në sektorë të ndryshëm, si në procesin e reformës në institucionet e drejtësisë, në zhvillimin e turizmit dhe mbrojtjen e mjedisit.

Marrëveshja mbi fondet e Bashkimit Evropian (BE) u nënshkrua nga zv/ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Sokol Dedja dhe ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca.

Zv/ministri Dedja gjatë fjalës në ceremoninë e nënshkrimit tha se në rrugëtimin evropian të Shqipërisë asistenca financiare është një mbështetje shumë e rëndësishme për zbatimin e procesit të reformave.

“Sot jemi këtu për të nënshkruar marrëveshjen për fondet e BE-së për Shqipërinë për vitin 2018. Vetëm mbështetja e BE-së për Shqipërinë për vitin 2018 është 94.1 milionë euro”, tha Dedja.

“Procesi i integrimit evropian është jetik për vendin, jetik për qytetarët, por nuk është një proces i lehtë. Është një proces transformimi, modernizimi, që prek të gjitha qelizat e funksionimit të shtetit dhe shoqërisë. Standardet e BE-së në shumë fusha janë nga standardet më të larta në botë. Mbështetja financiare e BE-së është shumë ndihmuese dhe e rëndësishme”, theksoi Dedja.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Soreca, tha se nxisin institucionet e Shqipërisë të përmbushin angazhimet dhe të japin rezultate të plota për reformat.

“Mbështetja mbulon të gjitha fushat e institucioneve të sistemit të drejtësisë. Ajo po ashtu vjen në një moment shumë të rëndësishëm për të bërë të mundur dhe siguruar ngritjen e shpejtë dhe të plotë të institucioneve të reja. Një element tjetër kyç i rëndësishëm i këtij programi është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Javët dhe muajt në vijim do të jenë kyçe për Shqipërinë”, u shpreh gjatë fjalës në aktivitet ambasadori Soreca.

Ai tha se “BE do të vazhdojë të jetë partner numër një i Shqipërisë në nivelin politik dhe financiar”.

Instrumenti i Asistencës së Para-Aderimit (IPA) është instrument i financuar nga BE për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe synon të mbështesë vendet kandidate në implementimin e reformave politike, institucionale, ligjore, administrative, sociale dhe ekonomike./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne