Shqiperia Sociale

Shqipëria me përqindjen më të lartë të të moshuarve në punë

Eurostat e renditi Shqipërinë me përqindjen më të lartë në rajon të punësimit të moshave të vjetra 55-64 vjeç.

Sipas të dhënave, përqindja e punësimit në këtë grupmoshë në Shqipëri është mbi 55%, ndërsa në vendet e tjera të rajonit është shumë më e ulët.

Grupmoshat 55-64 vjeç, në Serbi janë të punësuar 45%, në Malin e Zi 43%, në Maqedoni 40% në Turqi 34%, në Kosovë 31% dhe në Bosnjë, 30%.

Përqindja e lartë e të punësuarve në moshat e vjetra në Shqipëri lidhet me nivelin e lartë të emigracionit të moshave të reja. Ky hendek që po rritet gjithnjë e më shumë, për shkak të largimit të rinjve nga vendi, krijon hapësira për punësimin të personave edhe në moshë pensioni.

Popullsia shqiptare aktualisht është në një moshë punë favorite kur normat e varësisë, të rinjve nën moshën 15 vjeç dhe të moshuarve mbi 65 vjeç janë ende në raporte të ulëta në krahasim me forcën e punës.

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 1979, në 100 persona, 73 ishin të rinj; në vitin 2011, kjo shifër ka qenë vetëm 47 të rinj për 100 banorë, kurse më 2018 ka pësuar ulje të mëtejshme.

Mosha mesatare e forcës së punës është mbi 40 vjeç dhe nëse do të aplikoheshin politikat e duhura, ekonomia e vendit do të ishte në kulmin e produktivitetit prej kësaj mundësie që jep forca e punës.

Forca e punës në Shqipëri është në moshën ku përvoja dhe mosha janë kombinim ideal për të prodhuar maksimumin e përfitimeve. Por këto përfitime po deformohen për shkak se të rinjtë kanë zgjedhur të emigrojnë, ndërkohë që aftësitë në moshat mbi 55 vjeç vijnë e dobësohen.

Kryesisht për shkak të emigracionit, struktura e popullsisë në moshë pune është përfshirë në një tranzicion të thellë. Një studim i fundit tregon se nga ky vit forca e punës do të vijë në rënie, duke e përballur ekonominë e vendit me një fenomen të panjohur deri më tani.

Sipas projeksioneve të fundit të INSTAT, popullsia në moshë pune do të bjerë me një ritëm pak më të shpejtë se sa popullsia e përgjithshme, me më shumë sesa 18% në pothuaj të gjitha qarqet, përveç atyre që e shtojnë popullsinë nëpërmjet migrimit (Tirana, Vlora dhe Durrësi)./Monitor

OPINIONE