Si po e ndjek verbërisht Arabia Saudite lojën e Trump

Nga Azaz ZAMAN

Në kërkim të mbështetjes së liderëve arabë për një qëndrim ndërkombëtar kundër Iranit, Arabia Saudite priti tri samite të njëpasnjëshme në qytetin e shenjtë të Mekës, pas sulmeve të supozuara të Iranit mbi pikat e naftës në Arabinë Saudite.

Mbreti Salman i Saudisë e quajti këtë samit “emergjent” dhe ai erdhi vetëm disa orë pas komentit të Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, John Bolton lidhur me përfshirjen e mundshme të Iranit në sabotimin e katër anijeve, duke përfshirë edhe dy depozitave të naftës saudite, pranë brigjeve të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ndonëse EBA-të nuk e kanë fajësuar publikisht askënd për këtë incident, z. Bolton ka bërë komentet pa dhënë asnjë dëshmi për të mbështetur pretendimet. Si pasojë, në mes të tensioneve të përshkallëzuara midis Iranit dhe SHBA-së, Mbreti Salman në samit përsëriti se do të përdorë “të gjitha mjetet për të ndaluar regjimin iranian nga ndërhyrja në punët e brendshme të vendeve të tjera”.

Çuditërisht, për të trajtuar tensionet, Arabia Saudite ka marrë pranë vetes edhe Katarin, fqinjin të cilin vet e ka izoluar nga toka, ajri dhe deti.

Andreas Krieg, ligjërues në Shkollën për Studime të Sigurisë në Kolegjin Mbretëror të Londrës, tha se kontakti i drejtpërdrejtë i Arabisë Saudite me Katarin tregon se tensioni me Iranin është marrë shumë seriozisht në Riad.

Nëse kjo është e vërtetë, atëherë shtrohet pyetja: cili është rezultati i këtyre takimeve të jashtëzakonshme nga kombet arabe?

Ndjekja e samiteve të organizuara nga Arabia Saudite dhe dëgjimi i retorikës politike të mbretit Salman nuk është gjë tjetër veçse përkrahje e tensionit të vazhdueshëm SHBA-Iran.

Një lojë politike e Trump

Presidenti amerikan Donald Trump ka një mënyrë të veçantë të asaj që mund të quhet plan i lojës – duke qenë se krijon situata “gjithsesi fitimtare”, veçanërisht në rastin e marrëdhënieve dypalëshe, qoftë midis konkurrentëve politikë vendorë ose të huaj.

Në fillim, ai përdor retorikë të ashpër dhe agresive politike për të përshkallëzuar tensionin, duke i pasur pas vetes mediat e rëndësishme që trumbetojnë çdo fjalim. Pas një kohe, ai papritmas bën thirrje për pajtim ose negocim. Ai e ka përdorur në mënyrë të shkëlqyeshme këtë “trik” nga fillimi i fushatës zgjedhore në vitin 2016 e deri më tani.

Loja e tij politike me Senatorin Ted Cruz në zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA, është një shembull i përsosur i planit të lojës së Trump.

Sipas Business Insider, mosmarrëveshja politike midis Donald Trump dhe Ted Cruz gjatë zgjedhjeve të 2016 ishte një nga më të “ndyrat” në kujtimet e zgjedhjeve të fundit të SHBA. Të dy sulmuan ashpër njëri-tjetrin duke përfshirë në lojë edhe gratë dhe integritetin.

Megjithatë, pas ardhjes në pushtet, Trump zgjidhi problemet me z. Cruz dhe u bashkuan duke lënë pas krahëve gjuhën e shëmtuar. Tani të punojnë bashkë, duke na lënë pa fjalë.

Ngjashëm, tensioni i intensifikuar midis Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara, gjatë gjithë vitit 2017 dhe gjysmës së vitit 2018 filloi me testin e raketave të Koresë së Veriut dhe u shtua nga shkëmbimi i retorikës politike midis dy liderëve gjaknxehtë: Donald Trump dhe Kim Jong-un. Duke e quajtur Kim-in “vogëlushin e raketave”, Trump me inat deklaroi se çdo kërcënim kundër SHBA-ve do të përgjigjej me “zjarr dhe tërbim që bota kurrë nuk ka parë.”

Sërish, pas një mbulimi të madh mediatik, të dy liderët u takuan në Singapor me 12 qershor 2018 në një samit të paparashikuar, duke bërë një histori të re, dhe duke shënuar takimin e parë mes një udhëheqësi të Koresë së Veriut dhe një presidenti amerikan.

Megjithatë, samiti nuk dha asgjë. Në këtë rast nuk dolën keq dy liderët që morën vëmendjen e medias – me sa duket këtë e dëshironin.

Jenny Taun, një specialist mbi Korenë dhe analist i kërkimit në BBC, botoi një artikull të titulluar “Samiti Trump – Kim: retorika kundrejt realitetit”, duke vënë në pikëpyetje gatishmërinë e administratës për të përmbushur angazhimet ndaj zgjidhjeve të qëndrueshme. Ky samit gjithashtu ka ngjashmëri me llojin e lojës politike që z. Trump zakonisht e luan.

Arabia Saudite: Bashkimi me lojën e Trump-it

Pa asnjë qëllim të menduar hollësisht dhe pa ndonjë plan konkret të veprimit kundër asaj që u quajt “agresion i Iranit”, Arabia Saudite ka mbledhur dy samite emergjente të vendeve të Gjirit, dhe një takim të rregullt të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, që të tria në një vend.

Pra, këtu paska një emergjencë?

Thirrja e tri samiteve të njëpasnjëshme në një vend, pa dyshim, nxit vëmendjen ndaj detyrimit për të adresuar diçka urgjentisht. Megjithatë, si rezultat i samitit, nuk na është sjellë asgjë veç retorikës politike kundër Iranit, siç e bën Trump shpesh. Ç’është më e rëndësishmja, duket sikur bashkohet me lojën politike të Trump-it: duke përdorur retorikën si mjet të vetëm për të fituar vëmendjen e mediave.

Gjatë samitit, Mbreti Salman akuzoi Iranin për kërcënimin e sigurisë rajonale arabe. Më pas, duke kërkuar një qëndrim global ndaj Iranit, mbreti saudit gjithashtu i quajti sulmet e fundit të Gjirit si “akte terroriste” nga Irani. Megjithatë, Abbas Mousavi, zëdhënës i ministrisë së Jashtme të Iranit, ka hedhur poshtë akuzat për ndërhyrjen e vendit të tij në “punët e rajonit”.

Duke intensifikuar tensionin në botën muslimane, Donald Trump ndoshta e ka shijuar shkëmbimin e retorikës së ashpër politike midis dy vendeve fqinje.

E për të mbrojtur fuqinë e vet, monarku i Arabisë Saudite duket se po bëhet gjithnjë e më i varur nga administrata Trump. Presidenti amerikan përsërit herë pas here mbështetjen e tij të vazhdueshme për monarkinë saudite duke cituar se “Arabia Saudite blen shumë dhe nuk dua ta humbas”. Edhe përkrahja e vazhdueshme e Trump në luftën e udhëhequr nga Saudia në Jemen është kritikuar në Kongresin Amerikan. Plus, Grupet e të Drejtave të Njeriut kanë dënuar vazhdimisht Arabinë Saudite për luftën e pandalshme në Jemen, e cila ka shkaktuar vdekje në shifra të hatashme civilësh.

Përveç kësaj, Arabia Saudite ka thyer aleancën 39-vjeçare – forcën e përbashkët të mbrojtjes në kuadrin e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) – duke shkaktuar bllokadën e Katarit. Shumë besojnë se bllokada u nxit nga Presidenti Donald Trump, sepse u bë vetëm dy ditë pasi ai u takua me udhëheqësit arabë në Riad. Prandaj është mjaft e qartë se Trump po luan “lojën e tij të preferuar” duke e mbajtur Iranin nën presion ekstrem, me ndihmën e Arabisë Saudite.

Megjithatë, bota me pothuajse 2 miliardë muslimanë pret veprime më të pjekura nga Arabia Saudite, pasi deshi apo s’deshi mbreti, ajo është vendlindja e Profetit të Islamit, dhe si e tillë duhet të sjellë paqe dhe solidaritet mes popujve dhe besimeve./tesheshi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne