Singapor – Trump dhe Kim shkruajnë historinë me një shtrëngim duarsh

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe lideri koreanoverior, Kim Jong-Un, shtrënguan duart të martën në Singapor, hera e parë në histori që një president amerikan në detyrë takon një lider koreanoverior.

Trump dhe Kim ishin mbi një qilim të kuq, ndërkohë që në sfond dukeshin flamujt amerikanë dhe koreanoveriorë.

Pas shtrëngimit të duarve ata qëndruan seriozë përballë fotografëve.

Trump dhe Kim iu drejtuan më pas një korridori për të vazhduar takimin kokë më kokë.

Ata folën për rreth 45 minuta përpara se të drejtonin takimin ndërmjet delegacioneve respektive.

Për të ndjekur takimin historik, në Singapor ndodhen rreth 5.000 gazetarë, por vetëm një grup i vogël korrespondentësh amerikanë dhe koreanoveriorë u lejuan të ndjekin momentin kur të dy udhëheqësit përshëndetën njëri-tjetrin.

Dy liderët firmosën edhe një dokument, i cili pritet t’i përcillet medias gjatë ditës.

Ja se çfarë deklaruan liderët përpara takimit:

Tump: “Z. Kim, është një nder i madh të jem me ju këtu dhe unë e di se do të kemi sukses të jashtëzakonshëm së bashku. Ne do të zgjidhim problemin tonë të madh, dilemën tonë të madhe që deri në këtë moment nuk ka qenë e mundur të zgjidhet. Duke punuar së bashku, ne do ta zgjidhim atë. Është një nder i madh. Faleminderit shumë!”

Kim: “Do të ketë sfida përpara, por ne do të punojmë me Trumpin. Kemi mposhtur të gjitha llojet e skepticizmit dhe spekulimeve për këtë samit dhe besoj se kjo është diçka e mirë për paqen.”

Kim: “Ne tejkaluam me guxim të kaluarën, e cila na mbante mbrapa dhe u ulëm bashkë. Mendoj se ky është një prelud i paqes.”

Tump: “Ne do ta zgjidhim, do të jemi të suksesshëm dhe mezi pres që të punoj me ju. Do të bëhet; do të kemi marrëdhënie të shkëlqyera dhe për këtë nuk kam dyshim. Ju faleminderit shumë!”/ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne