Skandal, Ministria e Arsimit nuk njëson diplomat e huaja në teologji

Skandal, Ministria e Arsimit nuk njëson diplomat e huaja në teologji

Ministria e Arsimit e qeverisë socialiste, tashmë prej katër vitesh nuk njëson diplomat e huaja në teologji. Ndonëse qeveritë e mëparshme prej vitesh kanë njësuar diplomat në teologjitë islame dhe të krishtera, duke i hapur rrugë studimeve pasuniversitare në Shqipëri, ose punësimit në institucionet kryesisht të komuniteteve fetare në vendin tonë, qeveria Rama i thotë ‘JO’ diplomave të huaja në teologji.

Kështu me marrjen e pushtetit nga koalicioni i majtë dhe socialist, Ministria e Arsimit me në krye ministren Nikolla nuk njeh diplomat e teologjisë të marra nga universitetet prestigjioze të botës, duke filluar nga bota islame, siç është Egjipti me universitetin 1.000 vjeçar el Ez’her në Kajro, universitete të Turqisë, Arabisë, por edhe ato në Perëndim, Europë dhe SHBA, duke sjellur një problematikë të re në punësimin kryesisht në institucionet arsimore publike dhe jopublike në këtë fushë.

Problem më i madh paraqitet për të krishterët, të cilët kanë akademi teologjike jo legale, vetëm për klerikë dhe konsum të brendshëm, siç është Instituti Teologjik Katolik në Shkodër dhe Akademia Teologjike Ortodokse në Durrës, e cila prej disa vitesh edhe pse ka bërë kërkesë për t’iu bashkangjitur Kolegjit Universitar ‘Logos’ të Kishës Ortodokse nuk ka marrë miratimin ende dhe mbetet akoma i paakredituar.

Ndërsa Komuniteti Mysliman me teologjinë islame në Universitetin ‘Bedër’, i akredituar dy herë, duket se e ka zgjidhur problemin e të shkolluarit jashtë, problem mbeten ata qindra studentë, që studiuan jashtë kryesisht me bursë dhe kërkojnë të punësohen, apo vazhdojnë studimet pasuniversitare në Shqipëri, pasi të kenë njësuar diplomat e tyre.

Për këtë për çudi akoma nuk ka një reagim nga komunitetet fetare dhe sidomos Komiteti Shtetëror për Kultet edhe pse kanë kaluar 4 vjet nga ky problem.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne