Skandali me pronat në Spille, ish-kreu i hipotekës pranon akuzat, gati të japë detaje

Ish-kreu i Hipotekës së Kavajës Seid Cikalleshi ka pranuar akuzat dhe është gati që të bashkëpunojë me drejtësinë në lidhje me skandalin e tjetërsimit të pronave në bregdetin e Spillesë. Ai është vënë në dispozicion të prokurorisë për të shpjeguar mënyrën se si ka funksionuar transaksioni i pronave ranishte në zonën e plazhit. Nën akuzë për këtë ngjarje janë vënë edhe 10 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të tjerë. Ndërkohë pritet që Seid Cikallesh, vjehrri i kreut të PS-së në Kavajë, Gentian Dajës, të kërkojë gjykim të shkurtuar. Cikalleshi, së bashku me ish-nënprefektin e Tiranës, Fatos Kajën, janë ndër 11 personat e lënë në burg për tjetërsimin e 36 hektarëve të tokave në bregdetin e Spillesë. Cikalleshi u vetëdorëzua në polici, pasi u shpall në kërkim për skandalin e pronave, ku një pjesë e tyre ishin përvetësuar edhe nga familjarë, të afërm të ish-kreut të Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshit. Burime thonë se ish-kreu u Hipotekës së Kavajës do të zbardhë skemën përpara hetuesve, se si u zhvillua tjetërsimi i hektarëve në Spille, sa kanë qenë përfitimet dhe cilët ishin aktorët kryesorë.

SKEMA E TJETËRSIMIT

Seid Cikalleshi, në bashkëpunim me 10 të arrestuarit e tjerë, kanë falsifikuar dokumentet, duke bërë ndryshimin e zërit kadastral për një sipërfaqe prej 36 hektarësh tokë në vijën bregdetare Spille, Kavajë. Në parcelat me numër pasurie 1, 35, 37, 178, duke e tjetërsuar pronën nga tokë ranishte, në tokë arë, kanë bërë ndarjen në mënyrë të kundërligjshme të kësaj sipërfaqeje tokë në interes të tyre dhe personave të tjerë. Gjatë hetimeve paraprake, dokumentohet bashkëpunimi kriminal midis ish- punonjësve të Komunës Kryevidh dhe punonjësve të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Kavajë. Ata në bashkëpunim me njëritjetrin dyshohet se kanë krijuar në mënyrë fiktive komisione për ndarjen e tokës gjatë periudhës 2013- 2016 dhe kanë realizuar tjetërsimin e ndarjen në mënyrë të jashtëligjshme të pasurisë shtetërore. Nga deklarimet e shtetasve që u janë shënuar emrat në Aktin e Marrjes së Tapisë së Pronës, rezulton se nuk kanë pasur dijeni që janë pajisur me tokë e aq më tepër që nga viti 2000. Ata as nuk kanë bërë kërkesë dhe disa nuk janë pajisur me AMTP, si dhe rastet e personave, të cilët kanë përfituar dhe tjetërsuar prona, pa ditur vendndodhjen e pronës apo personat që e kanë tjetërsuar. Pra, rezulton qartë se një numër i konsiderueshëm AMTP janë shfaqur një ditë të caktuar dhe janë bërë objekt regjistrimi. Pjesa më e madhe e tyre deklarojnë se i kanë dhënë shtetasit Ilir Kaja vetëm kartën e identitetit, pas vitit 2011, dhe më pas janë paraqitur te noterët për të bërë transaksione me persona që nuk i kishin takuar apo njohur më parë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne