Sondazhi i fundit dhe kriza e sotme

Për shqiptarët të cilët e njohin vendin sipas imazhit që kanë formuar në mendjen e tyre, deri diku e kushtëzuar kjo dhe nga përkatësia politike e nga botëkuptimi i tyre, që shohin vetëm atë që dëshirojnë apo ëndërrojnë, sondazhi i IPR marketing i shpallur në 3 prill ishte një rrufe në qiellin me diell të rilindur. Për mua, që jetoj aktivisht këtu, ku ka gjëra që më pëlqejnë e gjëra që nuk më pëlqejnë si dëshira apo ëndrra, sende e veprime që i shikoj si embrione shpresëdhënëse e të tjera që i përbuz bashkë me autorët e filozofinë që i prodhon; sondazhi nuk ishte shumë i çuditshëm e nuk më habiti aspak. Në këtë shkrim do mundohem të paraqes një analizë të rezultateve, pra të gjendjes së vendit dhe perceptimit të qytetarëve, ashtu dhe ndonjë vërejtje për z. Noto, i bindur që nëse do të konsideroheshin do të ndihmonin për rezultate më pranë  realitetit e më të besueshme.

Megjithëse Shqipëria në vend që të qeveriset demokratisht,  po sundohet bazuar në tifozllëkun politik dhe inatin (në mos hasmërinë) ndaj kundërshtarit (enveristët e rilindur i quajnë armiq), shprehjet apo përgjigjet rreth gjendjes ekonomike, çka është treguesi më pak i ndikuar nga sa thamë më sipër, flasin mjaft qartë dhe si e perceptojnë qytetarët atë.

Po i quajmë Blloku i pyetjeve  mbi ekonominë:

sipas jush në 3 vitet e fundit ekonomia e Shqipërisë është …???

përmirësuar           20,9%

përkeqësuar           43,3%

ka mbetur njësoj    34,7%

sot sipas jush sot në Shqipëri jetohet …???

mirë                       34,8%

keq                         59,7%

nuk e di                    5,5%

në krahasim me 3 vite më parë, në Shqipëri jetohet…???”:

më mirë                  18,5%

më keq                    39,7%

njësoj                      40,5%

nuk e di                    1,2%

Me interes është dhe pyetja për tre problemet më urgjente të cilat sipas mendimit të të anketuarve duhet të zgjidhen sa më parë. Në të janë përfshirë pyetje nga fusha të ndryshme (ekonomi, drejtësi, aktivitete jetësore, politike, rendi, kriminalitet….), kur duhej të mos ishin kaq shumë, por të grupuara sipas problemeve që i lidhin dhe me vlerësime për gjendjen e tyre.

Jam i mendimit se për ato fusha të aktivitetit qeveritar apo të qeverisjes në kuptim më të gjerë, si dhe probleme thelbësorë të jetës, pyetjet duhej të ishin të veçanta për secilën duke dhënë vlerësime të shkallëzuara : shumë mirë, mirë, mjaftueshëm, keq, shumë keq, nuk di.

Ndër përgjigjet po veçojmë grupin ekonomik: papunësikorrupsionvarfëri, rritja e kostos së jetesës e kriza ekonomike, që janë shprehje të drejtpërdrejta të gjendjes ekonomike të anketuarve dhe vështirësitë e tyre në jetën e përditshme. Siç shihet vlerësimi për to në një farë mënyre, por fare qartë  konfirmon dhe vlerësimet që paraqitëm më lartë. Dhe për ta përmbyllur:  përfundimi kryesor i këtij sondazhi është që jeta në Shqipëri është përkeqësuar dhe jo vetëm në aspektin ekonomik e për këtë perceptim flasin mjaft bindshëm, aq sa të tronditin dhe të frikësojnë me zhbërjen e kombit, përgjigjet e pyetjes:

Nëse do të jepej mundësia, a do të largoheshe nga Shqipëria… ???”:

po do të largohesha                      62,2%

jo do të qëndroj në Shqipëri          35,1%

nuk e di                                           2,8%

Vlerësimet e sondazhit për blloqet e mësipërme tregojnë gjykimin apo perceptimin e të anketuarit mbi aspekte të ndryshme por thelbësore të jetës së shqiptarëve. Mbas kësaj duhet të vijnë pyetjet me karakter më të qartë apo drejtpërdrejt politik mbi qeverisjen, rrugën që ndiqet, faktorët politikë dhe drejtuesit kryesorë. Jo pa interes janë përgjigjet për pyetjen qartësisht politike:

sot sipas jush Shqipëria po shkon… ???

në drejtimin e duhur       40.8%

në drejtimin e gabuar     49,0%

nuk e di                          10,2%;

Është e kuptueshme se përgjigjja e parë kushtëzohet nga përkatësia politike e të anketuarit, por shifra e njëjtë me ata që duan të largohen nga Shqipëria, e atyre që nuk mendojnë se po ecet në rrugën e duhur, apo “nuk e dinë”, flet tërthorazi se në këto vitet e fundit gjendja është e papranueshme për shumicën e shqiptarëve. Le të vijmë tani te blloku i pyetjeve për Presidentin e Republikës, Kryeministrin dhe për kryetarët e partive kryesore.

Si e gjykoni veprimtarinë e… ???

Për  Z. Ilir Meta:

pozitivisht                           18,1%

negativisht                          40,9%

as pozitive as negative        29,8%

nuk e di                               11,4%

Për Znj. Monika Kryemadhi:

pozitivisht                             8,2%

negativisht                          57,2%

as pozitive as negative       22,7%

nuk e di                              11,4%

Për Z. Lulzim Basha:

pozitivisht                           13.7%

negativisht                          49,3%

as pozitive as negative       28,6%

nuk e di                                8,3%

Për Z. Edi Rama:

pozitivisht                           29,5%

negativisht                          34,7%

as pozitive as negative       28,5%

nuk e di                                7,2%

Në këtë rast të fundit, për liderin e socialistëve nuk kemi kërkesa vlerësimi të njëjta me tre të mësipërmet, sepse pyetja është dhe për punën e qeverisë. Por le te analizojmë se si perceptohen në këtë sondazh këta, që janë  shumica e Liderët kryesor në jetën e sotme politike shqiptare, që janë të bindur se jetët tona janë në dorë të tyre dhe për “përkujdesjen” e tyre duhet t’u jemi mirënjohës. Është e qartë se  ata shihen me sy aspak të mirë çka kuptohet në vlerat  e gjykimit pozitiv dhe atij negativ, pa marrë në konsideratë dy treguesit e tjerë që nuk mund të quhen tërësisht mbështetës, sepse në gjykimin tonë një pjesë e të anketuarve nga që janë me partinë e liderit nuk duan të shprehen negativisht por ama nuk shprehen as pozitivisht. Sidoqoftë gjykimi i shqiptarëve sipas kësaj pyetje mund të gjykohet  negativ…e shumta jo mbështetës. “Liderët” bëjnë mirë, për të ardhmen e mbështetësve të forcës së tyre politike si dhe të tyre personale, që të ndryshojnë në mënyrat e drejtimit, organizimit dhe demokracisë së brendshme në partitë e tyre; të përmirësojnë programet ekonomike e sociale, të heqin dorë nga dëshirat e theksuara për autoritarizëm etj. Ndryshe rezultatet mund të jenë dhe më të këqija. Ata nuk duhet të shpresojnë në fitoren e zgjedhjeve të reja e aq më tepër se shqiptarët do tu kërkojnë ndjesë për përgjigjet e tyre në këtë sondazh dhe do ti bëjnë osana  si Liderë të tyre.

Një bllok interesant përgjigjesh është ai që lidhet me gjykimin për veprimet e fundit të opozitës shqiptare si djegia e mandateve dhe protestat antiqeveritare. Pyetjet janë tre:

në shenjë proteste opozita ka braktisur parlamentin…a pajtoheni apo nuk pajtoheni…???

pajtohem                                               18,7%

nuk pajtohem                                        61,1%

nuk e di                                                 20,2%

A ndani ose nuk pajtoheni me arsyet për protestën e opozitës ???”

ndaj plotësisht të njëjtin mendim          18,9%       

ndaj pjesërisht të njëjtin mendim          21,3%

nuk ndaj të njëjtin mendim                   38,1%

nuk e di                                                  21,7%

A jeni në favor apo kundër zgjedhjeve të parakohshme ???”                

në favor të zgjedhjeve të parakohshme  28,9%

kundër zgjedhjeve të parakohshme        51,9%

nuk e di                                                   19,2%

“ …në se procesi i anëtarësimi në BE do ndalet përgjegjësia kryesore mbi kë duhet të binte???”

mbi Qeverinë                                          20,4%

mbi Opozitën                                          16,6%

mbi të dyja                                              55,4%

nuk e di                                                     7,5%

Në se në analizimin e blloqeve të mëparshme kishim të bënim me çështje  që pak a shumë përgjigja nuk kushtëzohej nga lidhja me politikën aktuale të partisë ose dhe me frikën se humbim okazionin e futjes në parajsë (në BE diku nga 2025) ku do hamë me lugë floriri apo dhe më keq se  aleatët do të na izolojnë. Në pyetjet e tjera karakteri politik është sheshit dhe kjo është normale përderisa flitet për zgjedhje e qëndrim politik të të intervistuarit.

Pyetja e parë, që sipas nesh është jo e plotë lidhet me pjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme lokale në fund të qershorit. Ndërkohë që opozita është shprehur prerazi deri më tash se nuk  do të marr pjesë në to,  që duhej të konsiderohej në pyetjet ashtu si duhet të mos mungonin pyetjet e rastit: nuk e di dhe nuk do votoj, mbase dhe pyetja që nuk do të votoj në se opozita nuk merr pjesë.

Pyetja është vetëm një:

në qershor do të mbahen zgjedhjet vendore në Shqipëri, ju mendoni të shkoni??

Sigurisht që po                                             45,6%

Dy çështjet e tjera janë për kë do votojnë:

zgjedhjet lokale-orientimi i votës???

Partia Socialiste e Shqipërisë (PS)               44,0%

Partia Demokratike (PD)                              38,0%

Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI)           15,0%

të tjera                                                             3,0%

zgjedhjet politike- orientimi i votës ???”,

(në shtyllën e parë paraqiten rezultatet e vitit 2017);

Partia Socialiste e Shqipërisë (PS)                48,3%                   44,0%

Partia Demokratike (PD)                               28,9%                   39,0%

Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI)            14,3%                   14,0%

Parti tjetër                                                        2,2%                     3,0%

Vërejtja e parë këtu është se në rezultatet për zgjedhjet politike të vitit 2017 mungojnë 6,3% që besoj se i takonin partive të tjera, ndërsa vërejtja e dytë është se të intervistuarit duhej të ishin pyetur dhe për partitë e tjera, zëri i të cilave konsiderohet në aspekte të ndryshme të jetës politike shqiptare: PDIU, BK e BKD, PLL, PR, LZHK. PSD e PDS; ashtu edhe në se ende nuk kanë vendosur se për kë do votojnë. Këtë e gjykojmë të domosdoshme në një sondazh të dytë.

Përgjithësisht vërehet qartë ajo çka shprehet dhe në blloqet e para, pakënaqësia me qeverisjen rilindase, për Partinë Socialiste dhe Liderin e saj dhe duket se një pjesë e një milion shpullave do ju  jepen atyre (me ose pa kamatë).

Lamë për në fund përgjigjet për një pyetje që sipas nesh si dhe për shumicën dërmuese të shqiptarëve lidhet me sistemin zgjedhor, të deformuar për interesa sundimi-jo qeverisjeje të dy personave, por që përgjegjësinë e tyre morale për këtë puç kushtetues e pranojnë shumica e shqiptarëve. Ky ndryshim kërkohet edhe si ndryshim i sistemit politik-establishmentit  që rrjedh e ngurtësohet prej tij.

Pyetja është vetëm një:

“…në përgjithësi, Ju , cilin sistem zgjedhor preferoni ???”

sistem mazhoritar me Lista të hapura  (!?!?!?)     60,3%

sistem proporcional  si ky aktual                         13,3%

nuk e di                                                                26,6%

Për shkak të debatit, në dukje jo politik lidhur me sistemin zgjedhor në të cilin janë përfshirë shqiptarët, rezultatet tregojnë qartë se përkrahja ndaj establishmentit d.m.th. klasës politike e mënyrës se si qeveriset, kundërshtimi është jo vetëm nga ata që duan të largohen nga atdheu por dhe nga një pjesë e atyre që duket që se kanë kurajën për këtë apo të tilla i kanë kushtet. Pra jemi në prag të një tragjedie kombëtare…zhbërja e Kombit.

Por duhet të vëmë në dukje se pyetjet nuk janë të plota e të sakta dhe duhen ndryshuar. Ne do të sugjeronim këto pyetje:

A mendoni se Kuvendi i Shqipërisë duhet të ketë 100 deputetë ?

A jeni për sistemin aktual zgjedhor..?

A mendoni se sistemi duhet të jetë proporcional i personalizuar me dy raunde e një fletë votimi me 70 deputetë në listën njëemërore dhe 30 në atë shumë emërore si në vitet 1992 e 2001 ?

A mendoni se në zgjedhjet vendore  Kryetarët e Bashkive duhet të zgjidhen me dy raunde, d.m.th. ai që mbështetet nga shumica e komunitetit ?

A jeni për përmirësim të ndarjes territoriale, duke i nxjerr më vete qytetet e mëdha dhe Tiranën si metropol, duke konsideruar më mirë bashkësitë si territor e traditë e duke reduktuar Qarqet në 8 ??

*

*    *

Disa shpjegime për këto pyetje, vërejtjet eventuale dhe ndonjë propozim lidhur me kryerjen e Sondazhit më të afërm

Shumica e shqiptarëve me vlerësimet e tyre treguan përbuzjen e mosbesimin ndaj sistemit autoritarist, jo njerëzor e të korruptuar që po sundon vendin dhe partitë dhe për  këtë kërkojnë ndryshime  të gjithanshme e së pari atë të sistemit zgjedhor që mundësoi deformimin galopant të shtetit, partive dhe jetës së shqiptarëve. Kjo kuptohet dhe në gjykimin për të vetë emëruarit Liderë që me oligarkët e tyre e një pakicë puthadorësh, që e quajnë veten “elita”, kanë uzurpuar jetën politike, ekonominë e vendit e po gllabërojnë djersën e gjakun e atyre që punojnë dhe po i detyrojnë shqiptarët të largohen. Kjo pseudoelitë që qeveris vendin gjykohet nga të intervistuarit si një klasë politike e papërshtatshme dhe e paaftë për të na drejtuar, tek e cila nuk besojnë se mund të ndryshoj sistemin.

Kuvendi i ka shumë 140 deputetë, sidomos si këta ufot e kristalinët e pas 2008-ës. Deri sa duhet ndryshuar mënyra e zgjedhjes së tyre është rasti për ta zvogëluar numrin  e tyre. Nuk besoj se ka dyshime për nevojën urgjente të ndryshimit të sistemit zgjedhor, shitblerjes e vjedhjes së  votave, e kjo duhet bërë menjëherë, aq më tepër që pikërisht këtë nuk e përmendin shkaktarët e fatkeqësisë tonë. Propozimi ynë në se përkrahet mundëson përzgjedhjen nga votuesit e atij që do ti përfaqësoj si në organet shtetërore por dhe në ato partiake (të cilët duhen kontrolluar imtësisht…po e përkthej në shqip nga anglishtja fjalën çudibërëse –wett) dhe njëherazi i jep partive aq sa ju jep populli votues.

Jashtë çdo diskutimi kthimi në normalitet i jetës politike e asaj ekonomiko-sociale  kërkon ndryshime të shumta e rrënjësore si kthimin në shtetin e së drejtës dhe luftën kundër krimin; dënimin e të korruptuarve, kthimin në ekonomi të tregut të lirë, pra  jo të oligarkëve dhe të offshore-ve, largimin nga politika të njerëzve të krimit dhe arrogantëve; spastrimin e administratës nga të paaftët, ndryshe, me   fotoshop e bojatisje fasadash do vazhdojmë të jemi aty ku jemi në mos edhe më keq.

Ndër këtë shkrim dëshirat që do dëshironim ti paraqisnim Zotit Noti janë: që duhet të na tregoj radhën me të cilën janë bërë pyetjet (ne mendojmë se  detyrimisht pyetjet politike duhet të bëhen në fund); gjithashtu theksojmë se në brendësi të shkrimit ka dhe sugjerime të tjera ndër të cilat dhe ajo me 19 aspekte që kërkohen të vlerësohen 3 më të rëndësishmet. Marrja në konsideratë e vërejtjeve dhe sugjerimet  do të përafroj e ilustroj më mirë si e perceptojnë shqiptarët realitetin dhe mundet ti kthej me këmbë në tokë Liderët.

Sidoqoftë, pavarësisht nga sondazhet, gjendja e Shqipërisë dhe shqiptarëve është e keqe dhe sondazhet na e ilustrojnë këtë dhe nuk ka nevojë të na e ëmbëlsojnë analistët e shfaqjeve televizive të përnatshme, të cilët për të respektuar veten nuk duhet t’i shohim. E ardhmja është në duart tona dhe mbarë bota me kundërshtimin e pabarazisë, korrupsionit dhe autoritarizmit  po na tregon se nuk duhet heshtur.

Ndryshe mbetet ta gjykojmë veten me vargjet e Walt Whitman:

PËR BINDJE, BESË E BESNIKËRI

RRI MËNJANË E VË RE DHE DIÇKA MË ÇUDIT THELLËSISHT

QË TURMA NJERËZ VENË PAS DISAVE TË CILËT NUK BESOJNË NË NJERËZ.

arbendemo@libero.it

Titulli i autorit Arben Demo: Post-Sondazhi IPR i 3 Prillit

(analizë e vërejtje)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne