Sondazhi rajonal: 84% e bizneseve në Shqipëri fshehin të ardhurat

Dy vjet nga nisja e luftës kundër informalitetit në ekonomi, shifrat janë tronditëse. Një sondazh rajonal tregon se në Shqipëri, 84 % e bizneseve i fshehin të ardhurat. Kryeministri Edi Rama përbetohej vjeshtën e vitit 2015 se askush nuk do ta ndalonte “procesin historik” që po niste. Shumë nga ekonomistët e kishin paralajmëruar se represioni ndaj biznesit, përfshirë një ligj të posaçëm për të burgosur ata që nuk jepnin kuponin tatimor – që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese më vonë – , do t’i detyronte bizneset të gjenin mënyra të tjera për të mos i deklaruar të adhurat, për të rritur fitimet e tyre apo për të mbijetuar.

Në fushatën e tij të shoqëruar me propagandë të madhe, kryeministri Rama jepte sqarime populiste, si ky i shtatorit 2015, shoqëruar edhe me një video.

“JA KUJT I SHËRBEN LUFTA KUNDËR INFORMALITETIT

Le ta shohë këtë video shumë të shkurtër kushdo që gabimisht e mendon operacionin kundër informalitetit një luftë me biznesin e vogël! E kundërta është e vërtetë, kjo është një luftë me hajdutërinë e kthyer në sistem nga politika e vjetër; me anarkinë e ushqyer njëzet e kusur vjet nga keqqeverisja që na pengoi të bëhemi shtet; me varfërinë e aspiratave të një pushteti që në tetë vitet para 23 qershorit 2013 e rrënoi besimin e njerëzve tek institucionet dhe e ktheu shtetin në një shërbëtor të familjes në pushtet. Kjo është një luftë që mbron konsumatorin dhe e bën qeverinë partnerin e vendosur të biznesit të ndershëm. Asgjë nuk e ndalon këtë proçes historik!”

Një muaj përpara takimeve propagandistike me tregtarë e qytetarë, kryeministri bënte këtë paralajmërim në një takim me drejtorët e Tatimeve të mbledhur në zyrën e tij, në temperaturat e larta të gushtit 2015.

“Ky operacion nuk ka në fokusin e vet më të vegjëlit por më të medhenjt. Paralajmërimi i hapur për të gjithë ju: Sepse dihet botërisht që informaliteti nuk është thjesht produkt i atyre që merren me biznes por dhe i administratës tatimore, për shkak të sjelljes e e veprimeve të paligjshme. Nuk është betejë kundër biznesit por për të mbrojtur konsumatorin e biznesin shqiptar. Do vëmë në dispozicion  adresa, numra komunimiki apo rrjete sociale ku të bëhen  publike çdo shfaqje të padenjë të administratës tatimore e doganore. Do marrim masa ndaj tatimorëve dhe do japin shpegimet  e duhura”.

Por sondazhi rajonal për praktikat e ekonomisë së fshehur në Maqedoni dhe Shqipëri zbulon se avazioni i ekonomisë shqiptare është në nivelet më të larta historike. Plot 84.3% e kompanive të anketuara kanë konfirmuar se tentojnë të fshehin të ardhurat vazhdimisht, në të shumtën e rasteve, ose qoftë edhe ndonjëherë. Për Maqedoninë të dhënat janë shumë më të ulta në krahasim me Shqipërinë. 54.4% e bizneseve konfirmojnë se përdorin vazhdimisht ose në mënyrë sporadike praktikat e ekonomisë së fshehur.

Sondazhi është kryer nga Qendra për Kërkime dhe Politikëbërje (CRPM) në Maqedoni dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në Shqipëri. Metdologjia e përdorur është identike në të dy rastet. Periudhat janë të ndryshme. Në Maqedoni sondazhi u krye në fund të vitit 2016 dhe në Shqipëri në mes të pranverës 2017 (prill).

Në raport theksohet fakti se fshehja e xhiros me qëllim për të shmangur taksat është në nivele domethënëse në Shqipëri.

Në një sondazh të mëparshëm rajonal, 52 % e shqiptarëve deklaruan se nuk merrnin kuponin tatimor, përkundër 17 % në Maqedoni dhe 29 % në Kosovë.

Revista Monitor, nga ku lapsi.al mori të dhënat për sondazhin, publikoi edhe metodat që përdorin bizneset për të shmangur taksat ose për t’i manipuluar ato.

Metodat më të zakonshme:

  1. Të punësosh një person pa kontratë ose me kontratë me klauzola të fshehura;
  2. Raportimi i të ardhurave më të ulëta;
  3. Mos-pagimi i detyrimeve, taksave dhe akcizës;
  4. Dhënia dhe marrja e ryshfetit
  5. Mos lëshimi i faturave
  6. Këmbëngulja në pagesat cash
  7. Kryerja e prokurimeve pa tender
  8. Ekzekutimi i marrëveshjeve të caktuara
  9. Flukset dalëse ose hyrëse ilegale të aseteve
  10. Manipulimi me pagesën e TVSH-së
  11. Përdorimi i trukeve të kontabilitetit në mënyrë që të paguhen më pak taksa

Një tjetër metodë është manipulimi me TVSH -në, thuhet në raport. 60 % e bizneseve në Shqipëri konfirmuan se manipulimi me TVSH-në përdoret vazhdimisht, në pjesën më të madhe të rasteve, ose ndonjëherë, kundrejt 31 % që e konfirmuan këtë metodë në Maqedoni.

Të dhënat e këtij sondazhi janë treguesi më i mirë se ku përfundoi një tjetër “betejë” e madhe e qeverisë Rama, ashtu si ajo për lojërat e fatit, ku kazinotë po lulëzojnë në katet e para të pallateve dhe ku ligji që do t’i ndalonte u shty nga mazhoranca e drejtuar nga Edi Rama deri në vitin 2019. /Lapsi.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne