Sovraniteti i Rusisë si faktor i zhvillimit dinamik 

Rusia është një vend unik me një histori mijëra vjeçare, me një trashëgimi të pasur kulturore dhe shpirtërore, me tradita dhe vlera patriotike. Çdo vit, që prej vitit 1990, më datë 12 qershor kremtohet festa shtetërore – Dita e Rusisë. Lindja e kësaj feste lidhet me miratimin nga Kongresi i Deputetëve të Popullit të RSFSR të Deklaratës për Sovranitetin Shtetëror (12.06.1990). Pikërisht kjo datë u bë pikënisja e historisë moderne të shtetit, i cili po zhvillohet mbi bazën e parimeve të demokracisë, të së drejtës civile dhe federalizmit.

Kuptohet, Shteti Rus lindi shumë më herët, ai është më shumë se 1000 vjet. Në kronikat e lashta janë ruajtur të dhëna, sipas të cilave në vitin 862 banorët e Novgorodit i kërkuan knjazit Rurik të sundonte mbi Novgorodin dhe tё gjitha rajonet veriore. Kjo datë së bashku me vitin e Pagëzimit të Rusisë (988) janë data të rëndësishme në historinë e Rusisë së Lashtë.

Gjatë historisë së saj shumëshekullore Rusisë i ёshtё dashur me qindra herë të mbrojë sovranitetin e vet, të luftojë kundër sfidave dhe kërcënimeve që janë shfaqur nga anët e ndryshme, të cilat herë herë e kanë çuar vendin tonë në prag të katastrofës. Kështu, në mesin e shekullit XII, për shkak të numrit të madh të knjazëve feudalë, çdonjëri prej të cilëve synonte sundimin e vetëm të vendit, Rusia e Lashtë u copëtua në principata të vogla feudale. Historianët shpesh e quajnë këtë periudhë të zhvillimit të shtetit rus periudha e copëtimit feudal, e cila zgjati deri në mesin e shekullit XVI. Fqinjët kërcënues, duke parë dobësinë dhe mosmarrёveshjet e sundimtarëve rusë u përpoqën të rrëmbenin territore ruse. Duke kuptuar nevojën për një qeverisje të centralizuar të tokave ruse, Ivani i IV (i Tmerrshëm) në vitin 1547 shpalli zyrtarisht zotërimet e tij mbretëri dhe veten mbret, të cilit i përkisnin të gjitha tokat ruse. Ky hap kontribuoi në stabilizimin e situatës. Më tej, falë qeverisjes autokratike, vendi mundi të rifitonte zotërimet e humbura autoktone ruse, si edhe t’i zgjerojë ato duke bashkuar territore të reja.

Në fund të shekullit XVI – fillim i shekullit XVII në Rusi filloi e ashtuquajtura Periudha e Zymtë (Smuta) – një periudhë, e cila u karakterizua nga dobësimi i pushtetit qendror, nga sundimi i mashtruesve, nga ndërhyrjet polake dhe suedeze, nga lufta e çifligarëve për pushtet, gjё qё çoi në shkatёrrimin e vendit. Një rol vendimtar në kapërcimin e Kohës së Zymtë  dhe restaurimin  e shtetit rus luajtën atëherë trupat vullnetare popullore nën drejtimin e Kuzma Minin dhe knjazit Dmitrii Pozharsky, të cilët çliruan Moskën në vitin 1612 nga pushtuesit e huaj. Heroizmi i trupave vullnetare u gdhend përjetë në kujtesën historike si një shembull i patriotizmit, trimërisë ushtarake dhe përgjegjësisë qytetare për fatin e Rusisë.

Në historinë e Rusisë ka patur shumë pika të tjera kthese të tilla, si Lufta Atdhetare e vitit 1812, e cila përfundoi me çlirimin e vendit dhe Evropës nga ushtria e Napoleonit, revolucionet e shkurtit dhe tetorit të vitit 1917, Lufta Civile e viteve 1917-1922 pas ardhjes në pushtet të partisë së bolshevikëve me në krye V.I.Leninin dhe zmbrapsja e ndërhyrjes së huaj ushtarake të vendeve të Antantës (Britania e Madhe, Franca), lufta kundër pushtuesve nazistë në vitet e Luftës së Madhe Patriotike të 1941-1945 etj. Megjithatë, sa herë që Rusia ndodhej në rrezik të madh, populli rus gjente forca në ndërgjegjen kombëtare, përvojën historike, traditat shekullore të kulturës kombëtare dhe vlerat e qëndrueshme. Shtylla e Rusisë mbetej gjthmonë sovraniteti i saj – e drejta për të përcaktuar fatin e saj në mënyrë të pavarur, të lirë dhe me vetëdije.

Sot, si ka ndodhur jo një herë në histori, sërish po vendoset fati i Rusisë, vendi dhe roli i saj në botën policentrike që po formohet. Perëndimi në thelb po zhvillon një luftë kundër Rusisë. Si mjet të tij, ai po përdor Ukrainën, duke e armatosur atë në çdo mënyrë kinse për t’u mbrojtur nga “agresioni i paprovokuar” nga ana e Rusisë. Kjo nuk është e vërtetë. Rusia sot po lufton për të drejtën e rusëve për të folur në gjuhën e tyre, për të shkuar në Kishën Ruse, për të jetuar në një vend të sigurtë dhe pa frikë për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Rusia nuk mund të mbyllte sytë para shkeljes barbare të të drejtave të rusëve dhe rusishtfolësve që u gjendën jashtë territorit autokton rus pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, gjuhën, kulturën, traditat dhe zakonet e të cilëve regjimi i Kievit është përpjekur t’i shkatërrojë me forcë.

Nën vrullin rusofob, Perëndimi po ndërmerr përpjekje titanike për izolimin e Rusisë, për demonizimin e udhëheqjes së saj, po bën gjithçka për “anulimin” e kulturës, shkencës dhe sportit rus. Nën pretekste të ndryshme të trilluara, ndaj Rusisë u vendosën sanksione të shumta, të cilat presupozohej të “rrënonin” ekonominë ruse, ta bënin atë “copë e çikë”, si deklaronin Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, të gjitha këto përpjekje nuk u kurorëzuan me sukses. Pavarësisht presionit të paprecedentë, ekonomia ruse mbijetoi dhe filloi të rindërtohej në mënyrë aktive. Pozicionet e braktisura nga kompanitë evropiane dhe amerikane në tregun rus tani janë zënë në mënyrë aktive nga konkurrentët e tyre nga vendet e Azisë Juglindore, Amerika Latine, Afrika dhe vendet e CIS. Rusia ashtu si mё parё ka shumë miq, përfshirë edhe në Perëndim, të cilët ndajnë vlera tradicionale për shumicën e njerëzve normalë. Shumë vende të Jugut global dhe Lindjes globale, që përfaqësojnë shumicën e botës, e shohin Rusinë si një partner të besueshëm dhe të ndershëm dhe duan të punojnë me të.

Sot Rusia nuk është vetëm vendi me territorin më të madh në botë me një popullsi prej 150 milionë banorësh dhe pasuri të mëdha natyrore, ajo është edhe një fuqi me teknologji të lartë që ndërton makineri industriale, automobila dhe robotë-korrierë, avionë dhe raketa kozmike, anije dhe nëndetëse, zbulon mënyra të reja për kurimin e sëmundjeve, krijon preparate mjekësore të gjeneratës së fundit dhe zhvillon industrinë globale të IT.

Forca e Rusisë në të kaluarën dhe të tashmen qëndron në unitetin e saj, harmoninë ndërfetare, ndëretnike dhe qytetare, në punën e ndershme, krijuese dhe vetëflijuese, në vazhdimësinë e brezave, në dëshirën për të qenë patriot i Atdheut jo me fjalë, por me vepra. Ky është një themel i fortë që do të lejojë Rusinë të përparojë dhe të zhvillohet edhe për shumë mijëvjeçarë të tjerë.

Ambasada e Rusisё nё Tiranё

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne