SPAK-U SI PROKURORIA SPECIALE DHE GJYKATA SPECIALE E REGJMIT KOMUNIST

nga Xhafer Sadiku

HISTORI QE PERSERITET
SPAK-U SI PROKURORIA SPECIALE DHE GJYKATA SPECIALE E REGJMIT KOMUNIST

SPAK-u nuk është asgjë tjetër veçse Gjykata dhe Prokuroria Speciale krijuar me vendimin nr. 2, datë 26 janar 1945 të Qeverisë Komuniste të Enver Hoxhës. Ndryshojne vetem emrat.
Kryetar i saj u emërua Gjeneral – Lejtnant Koçi Xoxe dhe antarë: kolonel Hysni Kapo, nënkolonel Beqir Balluku, kapiten I Hajdar Aranitasi, partizan Gaqo Boboshtica, Dr. Medar Shtylla, ministër i Ekonomisë; Faik Shehu, antar i Këshillit Nacional-çlirimtar; Halim Budo, gjykatës, sekretar i përgjithshëm i ministrisë së Drejtësisë; Gaqo Floqi, gjykatës, Më 10 mars 1945 u emëruan si ndihmës gjyqtarë të Gjyqit Special edhe Bilbil Klosi, major Gjon Banushi dhe major Haki Toska.
Prokuror ishte Bedri Spahiu, gjeneral-major.

Qëllimi i krijimit të Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale ishte të dënonte administratën e vjetër për të konsoliduar pushtetin e komunistëve që sapo e kishin marrë me grykën e pushkës.
Gjyqi Special dënoi me vdekje: Fejzi Alizotin, Terenc Tocin, Aqif Përmetin, Gustav Mirdashin, Konstandin Koten, Hilmi Lekën, Reshit Merlikën, Beqir Valterin, Javer Hurshitin, Dik Camin, Ismail Golemin, Zef Kadaren, Tahsim Bishqemin, Shyqyri Borshin, Daut Çarçanin, Kol Tromarën dhe Bahri Omarin.
Me burgim të përjetshëm u dënuan: Koço Tasi, Koço Kotta, Xhavit Leskoviku. Ibrahim Biçaku, Dr. Xhevat Korça, Rifat Begolli, Bajram Pustina, Shuk Gurakuqi dhe Qemal Vrioni.
Me nga 30 vjet burg: Mihal Zallari, Lazër Radi, Tefik Mborja dhe Akile Tasi.
Me burgime më të lehta u dënuan disa të tjerë.

Siç shihet nga lista në fjalë, shumë prej të dënuarëve ishin intelektualë të shquar dhe atdhetarë të vërtetë që për armë kishin penën. Edhe pse shumica e tyre kishin vite që shërbenin në administratën shtetërore, pasuria e tyre ishte fare e vogël. Asnjë abuzim nuk kishin bërë me pushtetin që kishin patur. Të prekin në zemër fjalët e intelektualit Kostandin Kote përpara togës së pushkatimit: “Këtë shami jepjani nënës sime të fshijë lotët”.

Në proceset gjyqësore kundër tyre regjimi urdhëroi të mos pranoheshin dëshmitarë dhe dëshmitë që do të provonin pafajësinë e tyre. “…Dëshmitë e lëshuara nga persona të ndryshëm për sjelljet e mira të tradhtarëve që ndodhen të rreshtuar, jo vetëm që nuk merren parasysh”, – theksonte ministri i Drejtësisë, – “por mënyrave të vjetra dhe për hir të drejtësisë të merren masa kundër çdo personi, që në të ardhmen do të japë firmën e tij”.

Megjithatë pati mjaft trima që dëshmuan në favor të tyre, por të cilat nuk u morën parasysh. Dëshmitarët e akuzës duhet t’i jepnin dëshmitë e tyre në ministrinë e Drejtësisë, e cila pasi i manipulonte, plotësonte dosjen gjyqësore të “kriminelëve të luftës” dhe ia kalonin gjykatës. Qëllimin e vërtetë të dënimit të tyre si “kriminelë lufte“ e bënte të qartë komunikata e ministrit të drejtësisë ku thuhej: ”…Me ndihmën e shtresave të gjëra të popullit, çdo vendim do të jetë një provë e gjallë e çkëputjes me regjimet e kaluara”.

Interesant ishte fakti se gjyqet u zhvilluan kur në Shqipëri ishin misionet anglo-amerikane, të cilat nuk bënë asnjë protestë apo ndërhyrje për të shpëtuar të pafajshmit.

Njëlloj si atëherë edhe sot, janë ambasadat e perëndimit që po krijojnë SPAK-un, për të dënuar administratën e para disa viteve. Të shohim se kush do të jenë “Koçi Xoxet e Bedri Spahinjtë” e rinj që kanë pranuar të jenë hanxharë të jenë hanxharë të mafies neo-komuniste të “enver hoxhës” së ri. Po kështu mbetet të presim kush do të jenë viktimat e para të gjyqeve speciale.

Njëlloj si 75 vjet më parë, ambasadat e perëndimit po mbështesin regjimin mafioz që po sundon vendin. Mbetet të shihet se a do të gabojnë edhe njëherë atdhetarët shqiptarë që të mbështesin shpresat për liri tek “aleatët”, apo do të luftojnë për lirinë e atdheut të tyre.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne