Bota

Stërvitjet e marinës amerikane ngrejnë tensione në Detin e Kinës Jugore

Stërvitjet e marinës amerikane në Detin e Kinës Jugore të dielën kanë shkaktuar rishfaqjen e tensioneve mes SHBA-ve dhe Kinës, raporton Anadolu Agency (AA).

Përkundër paralajmërimeve nga autoritetet kineze, marina amerikane lundroi me anijen luftarake USS Preble pranë një bregdeti të diskutueshëm që është nën kontrollin kinez.

Kjo lëvizje shkaktoi reagim të ashpër nga Kina e cila “fuqishëm i bëri thirrje” SHBA-ve që të përmbahen nga “veprimeve të tilla provokative”.

Raportime të ndryshme thanë se SHBA-të lundruan me anijen e tipit Arleigh Burke të pajisur me raketa Tomahawk pranë Scarborough Shoal, veprim i cili u pa si “sfidues” ndaj pretendimeve kineze për këtë zonë.

Washingtoni zyrtar thotë se stërvitja në Detin e Kinës Jugore po realizohet në “lirinë e lundrimit” dhe ka refuzuar kërkesat e Pekinit zyrtar.

“Preble lundroi 12 milje detare nga Scarborough Reef në mënyrë që të sfidojë pretendimet e tepruara detare dhe të ruajë qasjen në ujërat e udhëhequra nën ligjin ndërkombëtar”, tha komandanti Clay Doss, zëdhënës i Flotës së Shtatë të SHBA-ve.

Kina pretendon sovranitet mbi gjithë Detin e Kinës Jugore, që është një nga pikat më të rëndësishme në Azi.

E shtrirë në sipërfaqe prej mbi 3,5 milionë kilometra katrorë, deti është një nga rrugët më të ngarkuara detare në botë dhe ka rezerva të mëdha të gazit dhe naftës.

Në një kontest që zgjat me dekada, Filipinet, Malajzia, Brunei dhe Tajvani sfidojnë pretendimet e Kinës për pjesë të ndryshme të detit.

SHBA-të thanë se Kina po ndërton instalime ushtarake në ishuj artificial dhe shkëmbinjtë nënujorë në Detin e Kinës Jugore, për të cilat autoritetet kineze thonë se janë në domosdoshme për “vetëmbrojtje”.

Kina ka akuzuar SHBA-të për “nxitjen e tensioneve” duke dërguar anije ushtarake dhe avionë luftarakë në afërsi të ishujve të pretenduara nga Kina./ AA

OPINIONE