Stoltenberg: NATO duhet ta mbështesë më shumë Turqinë

Stoltenberg iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në selinë e NATO-s në Bruksel përpara vizitës zyrtare që do të kryejë më 16 prill në Turqi.

Sipas tij, qëllimi kryesor i kësaj vizite në Turqi është përgatitja për Samitin e Brukselit, që do të mbahet në korrik në Bruksel.

“Po e pres me padurim vizitën time në Ankara, për shumë arsye, sepse Turqia është një aleat shumë i vlefshëm dhe me një rol kyç. Ajo gjithashtu është një aleate shumë e rëndësishme për sa i përket pozicionit të saj strategjik. Këshillimet me liderët turq kanë një rëndësi të madhe për përgatitjet e samitit (të korrikut), ku ne do të trajtojmë shumë çështje të rëndësishme, siç është ajo e adaptimit të NATO-s në të ardhmen në situata sigurie edhe më të vështira”, sqaroi Stoltenberg.

“NATO ka një prani serioze në Turqi, por unë u bëj thirrje të gjithë aleatëve për ta mbështetur atë, për të ofruar më shumë mbështetje ndaj Turqisë”,- tha Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Në lidhje me luftën kundër terrorizmit dhe kontributin e Aleancës për Turqinë, Stoltenberg tha se NATO solidarizohet me Turqinë dhe se ajo është e rëndësishme për NATO-n, por edhe NATO është e rëndësishme për Turqinë. Ai shtoi se Aleanca ka parimin “Të gjithë për një, një për të gjithë.”

“Ne ofrojmë mbështetje për Turqinë, jemi të pranishëm me disa masat tona të sigurisë. Kemi vendosur bateritë me raketa në këtë vend për të mbrojtur hapësirën ajrore të Turqisë. Italia dhe Spanja kanë të pranishme bateritë Patriot dhe SAMP-T, në të njëjtën kohë edhe avionët (AWACS) për paralajmërim të hershëm dhe vëzhgues kryejnë fluturime vëzhguese në hapësirën ajrore të Turqisë. Në anën tjetër kemi rritur praninë e forcave detare në Mesdheun Lindor. Gjithashtu ofrojmë mbështetje edhe me elementët e tjerë si në infrastrukturë dhe me komandën tokësore të NATO-s (LANDCOM) të vendosur në qytetin Izmir”, theksoi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

Ndër të tjera Stoltenberg ka nënvizuar se NATO është duke i dhënë mbështetje politike Turqisë, për shkak se asnjë vend i Aleancës nuk ka qenë i ekspozuar ndaj sulmeve terroriste aq shumë sa Turqia. “Ajo ka përjetuar edhe një përpjekje të dështuar të grushtit të shtetit në vitin 2016. NATO e ka dënuar menjëherë tentativën e grushtit të shtetit që ka pasur si qëllim institucionet demokratike në Turqi”, tha Stoltenberg.

Ndërsa në lidhje me kontributet e Turqisë në NATO, Stoltenberg shprehu falënderimet për kontributet që ka dhënë në misionet dhe operacionet e ndryshme paqësore të NATO-s në Afganistan dhe në Kosovë. Ai ka shtuar se Turqia ka luajtur një rol të rëndësishëm me infrastrukturën që ka siguruar në zonat përreth kufirit me Sirinë dhe Irakun dhe se Turqia gjithashtu ka ofruar kontribut dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në përpjekjet e aleatëve të NATO-s dhe koalicionit ndërkombëtar kundër DAESH-it.

Ndër të tjera Stoltenberg është shprehur se e mirëpresin qëndrimin transparent që Turqia ka paraqitur në operacionin “Dega e Ullirit”, ku ajo shumë herë e ka informuar NATO-n për përmasat ushtarake të operacionit dhe për çështjen e ndihmave.

Për operacionin e përbashkët të ndërmarrë nga ShBA, Franca dhe Britania në Siri, Stoltenberg ka theksuar se ky ishte një operacion për të cilën ishin të informuar aleatët e NATO-s, të cilët kanë dhënë një mbështetje të plotë. Ai tha se NATO i dënon fuqimisht sulmet, ku regjimi në Siri shumë herë ka përdorur armë kimike.

Në lidhje me pyetjen rreth tensioneve mes Turqisë dhe Greqisë në Detin Egje, Stoltenberg ka theksuar se Turqia dhe Greqia janë dy anëtarë shumë me vlerë të NATO-s që prej anëtarësimit të tyre në vitin 1952, të cilat që të dyja ofrojnë kontribute të rëndësishme për sigurinë e përbashkët.

“Mendoj se ato duhet t’i zgjidhin në kuadër të mirëkuptimit disa mosmarrëveshje mes tyre. Jam i kënaqur që mësova se kryeministrat e të dy vendeve në bisedat e tyre telefonike kohët e fundit janë dakorduar që problemet të zgjidhen nëpërmjet dialogut. Kjo nuk është një çështje që i intereson NATO-s. Kjo është një çështje, e cila duhet të zgjidhet mes Turqisë dhe Greqisë”, ka theksuar Stoltenberg.

Për anëtarësimet e reja, Stoltenberg është përgjigjur se NATO i ka dyert e hapura për të gjithë dhe prova më e mirë e kësaj është anëtarësimi i Malit të Zi, duke shtuar se po vazhdojnë punimet edhe për Maqedoninë, Bosnjë- Hercegovinën dhe Gjeorgjinë. “Ne po ndihmojmë gjithashtu duke u ofruar mbështetje për këto tre vende që kërkojnë anëtarësim në mënyrë që ato t’ia arrijnë qëllimeve të tyre euro-atlantike. Është shumë herët për të shpjeguar një vendim të qartë”, theksoi ai.

Sekretari Stoltenberg sot do të takohet me Presidentin, Recep Tayyip Erdogan, ministrin e Jashtëm Mevlut Çavusoglu, ministrin e Mbrojtjes Kombëtare Nurettin Canikli dhe shefin e Shtatmadhorisë së Ushtrisë Turke, gjeneralarmate Hulusi Akar.

Në kuadër të kontakteve të tij Stoltenberg do të bisedojë në lidhje me marrëdhëniet Turqi-NATO, operacionin “Dega e Ullirit”, të ndërmarrë nga Forcat e Armatosura të Turqisë në zonën Afrin të Sirisë, luftën kundër terrorit, samitin e NATO-s në Bruksel dhe për çështjet rajonale.

Gjatë kësaj vizite do të bisedohet edhe në lidhje me operacionet ajrore të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglisë dhe Francës ndaj objektivave të regjimit të Esadit në Siri./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne