Strasburg – Rusia rifiton të drejtën e votës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës në Strasburg të Francës votoi gjatë natës një dokument që i mundëson Rusisë kthimin në Këshill, duke i dhënë fund kështu krizës në marrëdhëniet me Moskën, e cila shpërtheu pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014.

Pas 4 orëve të debatit të ashpër dhe gati 5 orëve të votimit mbi vendimin në fjalë, 62 parlamentarë votuan kundër, 10 abstenuan dhe 118 votuan në favor të rikthimit të Rusisë.

Këshilli i Evropës është organi kryesor i të drejtave të njeriut në kontinentin e vjetër.

Në vitin 2014, Rusisë iu hoq e drejta e votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, si ndëshkim për aneksimin e gadishullit ukrainas të Krimesë.

Rusia u përgjigj në vitin 2016 me bojkotimin e Asamblesë Parlamentare, ndërsa nga viti 2017 refuzoi edhe të paguajë kontributin e saj vjetor prej 33 milionë eurosh në Këshill.

Moska kërcënoi gjithashtu se do ta linte tërësisht Këshillin e Evropës nëse delegacioni i saj nuk kthehej për të votuar këtë javë për sekretarin e ri të përgjithshëm të organizatës./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne