Bota

Takimi tresh Anastasiadis-Netanjahu-Cipras

Nën patronazhin e liderit grekoqipriot, Nikos Anastasiadis në Lefkosha (Nikosi) u mbajt një takim trepalësh i bashkëpunimit të nivelit të lartë midis kryeministrit grek Aleksis Cipras dhe kryeministrit izraelit Beniamin Netanjahu.

Pas samitit në Pallatin e Presidencës grekoqipriote, të tre liderët mbajtën një konferencë të përbashkët shtypi.

Kreu grekoqipriot Anastasiadis tha se të tri vendet kanë një vizion të përbashkët për paqen dhe sigurinë.

Duke vënë në dukje se takimi tresh ka një vlerë shumë të rëndësishme gjeopolitike, Anastasiadis tha se bashkëpunimi mes tri vendeve do të vazhdojë të rritet.

Lideri grekoqipriot tha se i kishte informuar Ciprasin dhe Netanjahun mbi zhvillimet më të fundit në çështjen qipriote, ndërsa shtoi se pala greke e Qipros është gati të fillojë bisedimet me turqit qipriotë.

Duke folur për rëndësinë e bashkëpunimit midis tri vendeve në Projektin e Gazsjellësit të Mesdheut Lindor (East Med) lideri grekoqipriot e cilësoi atë si një projekt me rëndësi jetike për mirëqenien e të dy vendeve dhe rajonit.

Edhe Kryeministri i Greqisë, Cipras theksoi gjithashtu se projekti “East Med” është shumë i rëndësishëm si në aspektin e energjisë, ashtu edhe atë të gjeopolitikës, ndërsa njoftoi se marrëveshja për këtë çështje do të nënshkruhet brenda këtij viti.

Çështja qipriote ka nevojë për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme,- cilësoi Cipras dhe shprehu shpresën e tij që iniciativa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) të ishte baza për zgjidhjen e çështjes palestineze.

Ai tha se kryeministri izraelit Netanjahu i kishte përcjellë atij shqetësimet rreth provave balistike të Iranit, duke shtuar se anulimi i marrëveshjes bërthamore të arritur më parë me Teheranin zyrtar mund të sillte destabilizimin e rajonit.

Kryeministri i Izraelit, Beniamin Netanjahu i bëri thirrje Greqisë dhe administratës grekoqipriote të mbështesin vendin e tij kundër kërcënimeve të Iranit.

Netanjahu pretendoi se Irani do të ndërtonte infrastrukturë për nëndetëse bërthamore nëse do të siguronte një dalje në Mesdhe./ trt