Takoi Berishën, Meta : Opozita duhet të ngrihet në lartësinë e momentit, të kemi një program të bashkërenduar

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka folur pas takimit me ish-kryeministrin Sali Berisha në selinë e PD.

Meta ka zbardhur një pjesë të diskutimeve me aleatin e tij, duke nisur nga situata ekonomike, sociale me largimin e shqiptarëve, tek aksioni opozitar.

“…Kur problemet ekonomike sociale rëndohen dhe vazhdon të shprehet dhe në fenomenin e largimit dhe të shpopullimit. Është detyra e opozitës të shfrytëzojë energjitë e saj dhe të shoqërisë në rivendosjen e shtetit të së drejtës, të demokracisë dhe llogaridhënies”, tha Meta.

I pyetur nëse do marrë pjesë në fushatë në Kukës, ai tha se “ne jemi kudo ku kërkohet angazhimi dhe kontributi ynë” dhe se dega e PL në Kukës ka qenë dhe mbetet shumë aktive.

Sa i përket një takimi të deputetëve të PL me të PD, ai tha se ata janë në vijën e parë të ballafaqimit.

“Deputetët tanë janë në vijën e parë të ballafaqimit. Nuk është aspak e rëndësishme, janë çdo ditë në vijën e parë të ballafaqimit me këtë qeveri”, u shpreh Meta.

Kreu i PL nuk e përjashtoi mundësinë e protestave kundër qeverisë së Edi Ramës.

“Pa asnjë diskutim që do të ketë dhe data të tilla, por kjo nuk është çështja më e rëndësishme. Por e rëndësishme është që të kemi një program gjithnjë e më të bashkërenduar dhe më përfshirës në këtë drejtim. Opozita besoj se duhet të ngrihet në lartësinë e momentit për t’i dhënë përgjigje gjithë këtyre sfidave të cilat kanë sjellë një situatë kaq të rënduar për shkak të kësaj keqqeverisjeje e cila ecën me ritme galoponte drejt çuarjes së vendit në një kolaps të plotë”, tha Meta.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne