Islamofobi Shqiperia

Taulant Muka, një shkencëtar apo një delirant?

Afro një vit më parë, në jetën mediatike dhe publike shqiptare do shfaqej një i ri që për zell kishte denoncimin e rasteve të plagjiaturave ndër emra të njohur publikë, ku viktimë e tij do binte nr.2 i Arsimit, Ervin Demo, i cili dha dorëheqje. Ky ishte Taulant Muka, që, për shkak të një përvoje të shkëlqyer shkollore referuar rezultateve, kish arritur nivelet e të qënit shkencëtar, siç nisi edhe të vetëpërkufiuzohej i tillë, nga fakti se punonte në një institucion kërkimi në shkencat mjekësore diku në Perëndim. Puna arriti gjer atje sa Rama e emëroi zv/ministër Arsimi, por bash pas këtij zhvillimi, pasi nuk e shtyu dot misionin e reformimit të arsimit, ashtu siç pretendonte, ai nisi të shfaqej në anën tjetër të medaljes, si një delirant, ku zelli për zbulimin e plagjiaturave i ngjante zellit të atij personazhit të Shvejku, i cili mbante gjithnjë shishe me vete duke i kërkuar çdokujt urinën për analiza, pasi vetëkonsiderohej mjeshtër në këtë lëmë.

Pas një heshtjeje të gjatë, si për ta na vërtetuar se më shumë se shkencëtar është një delirant, i vetëndjerë si referencë në mendimin publik shqiptar, ai vendos të shprehet edhe në lidhje me çështjet e besimit, ku dhe në pikë mendon se është kompetent.

“E perseris, nuk jam kunder fese! Jam rritur ne nje zone bektashie, si Skrapari, edhe pse sot jam ateist sepse kam zgjedhur te besoj te shkenca!”, e nis një status Muka, ku “e përsëris”, shfaqet te ai si një bindje personale që duhet konvertuar, me urdhër të tij, dhe në bindje kolektive.

Më pas faktin se qenka lindur në një zonë bektashiane, në Skrapar, e përkthen si rritje në zonë fetare. Në fakt, nuk ka zonë në Shqipëri që të mos njihet për një tradite fetare, e zonë ateiste nuk ka. Por kur është fjala për Skraparin – e këtu mund të prishet pak rregulli – është rakia si shenjë më e fortë identitare. Dhe më pas shpall: “Jam ateist sepse kam zgjedhur te besoj te shkenca!”, duke përcjellë kështu, ndër nonsenset më të denoncuara, nga shkenca e feja bashkë, për dikotomi kundërshtuese mes tyre.

Por le të mbetemi te shkenca e Mukës. Siç duhet, shkenca, në një përkufizim klasik, operon me provën e dukshme, të qartë, me ekzakten.

“Jam kunder perhapjes kaq te shpejte te besimeve te caktuara fetare ne nje terren kur arsimi eshte shkaterruar dhe po degradon me tej!”, shprehet Muka. Po ç’lidhje kanë këto me njëra-tjetrën? Zero analizë!

“Ka shume organizata fetare ne vend qe duke shfrytezuar varferine dhe nivelin e ulet arsimor, rekrutojne ‘besimtare; ne kembim te parave apo formave te tjera te ndihmes ekonomike. Ka disa vite qe ndodhe, Pse nuk flet njeri?”, shkruan shkencëtari Muka. Po cilat janë këto organizata, si quhen, sa janë që ato që shfrytëzojnë varfërinë, ç’prova nga terreni na sjell shkenca zbulueze e Mukës? Zero!

“Ne kete rast, nuk po flasim per koncepte fetare, dhe ‘besimi’ nuk eshte zgjedhje e bazuar ne vullnet te lire te individit, dhe ne besimin tim fshihen interesa te erreta te vendeve te tjera, qofte Turqia apo Greqia”, vijon më tej Muka, shkencëtari ynë, ku do mjaftonte vetëm fundi i një fraze kryekreje prej toçi në lëmën e besimit, ajo ku e rendit Turqinë ndër vendet që kanë interesa të fshehta ndaj Shqipërisë (pasi Greqia dihet që po, për shkak të Vorio Epirit). Pyetje për Mukën: Cilat janë ato interesa dhe çfarë synojnë konkretisht? Me cilën metodë shkencore e zbulove dhe ç’të tha ky zbulim?

Kush e ka mik të afërt ta këshillojë që të përpiqet të mbetet shkencëtar – nëse është vërtet i tillë, e mos përfundojë si delirant në jetën publike, duke dhënë prova dramatike për këtë të fundit si sëmundje, që virusin e merr zakonisht nga rrjetet sociale. /tesheshi

OPINIONE