Të pathënat e sulmit amerikan në Al Sheirat

Më 7 Prill 2017, ushtria amerikane sulmoi me 59 raketa bazën ushtarake Al Sheirat në provincën Homs të Sirisë.

Sulmi kimik në rajonin Khan Sheikhun në provincën Idlib shërbeu si pretekst për këtë sulm amerikan kundër Sirisë. Ka kaluar më shumë se një muaj nga sulmi në bazën ajrore Al Sheirat, por deri tani SHBA nuk kanë paraqitur asnjë fakt apo dëshmi që të vërtetojë rolin r qeverisë së Sirisë në sulmin kimik në Khan Sheikhun. Jo vetëm kaq, por Uashingtoni po pengon kryerjen e hetimeve të pavarura ndërkombëtare për gjetjen e përgjegjësve të vërtetë të këtij sulmi kimik ku u vranë dhjetëra civilë sirianë. Eksperti i njohur amerikan në çështjet e armëve kimike, Theodor Postel, në një artikull të publikuar në gazetën “Counter Bunch”, shkruan: “ Është e pamundur që bomba kimike e përdorur në sulmin në Khan Sheikhun të jetë hedhur nga ajri, por ajo është shpërthyer në tokë nga një grup”. Presidenti sirian, Bashar Asad i ka hedhur poshtë raportet dhe akuzat se ishin forcat e tij që kanë kryer sulmin me armë kimike në Siri, duke i quajtur ato si “100 për qind të fabrikuara”. Asad tha për “AFP”-në se qeveria siriane ka dorëzuar arsenalin e saj kimik në vitin 2013, duke shtuar se “edhe nëse do t’i kishin ende ato, nuk do t’i përdornin kurrë”. Asad akuzoi Perëndimin se po krijon shfaqje në Khan Sheikhun, në mënyrë që të gjente justifikime për sulmet me raketa ndaj bazës ajrore të Shayratit, që ndodhi vetëm pak ditë pas sulmit kimik. “Pamë fazën e parë, një lojë të mbajtur në rrjetet sociale dhe televizione, të shoqëruar më pas nga propaganda, e në fazën e dytë pamë edhe sulmin ushtarak”, tha ai. Sipas Asadit, Khan Sheikhun, në veriperëndim të Idlibit, nuk ka ndonjë vlerë strategjike dhe nuk është pjesë e frontit të betejës.

Kjo nuk është hera e parë që një krim fals e i sajuar përdoret si pretekst për agresion ushtarak. Amerika, në vitin 1990, në kuadër të operacionit Stuhia e Shkretëtirës përdori metoda të ndryshme për ta bindur opinionin publik se Iraku duhej sulmuar. Lëvizja më efikase propagandistike ishte dëshmia e një vajze 15 vjeçare kuvajtiane, e cila për të mbetur anonime, u bë e njohur me emrin Neireh. Ajo u paraqit në media si një dëshmitare okulare dhe pretendoi se ushtarët irakianë i nxjerrin nga inkubatori foshnjat e sapolindura dhe i lënë ato në dysheme të ftohtë derisa të vdesin nga i ftohti ose nga uria. Mediat e mëdha ndërkombëtare vazhdimisht publikonin deklaratat e kësaj vajze kuvajtiane shumëngjashëm me transmetimin e pamjeve të fëmijëve në Khan Sheikhun. Më vonë u bë e qartë se Neireh ishte vajza e ambasadorit kuvajtian në SHBA dhe pjesëtare e familjes mbretërore të Kuvajtit. Megjithëse historia e saj ishte një trillim, ajo rezultoi shumë efikase. Një shembull tjetër i qartë ishte preteksti i përdorur nga SHBA për agresionin e vitit 2003 kundër Irakut. Në atë vit, ish sekretari amerikan i Shtetit, Collin Poëell, u shfaq në KS të OKB me imazhe dhe informacione të sajuara duke pretenduar se Iraku posedon armë kimike. SHBA pushtuan dhe shkatërruan Irakun, por këto armë nuk u gjetën kurrë.

Vendimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për të qëlluar me 59 raketa Tomahouk Sirinë, u përshëndetet si një fitore ushtarake dhe morale për SHBA-të. Senatori i Arizonës, John McCain, i cili e ka kritikuar fort Trumpin, tashmë e ka inkurajuar të përshkallëzojë bombardimet. Madje, edhe Hillary Clintoni e ka vlerësuar sulmin. Megjithatë, nga një këndvështrim strategjik, largimi i papritur i Trumpit, prej politikës së tij të mosndërhyrjes në Lindjen e Mesme, është tepër i rrezikshëm. Me trupat, avionët dhe raketat ruse, si dhe një kontingjent të madh të trupave të Hezbollahut dhe të këshilltarëve ushtarakë iranianë të vendosur në Siri, përshkallëzimi i papritur i sulmeve të SHBA, mund të shkaktojë lehtësisht, një luftë më të gjerë. Nuk është çështja të sulmosh, a të mos sulmosh. Ajo që ka rëndësi, është se amerikanët janë bërë rrezikshëm të paparashikueshëm. Çdo gjë që ne dimë për marrëdhëniet ndërkombëtare, na mëson se kjo lloj paparashikueshmërie, është shkaku më i madh i luftës globale. Gjëja më e rrezikshme në lidhje me Z. Trump, është se as miqtë, as armiqtë e tij, nuk munden t’u japin kuptim sinjaleve të tij. Të qënit i paparashikueshëm mund të të ndihmojë të fitosh në një ring boksi, por në marrëdhëniet ndërkombëtare, kjo është një strategji humbëse. Çdo herë që një superfuqi dërgon mesazhe të përziera ndaj botës, rivalët e saj hutohen, bëjnë gabim llogaritë për lëvizjet e tyre të ardhshme, dhe e teprojnë. Rezultati është pashmangshmërisht një katastrofë.

Në Siri, ky problem ka filluar në vitin 2012, kur administrata Obama shpalli një “vijë të kuqe” për qeverinë e Asadit, për përdorimin e armëve kimike. Obama bëri një marrëveshje të papritur me presidentin rus, Vladimir Putin, për të detyruar Asadin të tërhiqej nga armët kimike, si dhe të dorëzonte një pjesë të madhe të rezervave të tij. Në këtë fazë, pavarësisht hezitimit të Obamës, edhe sirianët, edhe rusët pranuan sinjalin e SHBA, se armët kimike ishin jashtë tryeze. Këto sinjale më pas u ndryshuan në mënyrë dramatike, me administratën e re Trump. Gjatë gjithë fushatës së tij dhe muajt e parë të presidencës, Trumpi në mënyrë të përsëritur ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk do të ngatërrohen në konfliktin sirian. Vetëm dy ditë para sulmit kimik, administrata Trump përsëri rikonfirmoi, nëpërmjet ambasadores së saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Nikki Haley dhe Sekretarit të Shtetit, Rex Tillerson, se nuk ishte duke planifikuar që të ndërhynte në Siri, dhe se rrëzimi i Asadit nuk ishte një prioritet për amerikanët. Pastaj krejt papritur, teksa tmerri i publikut ndaj mizorive u shtua, Trumpi ndërroi mendje, dhe urdhëroi sulm me raketa kundër bazave siriane, brenda më pak se një dite. Trumpi deklaroi se Asadi jo vetëm se kishte shkelur “vijën e kuqe”, por kishte shkelur “shumë, shumë vija”. Ky ishte një tjetër ndryshim dramatik.

Ka njerëz brenda administratës Trump, të cilët e kuptojnë rrezikun e shkaktimit pa dashje, të luftës së tretë botërore. Kjo është arsyeja pse sulmi u ekzekutua me raketa me rreze të gjatë, nga një distancë e madhe, pasi Shtetet e Bashkuara paralajmëruan Rusinë për sulmin e afërt, dhe pastaj sirianët evakuuan personelin e tyre nga zona. Rusët dëshmuan se nuk dëshirojnë një konflikt me Amerikën, prandaj i fikën sistemet anti-raketore S-300 dhe S-400 në Siri. Por nuk ka asnjë dyshim, që ky ndryshim ka rritur gjasat, se lufta do të dalë edhe më tej jashtë kontrollit. Sulmi dërgoi një sinjal të beftë se amerikanët mund të jenë sërish në lojë, duke garantuar kështu që rusët dhe sirianët do të forcojnë pozicionet e tyre të mbrojtjes. Nëse SHBA vazhdon në këtë kurs paparashikueshmërie, do të jetë vetëm çështje kohe, përpara se të godasin një shënjestër ruse, apo vrasin trupa ruse. Ndërkohë, ka sfida serioze me Kinën dhe Korenë e Veriut. Armiqtë e SHBA po vështrojnë. Dhe ajo që shohin, është një president i hallakatur, që nxitet prej turfullimës dhe impulsit, dhe të cilit i mungon mprehtësia politike për të “lundruar” mespërmes këtyre konflikteve kompleksë./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne