Shqiperia

Tension në Bashkinë e Tiranës, PD-LSI largohen: Mafia po tenton betonizimin e Parkut Rinia

Ka patur momente tensioni në sallën e Këshillit Bashkiak në Tiranë, aty ku këshilltarët e djathtë dhe ata të LSI-së kanë braktisur mbledhjen si dhe kanë hedhur një sërë akuzash në drejtim të Erion Veliajt.

Në dalje të godinës së Bashkisë së Tiranës, këshilltari i PD-së Kreshnik Çollaku u shpreh se në mbledhje po marrin pjesë 6 anëtarë socialistë me mandate të falsifikuara dhe po tentohet të kalohen një sërë vendimesh në shkelje flagrante të ligjit. Çollaku shtoi se “mafia” po tenton gjithashtu të betonizojë Parkun Rinia, ndaj dhe kërkon që të shtojë artificialisht anëtarët për efekt të votave.

“Grupi i këshilltarëve të PD dhe LSI vazhdojmë të mbajmë një marrëdhënie të kushtëzuar me Këshillin Bashkiak të Tiranës. Kjo është e kushtëzuar nga prania në këtë këshill e 6 anëtarëve me mandate të bëra nul nga Gjykata. Silen sikur janë këshilltarëve, debatojnë dhe votojnë sikur janë të tillë. Prania e tyre vë në erë legjitimitetin e Këshillit Bashkiak. Kjo bëhet për të votuar akte të tilla kriminale, siç është projekti i sponsorizuar nga një mafie e re në Tiranë, siç është mafia e naftës, që kërkon të betonizojë parkun “Rinia”.

Vendimi i dytë që është edhe më kriminal është fillimi i rrugës për shkatërrimin Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit aty të disa kullave. Ky është një tanibalizëm kulturor. Ky vendim kërkon 3/5 të votave të këshillit bashkiak. Këto vota ata sot nuk i kanë, nuk do t’i kenë nesër, dhe asnjëherë për sa kohë do ët jenë këta persona në Këshillin bashkiak. Cdo gjë që ndodh në atë sallë është e paligjshëm dhe kompromentuar. Sot grupi që mbështet PS dhe bashkinë e Tiranës, është minorancë. Mbajnë brenda njerëz me mandate të falsifikuar për të çuar përpara projekte të sponsorizuara nga mafia. Ndaj ne jemi këtu jashtë, në mbështetje të qytetarëve, në mbështetje të kryeqytetit”, u shpreh këshilltari Çollaku.

OPINIONE