Thaçi flet për bisedën telefonike me Bolton, thotë se dialogu do të fillojë së shpejti

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka konfirmuar se sot ka zhvilluar një bisedë telefonike me Këshilltarin për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Bolton.

Thaçi në një postim në rrjetin social Facebook ka thënë se, temë e diskutimit ishte dialogu dhe partneriteti i Kosovës me Amerikën.

Presidenti është shprehur se Kosova do të mbetet e përgjegjshme për vazhdimin e dialogut.

“Këtë pasdite kisha një bisedë telefonike me Këshilltarin për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, ambasadorin John Bolton. Ne biseduam për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe për partneritetin e përhershëm në mes të Kosovës dhe SHBA-së. Ambasadorin Bolton e sigurova se Republika e Kosovës mbetet e përgjegjshme për vazhdimin e dialogut dhe do të flasë me një zë, ashtu siç ka kërkuar Presidenti Trump”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Ai tutje ka thënë se negociatat Kosovë-Serbi, do të fillojnë së shpejti, dhe do të përfundojnë me njohje reciproke.

Thaçi është shprehur i bindur se partneriteti i Kosovës me Amerikën, do të mbetet i përhershëm.

“Ne jemi të bindur se dialogu do të fillojë së shpejti dhe do të përfundojë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që siguron njohjen reciproke dhe anëtarësimin në NATO, BE dhe OKB. Kosova ka ecur gjithmonë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe miqësia do të jetë e përhershme”, përfundon Thaçi në postimin e tij.

Ndryshe, dje është raportuar se Bolton ka zhvilluar bisedë telefonike edhe me kryeministrin, Ramush Haradinaj.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne