Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është pritur sot në takim nga kryetari i Kuvendit të Japonisë, Tadamori Oshima. Sipas njoftimit për media, në këtë takim është biseduar për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit bilateral dhe rritjen e shkëmbimit të ideve dhe projekteve konkrete ndërmjet dy parlamenteve.
Fillimisht, presidenti Thaçi, ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme që Japonia i ka dhënë Kosovës në tri dekadat e fundit, sidomos në procesin e shtetndërtimit dhe forcimin e subjektivitet ndërkombëtar.
Presidenti Thaçi ka mirëpritur vendimin e kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe për Iniciativën për Bashkëpunim me Ballkanin Perëndimor, që ka për qëllim thellimin e bashkëpunimit të Japonisë dhe krijimin e paqes afatgjatë në rajonin tonë.
“Ky fokus i ri i kryeministrit Abe dhe shtetit Japonez vjen në një kohë shumë të rëndësishme për Kosovën dhe rajonin. Kosova është e përcaktuar për anëtarësim të shpejt në BE dhe NATO, derisa mirëpret rolin e Japonisë për të kontribuar për paqe dhe stabilitet në Ballkan”, ka shtuar Presidenti.
Në njoftim thuhet se Thaçi ka theksuar se pas kësaj vizite shtetërore duhet të formohen grupe në kuadër të Qeverive dhe Parlamenteve për të projektuar një strategji afatgjate të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.
“Hapja e Ambasadës së Japonisë në Prishtinë është një hap konkret në rritjen e këtij bashkëpunimi. Tani duhet shikuar mundësitë për rritjen e shkëmbimit tregtar dhe ekonomik”, ka shtuar ai.