Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka kontribuar në përmirësimin e kushteve dhe shërbimeve në Qendrën e Shërbimeve Sociale në Bashkinë e Kukësit, duke ofruar mobilimin dhe pajisje të ndryshme.
TİKA, në kuadër të projekteve në lidhje me zhvillimin e infrastukturës sociale në Shqipëri, ndihmoi me pajisje mobiljare në Qendrën e Autizmit, themeluar në qytetin e Kukësit nga kryetarja e Fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë, njëkohësisht bashkëshortja e ish-kryeministrit Sali Berisha, znj. Liri Berisha.
TIKA ka ofruar për këtë qendër mobiliet, pajisjet e kuzhinës, pajisje elektronike dhe lodra për ambient të jashtëm dhe të brendshëm.
Në aktivitetin e organizuar për inaugurimin ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu, i cili shprehu mirënjohje për shtetin turk që ka kontribuar për këtë qendër.
“Jemi mirënjohës për kontributin. Është një bashkëpunim shumë i përkryer ndërmjet autoriteteve turke. Kjo qendër po fillon të ju shërbejë qytetarëve, nënave që kanë nevojë. Në qendër ofrojmë shërbime fëmijëve tanë me probleme të ndryshme, jo vetëm në fushën e autizmit. Besoj se nënat e Kukësit nuk do ta harrojnë kurrë këtë të mirë që është bërë për qytetin e Kukësit“, tha Shehu.
Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, tha gjatë aktivitetit se TIKA në të gjithë Shqipërinë realizon projekte në sektorë të ndryshëm.
“Do të vazhdojmë edhe në të ardhmen duke qenë afër njëri-tjetrit. Kemi shumë vlera të përbashkëta dhe duke marrë frymëzim nga këto vlera, është diçka që buron nga zemra jonë që të vazhdojmë të hedhim firmën në realizimin e projekteve konkrete, kaq të suksesshme. Sot, TIKA në të gjithë Shqipërinë, jo vetëm në fushën e arsimit, por edhe në projektet e shëndetësisë, infrastrukturës, fushën e bujqësisë, dhe për mbrojtjen e trashëgimisë tonë kulturore të përbashkët, realizon projekte. Sot jemi mbledhur për projektin që ka të bëjë me mobilimin e qendrës sociale, që do të jetë e vlefshme për fëmijët autikë“, u shpreh ambasadori turk.