Nga Philip Giraldi
Ishte një periudhë mjaft interesante këto ditë, me Shtetet e Bashkuara që riemëruan Gjirin e Meksikës dhe Gjirin Persik, ndërsa njëkohësisht dyfishuan përpjekjet për spiunazh ndaj Grenlandës, me pritshmërinë se ajo do të bëhet territor amerikan së shpejti. Ndërkohë, disa prej nesh që kemi ndjekur zhvillimet lidhur me atë që është përshkruar si “nisma për paqe” e Donald Trump në Lindjen e Mesme një udhëtim që mund të ketë përfshirë edhe një ndalesë në Stamboll për të takuar Vladimir Putinin dhe Volodymyr Zelenskyn – tashmë po analizojmë të mirat dhe të këqijat e këtij udhëtimi, tani që ai ka përfunduar.
Sipas mendimit tim, dy aspekte të këtij udhëtimi meritojnë nota të larta. Së pari, për atë që ai bëri: Trump mbajti një fjalim të arsyeshëm dhe të denjë përpara udhëheqësve të Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Katarit, ku refuzoi qartësisht një qasje hegjemoniste dhe të frymëzuar nga “neokonët” në politikën e jashtme amerikane. Ai deklaroi se vendet e pavarura në Lindjen e Mesme dhe gjetkë janë plotësisht të afta të zhvillojnë ekonomitë dhe shoqëritë e tyre, duke prosperuar dhe duke ofruar liri thelbësore për qytetarët e tyre.
Në fjalimin e tij, që u transmetua gajerësisht dhe u prit mirë nga audienca, Trump u shpreh:
“Në fund të fundit, të ashtuquajturit ndërtues të kombeve shkatërruan më shumë se ndërtuan, dhe ndërhyrësit ndërhynin në shoqëri komplekse që as vetë nuk i kuptonin. Jo, mrekullitë e ndritshme të Riadit dhe Abu Dhabit nuk u krijuan nga ata ndërtues kombesh, neokonë apo organizatat jofitimprurëse liberale, si ata që shpenzuan triliona dollarë duke dështuar të zhvillonin Bagdadin dhe shumë qytete të tjera. Lindja e Mesme moderne lindi nga vetë popujt e rajonit – njerëzit që janë këtu, ata që kanë jetuar gjithmonë këtu, duke zhvilluar vendet e tyre sovrane, duke ndjekur vizionet e tyre unike dhe duke ndërtuar fatin e tyre në mënyrën e tyre.”
Trump gjithashtu theksoi se ajo që e quajti “transformimi i madh” i Arabisë Saudite dhe Lindjes së Mesme “nuk ka ardhur nga ndërhyrës perëndimorë… duke ju mbajtur ligjërata për mënyrën si të jetoni dhe si të qeverisni punët tuaja.”
Aspekti i dytë pozitiv ishte pikërisht ajo që Trump nuk bëri: Ai nuk ndaloi në Izrael për t’i puthur unazën Benjamin Netanyahut, edhe pse ndodhej pranë. Raportohet gjerësisht se ata nuk janë më në marrëdhënie të drejtpërdrejta komunikimi. Trump, sipas burimeve, ia ka atribuar largimin nga Netanyahu manipulimeve, por po bëhet gjithnjë e më e qartë se bëhej fjalë për spiunazh klasik, ku anëtarë të kabinetit të Trumpit – ndoshta përfshirë edhe Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Tom Waltz – janë përgjuar fshehtas për të dhënë informacion mbi zhvillimet e sigurisë dhe opsionet që lidhen me Lindjen e Mesme dhe ndoshta edhe me Ukrainën.
Kryeredaktori i The Atlantic, Jeffrey Goldberg, mund të ketë qenë pjesë e këtij procesi gjatë një telefonate sekrete të një grupi të sigurisë kombëtare, përmes aplikacionit Signal, në mesin e marsit. Pas kësaj, Waltz u shkarkua dhe u emërua Ambasador në OKB, një post ku do të jetë nën mbikëqyrje të rreptë për çfarë thotë dhe me kë takohet. Raporte të tjera flasin për shkarkime të mëtejshme, përfshirë dy zyrtarë të lartë që u larguan nga Drejtoria e Inteligjencës Kombëtare, të cilën e drejton Tulsi Gabbard. Ata u shkarkuan për “rrjedhje informacioni” dhe “politizim”, ndoshta të lidhura me akuzat për spiunazh, ose thjesht sepse kishin mosmarrëveshje me disa nga politikat e Trumpit, përfshirë qëndrimin e tij ndaj Kinës.
Këto ishin pjesët pozitive të udhëtimit. Diku në mes qëndrojnë aspektet transaksionale të vizitës. Arabia Saudite u lidh ngushtë me Uashingtonin përmes një marrëveshjeje armësh prej 142 miliardë dollarësh dhe marrëveshjeve të tjera të lidhura me energjinë. Katari, në një veprim që tashmë është bërë famëkeq, i dhuroi Trump-it një avion Boeing 747 që do të zëvendësojë avionin aktual presidencial “Air Force One”, i cili përdoret për udhëtime presidenciale.
Avioni i ri, që përshkruhet si një “pallat fluturues” përsa i përket komoditeteve, vlerësohet të ketë një çmim prej rreth 400 milionë dollarësh – një gjest me peshë që lidh ngushtë të dy vendet. Megjithatë, është shpërthyer një valë kritikash për fatin e avionit pas vitit 2028, kur mund të ketë një president të ri, nëse nuk ka një “mandat të tretë” për Trump. Ai pret që ky avion të jetë një “dhuratë” që do ta pranojë me kënaqësi dhe më pas do ta dorëzojë për bibliotekën e tij presidenciale – e cila do të jetë një nga degët e korporatave të tij. Për shumë njerëz në botën politike dhe mediatike, madje edhe për disa republikanë të shquar, kjo lëvizje është thjesht një formë korrupsioni. Trump nuk duket se shqetësohet.
Duke qenë se pritshmëritë ishin të larta kur Presidenti Trump nisi udhëtimin, është e pashmangshme të ketë keqardhje për disa nisma të mundshme që nuk u ndërmorën.
Para nisjes nga Uashingtoni, kishte shumë spekulime se Trump do t’i shpallte botërisht liderëve arabë se Shtetet e Bashkuara do të njihnin Shtetin Palestinez si hapin e parë drejt krijimit të një entiteti të vërtetë fizik, me pavarësi reale nga Izraeli dhe sovranitet të mirëfilltë. Një hap i tillë do të ishte një “fitore e madhe” për audiencën e tij dhe gjithashtu për shumicën e amerikanëve – 70% e të cilëve nuk e mbështesin më Izraelin. Në planin ndërkombëtar, një njoftim i tillë do të përkthehej mjaft mirë për opinionin botëror që ka ndjekur masakrat ndaj palestinezëve në transmetim të drejtpërdrejtë. Ky publik e di shumë mirë që Izraeli dhe Netanyahu i lejojnë vetes të bëjnë çfarë duan vetëm për shkak të bashkëfajësisë së Shteteve të Bashkuara – si nën administratën Biden, ashtu edhe atë Trump. SHBA është një partnere në këtë gjenocid, duke i ofruar Izraelit mbrojtjen politike që i mundëson të vazhdojë vrasjet, përveç furnizimit të vazhdueshëm me armë “Made in USA” që përdoren për të kryer ekzekutimet në terren.
Mëkati i dytë i “mosveprimit” lidhet drejtpërdrejt me të parin: ishte parashikuar që Trump do t’i vendoste Izraelit një ultimatum për t’i dhënë fund menjëherë bllokadës së Gazës dhe për të hyrë në një armëpushim, pa klauzola që favorizojnë Izraelin, si parakusht për një marrëveshje paqeje që do t’i jepte fund gjakderdhjes. Komenti i vetëm i Trump për këtë çështje ishte një deklaratë të premten për mungesën e ushqimit në Gaza, ku tha se “shumë njerëz po vdesin nga uria,” por SHBA do ta “zgjidhë këtë çështje.” Ndërmjetësi i tij, Steve Witkoff, shkoi deri aty sa të deklaronte se SHBA “nuk do të ndërhyjë në vrasjet që po kryen Izraeli në Gaza.”
Sa dimë deri tani, as ndihmat për Gazën, as një armëpushim nuk janë diskutuar me liderët arabë ndoshta për shkak të qëndrimit kokëfortë të Izraelit. Kjo do të thotë se Palestina mbeti një “hapësirë e zbrazët” në udhëtimin e presidentit. Ndërkohë që Trump po udhëtonte dhe nderohej me ceremoni, Netanyahu po mobilizonte rezervistët dhe deklaronte me vendosmëri se plani i tij për të shkatërruar Hamasin dhe për të zbatuar një “zgjidhje përfundimtare” për Gazën do të vijojë pa asnjë devijim.
Do të ishte papërgjegjshmëri të mos përmendnim faktin se disa vëzhgues me njohuri të thella po e konsiderojnë gjithë këtë rrëfim për përçarje mes Trump dhe Netanyahut si mashtrim. Ndërsa shtetet kryesore arabe ishin të zëna duke negociuar me një Trump të gatshëm për marrëveshje, palestinezët mbetën plotësisht të vetëm dhe pa askënd që të mbronte kauzën e tyre. Kjo sugjeron që SHBA po shtirej sikur po distancohej nga Netanyahu për të arritur një marrëveshje me të gjithë shtetet kryesore arabe të Lindjes së Mesme – me synimin për të garantuar sigurinë e Izraelit, ndërkohë që Netanyahu po zhduk popullin palestinez nga faqja e dheut. Vetë Trump ka deklaruar se politikat e tij dhe udhëtimi në Lindjen e Mesme janë “shumë të mira për Izraelin” një pretendim që gjen mbështetje në përpjekjet e administratës së tij për të shtypur çdo protestë pro-palestineze brenda SHBA.
Me kthimin e tij të premten, presidenti deklaroi jo për herë të parë se: “Kam disa koncepte për Gazën që mendoj se janë shumë të mira: ta bëjmë një zonë lirie. Le të përfshihet SHBA dhe ta bëjmë një zonë lirie. Do të isha krenar nëse SHBA do ta merrte, do ta menaxhonte, do ta kthente në një zonë lirie, ku të ndodhin gjëra të mira. T’u jepet njerëzve strehim ku mund të ndihen të sigurt. Hamas do të duhet të trajtohet.”
Raportohet gjithashtu se Uashingtoni po negocion me fraksione libiane për të pranuar një milion refugjatë palestinezë, që ndoshta do të dëbohen me forcë nga “zona e lirisë” nga ushtria izraelite.
Është gjithmonë e rëndësishme t’i kushtojmë vëmendje asaj që Trump bën në të vërtetë, dhe jo vetëm asaj që thotë pasi zakonisht, ato që thotë janë të dizajnuara kryesisht për ta paraqitur veten si të fuqishëm dhe të suksesshëm.
Këto dy “rrugë të pashkelura” siguruarën që Trump të mos mund të pretendonte një fitore të madhe duke zgjeruar “Marrëveshjet e Abrahamit” për të përfshirë Arabinë Saudite, Emiratet dhe Katarin në marrëdhënie diplomatike me Izraelin. Dihet mirë se sauditët nuk do të pranojnë asnjë marrëveshje diplomatike me Izraelin që nuk përfshin njohjen e shtetësisë palestineze brenda kufijve të përcaktuar nga Kombet e Bashkuara në vitin 1948. Kjo do të nënkuptonte status ndërkombëtar për Jerusalemin dhe kthimin e pjesës më të madhe të Palestinës historike te palestinezët.
Trump është larg të qenit i parashikueshëm dhe gjatë udhëtimit ndodhi një iniciativë që askush nuk e priste: heqja e sanksioneve ndaj Sirisë, të cilat kishin qenë në fuqi që nga viti 2019, dhe një takim 37-minutësh me kreun e ri të përkohshëm të shtetit sirian, Ahmed al-Sharaa një ish-terrorist i lidhur me al-Kaedën (Hayat Tahrir al-Sham) – në Pallatin Mbretëror në Riad. Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe organizuan takimin dhe e inkurajuan presidentin amerikan që të ndihmojë në rehabilitimin e Sirisë, duke e nxitur gjithashtu vendin të zhvillojë institucionet e veta republikane, të dëmtuara rëndë nga korrupsioni qeveritar.
Kompensimi që Trump i kërkoi al-Sharaa-s ishte një “derë e hapur” për investimet amerikane në rikuperimin ekonomik të vendit, i cili ka pësuar dëme që vlerësohen mes 200 dhe 400 milionë dollarë. Kjo do të përfshinte zhvillimin dhe tregtimin e burimeve natyrore si nafta, si dhe ndërtimin e infrastrukturës së re për komunikim dhe transport nga kompani si AT&T.
Normalizimi i marrëdhënieve me Sirinë nuk duket se është koordinuar me Netanyahun, dhe kjo krijon një situatë delikate, duke marrë parasysh se Izraeli vazhdon të mbajë të pushtuar një pjesë të konsiderueshme të Sirisë jugperëndimore, pranë Damaskut, pa asnjë shenjë se do të tërhiqet. Thuhet se Trump i ka sugjeruar al-Sharaa-s që do të përfitonte nëse do të vendoste marrëdhënie normale me Izraelin – edhe pse Izraeli vazhdon të sulmojë objektiva brenda Sirisë. Ndërkohë, edhe Turqia mban territore në veri të Sirisë përmes aleatëve të saj turkomanë.
Fakti që SHBA është e përfshirë në këto zhvillime vërtetohet edhe nga vendimi i fundit i Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) për t’i dhënë fund “luftës” së saj kundër Turqisë, një konflikt që ka zgjatur mbi 50 vjet. Është pikërisht SHBA që ka armatosur kryesisht milicitë kurde në luftën kundër regjimit të Asadit në Siri – tashmë i rrëzuar – dhe kjo i jep Uashingtonit levë të mjaftueshme për të ndërmjetësuar një marrëveshje të tillë.
Së fundmi, janë zhvilluar takime në Stamboll mes Ukrainës dhe Rusisë, si dhe negociata mes SHBA-së dhe Iranit për programin bërthamor të këtij të fundit. Zelensky ishte në Shqipëri duke u takuar me liderë evropianë, ndërsa Putin nuk u paraqit në Stamboll, ndonëse pritej që të dy të ishin të pranishëm. Mendohej se Trump do të ndalonte për të dhënë bekimin e tij për procesin e paqes – për të cilin ai ka marrë shumë merita por, me mungesën e liderëve ukrainas dhe rusë, takimi nuk solli ndonjë përparim konkret. Megjithatë, në një aspekt pozitiv, të dyja palët ranë dakord që bisedimet të vazhdojnë.
Dhe sa i përket programit bërthamor të Teheranit? Trump ka deklaruar se i ka paraqitur iranianëve një propozim me shkrim, por qeveria iraniane e mohon këtë pretendim. Së shpejti do ta marrim vesh të vërtetën – ndërkohë që Kongresi amerikan, i kontrolluar nga lobet sioniste, ka filluar të kërcënojë se do të bllokojë çdo marrëveshje që nuk ndalon në mënyrë absolute dhe të plotë çdo aftësi të Iranit për pasurimin e uraniumit. Edhe kjo duket si një përpjekje negociuese që ka shumë pak gjasa të çojë diku./gazetaimpakt/unz