Turqia: Anëtarët e NATO-s “nuk mund të mbyllin sytë” ndaj katastrofës në Gaza

Turqia u bëri thirrje aleatëve të NATO-s që të mbajnë një qëndrim kundër “agresionit” të Izraelit në Rripin e Gazës, tha kryetari i parlamentit Numan Kurtulmus. “Ne, anëtarët e organizatës më të fuqishme të mbrojtjes në botë, nuk mund të mbyllim sytë ndaj një prej çështjeve më urgjente globale, ndaj katastrofës së madhe njerëzore që po ndodh në Gaza”, tha Kurtulmus në një samit parlamentar të NATO-s në SHBA. “Kjo gjakderdhje dhe masakrat e Izraelit duhet të ndalen”, shtoi ai.

Kurtulmus do të qëndrojë në SHBA deri më 10 korrik për të marrë pjesë në samit, i cili mbledh së bashku liderët parlamentarë nga 32 vendet anëtare të NATO-s dhe Ukraina, duke përfshirë 23 kryetarë të parlamenteve. “Ekziston një rrezik i madh që kjo situatë të përshkallëzohet në një luftë rajonale. Në diskutimet tona mbi sigurinë globale, ne duhet të rreshtohemi me frontin e përbashkët të njerëzimit që përkrah drejtësinë”, theksoi kryeparlamentari turk.

“U bëjmë thirrje aleatëve që t’i thonë ‘jo më’ agresionit të qeverisë Netanyahu”, shtoi ai. Turqia ka kërkuar armëpushim të përhershëm të menjëhershëm, akses të papenguar humanitar dhe zgjidhje me dy shtete për konfliktin Palestinë-Izrael, theksoi Kurtulmus.

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne