Turqia dënon bashkëpunimin e Francës me organizatën terroriste YPG në Siri

Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlyt Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) tha se nuk e shohin si të drejtë bashkëpunimin e afërt të Francës me YPG-në, zgjatimin e organizatës separatiste terroriste PKK në Siri.

Çavushollu u takua në Ankara me Ministrin e Punëve të Jashtme të Francës, Jean-Yves Le Drian, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Turqi.

Kryediplomati turk, në konferencën për shtyp të dhënë pas takimeve dypalëshe dhe ndërmjet delegacioneve, tha se përveç një teme mendimet për Sirinë përputhen tërësisht me Francën dhe u shpreh në lidhje me marrëdhëniet e këtij vendi me YPG-në.

“Nuk mendojmë se janë të drejta marrëdhëniet e afërta të Francës me YPG-në, që nuk kanë asnjë ndryshim nga PKK-ja. Ne nuk mendojmë se Francës i ka hije të ketë marrëdhënie me YPG-në. Kjo është e rrezikshme për të ardhmen, tërësinë kufitare e tërësinë territoriale të Sirisë. Krahas kësaj, kjo është një çështje e brishtë edhe për sigurinë tonë kufitare dhe sigurinë e vendit dhe popullit tonë” tha shefi i diplomacisë së Turqisë.

Ai u shpreh edhe në lidhje me pretendimet për armëpushim në Idlib të Sirisë dhe tërhoqi vëmendjen se regjimi (sirian), që beson tek zgjidhja ushtarake dhe jo politike, ka përshkallëzuar sulmet ndaj Idlibit dhe shtoi: “Për momentin nuk është e mundur të thuhet se është siguruar plotësisht një armëpushim (në Idlib)”.

Ai tha gjithashtu se mendojnë se sulmi i ndërmarrë sot ndaj pikës turke të vrojtimit në Idlib ishte i qëllimshëm dhe vijoi: “Nëse regjimi vazhdon sulmet e tilla, atëherë edhe ne do të bëjmë atë që nevojitet. Askush të mos ketë dyshim për këtë”.

Çavushollu nënvizoi se për ndalimin e këtyre sulmeve të regjimit Rusia dhe Irani, si garantues duhet të bëjnë presionin e nevojshëm.

Kurse në lidhje me letrën për sistemet S-400 të dërguar nga ushtruesi i detyrës së sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Patrick Shanahan për ministrin turk të Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar, ministri Çavushollu tha: “Gjuha e kësaj letre është e papranueshme. Askush nuk mund t’i japë ultimatum Turqisë. Turqia është një vend i pavarur dhe i lirë. Me letra të tilla Turqia nuk heq dorë nga vendimet e marra. Turqia ka blerë sistemet S-400 dhe këto sisteme do të vijnë në Turqi”.

Edhe ministri francez, Le Drian tha se janë të shqetësuar për çështjen e Idlibit dhe shtoi: “Ne mbështesim Turqinë në çështjen e Idlibit. Jemi të detyruar të sigurojmë zbatimin e armëpushimit sepse në shesh është një situatë e rrezikshme dhe ka efektin e një eksplozivi”./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne