Turqia do të ndërtojë këndin e lodrave në Tiranë

Kanë filluar punimet për ndërtimin e këndit të dytë më të madh të lodrave në Tiranë, pas atij te Parku i Liqenit, që do të ndërtohet me mbështetjen financiare të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).
Me realizimin e këtij projekti do të ndërtohet kënd lodrash për fëmijë dhe mjedis çlodhës për të rriturit, thuhet në njoftimin e Bashkisë së Tiranës.

Gjatë nisjes së punimeve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se Tirana do të vazhdojë të ndryshojë.

“Bashkë me miqtë tanë nga TIKA, sot po fillojmë një kantier të ri, që është në zonën jugore të liqenit. Sot është pastruar, është mbjellë, është krijuar një minipyll dhe kemi ruajtur këtë oaz në mes për ta kthyer në kënd lodrash, që do të jetë këndi i dytë më i madh i lodrave në Tiranë pas atij te liqeni”, ka theksuar kryebashkiaku i Tiranës.

Të pranishëm në fillimin e punimeve ishin edhe koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Necip Özay Özütok, përfaqësues të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit të Bashkisë së Tiranës dhe zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Tiranës.

Sipas Bashkisë së Tiranës, sheshi i ri rekreativ po ndërtohet në një nga hapësirat e papërdorura të Parkut të Madh Liqenit, në zonën jugore të tij me një sipërfaqe 5500 metra katrorë./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne