Turqia e vendosur të mbrojë interesat e saj në Egje, Mesdheun Lindor dhe Qipro

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar theksoi të dielën se Forcat e Armatosura Turke (TSK) e vazhdojnë me vullnet dhe vendosmëri luftën kundër organizatave terroriste FETO, PKK/YPG, DAESH dhe organizatave të tjera terroriste.

“Përveç luftës kundër terrorizmit brenda dhe jashtë vendit, ne marrim të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e vendit tonë edhe në Egje, Mesdheun Lindor dhe Qipro”, tha ai.

Ministri Akar bashkë me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm Gjeneralarmate Jashar Gyler (Yasar Güler), Komandantin e Forcave Tokësore Gjeneralarmate Ymit Dyndar (Ümit Dündar), Komandantin e Forcave Detare Admiralin Adnan Ëzball (Özbal) dhe Komandantin e Forcave Ajrore Gjeneralarmate Hasan Kyçykakjyz (Küçükakyüz) mori pjesë në programin e iftarit me studentët e Akademisë Detare të Universitetit të Mbrojtjes.

Duke folur për stërvitjen “Ujku i detit”, që ka filluar të hënën, ministri i Mbrojtjes Kombëtare në fjalën e tij tha:

“Qëllimi ynë në realizimin e këtyre stërvitjeve është të tregojmë që Forcat e Armatosura Turke e kanë vullnetin, vendosmërinë dhe kapacitetet për të garantuar sigurinë e vendit dhe të popullit, për të mbrojtur dhe ruajtur sovranitetin, pavarësinë si dhe të drejtat dhe interesat detare të vendit”.

Turqia i ndjek nga afër zhvillimet e rëndësishme, konfliktet dhe situatat destabilizuese përreth saj, nënvizoi Hulusi Akar në fjalën e tij.

Ministri Akar foli gjithashtu edhe për sukseset e rëndësishme që janë arritur në punimet në drejtim të rritjes së shkallës së prodhimit vendor dhe kombëtar në fushën e industrisë së mbrojtjes. Shkalla e prodhimit vendor është rritur në 70%, nga 20% që ka qenë më parë, shtoi ai./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne