Bota

Turqia kritikon vendimin ushtarak të SHBA-së për Qipron greke

Turqia kritikoi SHBA-në të mërkurën për përfshirjen e Qipros greke në Programin e saj Ndërkombëtar të Edukimit dhe Trajnimit Ushtarak.

“Iniciativat që nuk respektojnë ekuilibrin midis palëve nuk do të kontribuojnë në krijimin e një mjedisi të sigurt në ishull, as nuk do të ndihmojnë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Mesdheun Lindor”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Hami Aksoy në një deklaratë.

Deklarata potencon se SHBA-ja përfshiu Qipron greke në Programin e saj Ndërkombëtar të Edukimit dhe Trainimit Ushtarak për vitin 2020.

Turqia lidhur me këtë çështje mbështet qasjen e Republikës Turke të Qipros Veriore, thuhet në deklaratë.

“Siç kemi theksuar shumë herë më parë, këto hapa nuk do të kontribuojnë në gjetjen e një zgjidhje për çështjen e Qipros, por përkundrazi forcojnë qasjen e pakompromis të palës greke”, thuhet në deklaratë.

Më herët gjatë ditës, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo njoftoi se SHBA-ja ka përfshirë Qipron greke në Programin e saj Ndërkombëtar të Edukimit dhe Trajnimit Ushtarak për vitin 2020.

“Departamenti i Shtetit synon të sigurojë fonde për Edukimin Ushtarak Ndërkombëtar dhe Trajnim për atë vend”, theksoi Pompeo në një konferencë për media në Washington.

“Kjo është pjesë e përpjekjeve tona për të forcuar marrëdhëniet me partnerët kryesorë rajonalë për të promovuar stabilitetin në Mesdheun Lindor”, shtoi ai./AA

OPINIONE

INTERVISTA