U shkarkua nga Gjonaj, ekspertja e ligjeve i shkruan Ramës: Ndihmoje ministreshën të jetë ”vajza e mirë”

Ish-drejtoresha e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë, Ketrin Treska, një nga ekspertet e këtij institucioni që mbron ligjet e qeverisë në Parlament është shkarkuar nga detyra nga ministrja aktuale, Etilda Gjonaj.

Treska, pas largimit nga ky funksion i ka dërguar një e-mail, kryeministrit Rama dhe të gjithë stafit të Ministrisë së Drejtësisë, ku jo pa ironi thumbon ministren Gjonaj për sjelljen e saj dhe vendimin për ta shkarkuar.

Në mesazhin e saj, ish-drejtoresha i kërkon kryeministrit të lexojë këtë e-mail dhe t’a këshillojë ministren e tij të sillet me takt me ekspertët e Ministrisë, raporton Panorama.al.

“Kam një këshillë për ju, mos duroni kurrë t’ju shkelet dinjiteti, apo t’ju ndrydhë personalitetin nga askush, as nga Gent Sekretari, as nga Etilda Ministresha. Mos e lejoni më! Mos lejoni më asnjëri qoftë, grua pa takt dhe shpirt humbur t’ju mbajë peng me fjalën “shkarkim”.

Nuk do dua kurrë t’ju imagjinoj më, ashtu si ju shihja shpesh tek gëlltisni lotët dhe ndjenjën e tmerrshme të fyerjes, njësoje si episodi i të premtes së kaluar. Mos e lejoni më njërën, as tjetrën. Puna nuk është çark, është punë dhe frymë bashkëpunimi në grup, për përmbushen e objektivave”, shkruan Treska.

Ndërkohë që në letër, ish drejtoresha i kërkon kryeministrit: “të lutem ndihmoje Etilën! Ndihmoje të sillet me kolegët e bashkëpunëtoret, ashtu si imagjinojnë se sillet me ju. Tregoja me takt të lutem që ta kuptojë se kjo është shumë e rëndësishme për Ministrinë dhe për vete Qeverinë” Ndihmoje të gjejë një Kabinet, ca drejtorë dhe këshilltarë të mirë. Ndihmoje në këtë drejtim se, vetëm imazhi i “vajzës së mirë”, nuk do ta ndihmojë qeverinë që po kryeson, të këtë ministri që ndihmon suksesin”, thekson ish-drejtoresha.

Më tej, Katrin Treska thumbon ministren Gjonaj, e cila vendosi shkarkimin e saj, por nuk lë pa komentuar edhe sjelljen e saj me vartësit në institucion.

“Etilda e dashur, të erdhi radha e përshëndetjes, Gjithmonë të kam menduar më kërshëri. Një vajzë e thjeshtë nga qyteti i bukur i Pukës, që ka arritur gjithcka ka dëshiruar në jetë një grua apo vajzë shqiptare, madje shumë shpejt. Një familje të mrekullueshme. Një karrierë për t’u patur zili. Pa shumë mundime në administratë, në moshën 36 vjeç Ministre e Drejtësisë. Të njeh gjithë Shqipëria, (pra edhe e famshme), shumë kanë simpati. Je simpatike dhe elegante. E papërfolur për dy vite ministre, përveç ndonjë episodi si biletat e shtrenjta të udhëtimeve dhe të hoteleve jashtë vendit. Kokë ulur dhe punëtore dukesh në publik”, shkruan Treska ne emailin drejtuar ministres Gjonaj./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne