Historia Kultura

Vakëfet e Mevlana Suzi Çelebiut

nga Faik Miftari.

Mevlana Suzi Çelebiu(emri i tij i vërtetë Muhamed Mahmud Abdullah) ishte një kalorës osman, poet, imam, mualim, myezin, shejh, vakëf dhënës prizrenas, i cili ka jetuar dhe vepruar në gjysmën e dytë të shek. XV-të dhe fillim të shek. XVI-të. Në këtë punim do të elaborojë vetëm vakëfet e t’ia të dhuruara dhe vakëfnamenë e tij të vërtetuar në fillim të shek. XVI-të, e cila njihet si një dokument i rëndësishëm i legalizimit të vakëfeve të t’ia në Prizren, apo njihet si vakëfnameja e parë në Prizren në fillim të shek. XVI-të.

Për jetën, veprimtarinë dhe krijimtarinë e Mevlana Suzi Çelebiu kanë shkruar shumë studiues dhe hulumtues të nivelit kombëtar dhe ndërkombëtar duke nisur që nga Sami Frashëri, Hasan Kaleshi, Mark Krasniqi, Skender Rizaj, Nehat Krasniqi, Sadik Mehmeti, Mehmet Tahir efendiu, Latifi, Ismail Haki Ayverdi, Raif Vërmiça, J.Hameri, Franc Babingeri, Ivan Jastrebovi, Aleksej Olesnicki, Petar Kostiqi, Tatjana Katiqi, Mehmet Mujezinoviqi, etj., të cilët kanë shkruar për pjesët e caktuara të veprimtarisë së tij, ndërsa në këtë punim do të ndalem tek disa që kanë shkruar për vakëfet dhe vakëfnamen e tij.

Hasan Kaleshi për Suziun në aspektin e tij bëmires, vakëflënës shkruan se Suziu ka ndërtuar xhaminë, mejtebin(shkollën fillore) në të cilin ka dhënë edhe vet mësim dhe ka ndërtuar edhe bibliotekën të cilës i ka lënë vakëf një varg librash, dhe e cila bibliotekë në historinë e bibliotekave të Kosovës llogaritet si biblioteka e pare e Kosovës.1

Mark Krasniqi për Suziun cek si një ndër poetët më të mëdhenj të poezisë osmane(turke), emri i tij i vërtetë ishte Muhamed Mahmut Abdullahu, por që më vonë u bë i njohur me emrin Mevlana Suzi Çelebiu, i cili ishte prizrenas. Suzi Çelebiu ka ndërtuar një xhami në Prizren në mahallën Ilijaz Kuka, në anën e majtë të lumit Bistrica, pranë xhamisë ka ndërtuar edhe një çezme(krua), një shkollë ku ka dhënë edhe vet mësim, në fshatin Grazhdanik afër Prizrenit ka pas një çiflig të madh, për vaditjen e të cilit ka hapur një kanal me ujë nga lumi Bistrica(Lumbardhi) mbi Prizrenin.2

Skender Rizaj, Suziun e ngriti në piedestal më të lartë duke e përshkruar si një nga shkencëtarët dhe humanist më të vjetër prizrenas, me prejardhje shqiptare, i cili mbante nofkën Çelebi, nga e cila le të kuptohet se i takonte shtresës së lartë aristokrate, pasi që çelebi do të thotë princ. Në Prizren, krahas xhamisë, ndërtoi një shkollë dhe bibliotekë të cilës ia dhuroi disa libra të tij. Biblioteka e tij llogaritet si biblioteka më e vjetër jo vetëm e Kosovës, por edhe e tërë Evropës, duke pas parasysh së në atë kohë në shtetet evropiane, përpos disa bibliotekave të varfra mbretërore, nuk kishte pothuajse fare biblioteka të qyteteve.3

Mehmet Tahir efendiu, kronisti, myderrizi, myftiu prizrenas i shek. XIX-të, në kronikën e tij të quajtur Menakib, ka shkruar edhe për Suzi Çelebiun si vakëflënës dhe vakëfet e t’ia të lëna:

Edhe i nderuari ynë Suzi ka ndërtuar një xhami të vetme, dhe kjo ka ndodhur pas të nëntëqintave, dhe e ka gjallëruar me vakëfe sidomos me toka, që kishte blerë nga thesari i mbretit. Deri më tash një e treta (e saj) ishte përherë e muezinit, e pjesa tjetër e imamit, kështu kemi vepruar. Ka vakëfuar një prone për bukëpjekësin e tij në afërsi të xhamisë, shtëpinë e vet, po ashtu aty afër. Ajo kishte pjesën e epërme, e pjesa e poshtme ka qenë mekteb, Ymer beu e ka renovuar dhe i ka ngritur minarenë.4

Studiuesja dhe hulumtuesja serbe Tatjana Katiqi ka shkruar për Suzi Çelebiun si poet, dervish dhe ushtar osman me prejardhje krishtere, i cili u lind në Prizren mes viteve 1455/65 ndërsa ndërroi jetë në vitin 1524, në rini ka qenë kalorës osman i cili ka luftuar nën komandën e Ali bej Mihailogllusë. Suziu në vitin 1513 në Prizren ka ndërtuar në mahallën e Ajas beut(Ilijas Kukës), një mesxhid(xhami) së bashku me një shkollë dhe bibliotekës. Pas ndërtimit të mesxhidit pjesa e këtij qyteti është quajtur mahalla e Suzisë e cila edhe sot e kësaj dite e mban po këtë emër të mahallës.5

Edhe studiuesi dhe hulumtuesi prizrenas Raif Vırmiça ka shkruar për Suzi Çelebiun në librin e tij me titull në gjuhën turke ”Suzi ve Vakıf eserleri” që në gjuhën shqipe do të thotë ”Suziu dhe Vakëfet e t’ia” në të cilin shkruan gjerësisht për veprimtarin e tij, letërsinë poetike, fetare, arsimore, ushtarake, bamirësie etj.6

Vakëfnameja e Mevlana Suzi Çelebiut

Përveç vakëfeve të t’ia të dhuruara Suzi Çelebiu është i njohur edhe për përpilimin dhe legalizimin e Vakëfnamesë së tij në vitin 1513 në Prizren, që ishte edhe vakëfnameja e parë e njohur në Prizren në fillim të shek. XVI-të. Për vakëfnamen e Mevlana Suzi Çelebiut kanë hulumtuar dhe shkruar më gjerësisht, Aleksej Olesnicki, Hasan Kaleshi dhe Raif Vërmiça, me ç’rast do të cek disa të dhëna interesante rreth kësaj vakëfnameje.

Hulumtuesi dhe studiuesi rus Aleksej Olesnicki ka hulumtuar jetën, veprimtarinë dhe krijimtarinë e Suzi Çelebiut, qysh në vitet 30-ta të shekullit XX-të. Në vitin 1930 lidhur me këtë ka ardhur në Prizren për të hulumtuar, ashtu që në atë kohë pat takuar edhe Hafëz Qemajl efendi Kajserliun, imam, hafëz dhe myderriz i njohur prizrenas i shek. XX-t. Por, nga të dhënat që kemi sipas gjitha gjasave hafëz Qemajl efndiu me sa duket nuk ia ka dhënë vakëfnamen e përshkruar të origjinales që ka poseduar, pasi që vakëfnamen të cilin Olesnicki e ka cituar, dallon prej asaj që e ka pas në posedim Qemajl efendiu, e të cilin e jkanë shfrytëzuar sikurse Hasan Kaleshi ashtu edhe Raif Vërmiqa. Lidhur me punën hulumtuese kërkimore të studiuesit dhe hulumtuesit rus Aleksej Olesnicki për Suzi Çelebiun, punimi i tij ishte përkthyer në gjuhën serbe me titull” Suzi Çelebiu nga Prizreni, poeti dhe historian i shek. XV dhe XVI-të, i botuar qysh në vitin 1934 në Shkup në Vjetarin e shoqatës shkencore shkupjane të asaj kohe.

Olesnicki në punimin e lartë cekur e ka publikuar edhe tekstin dhe dorëshkrimin e vakëfnames së Suziut, por jo të vërtetuar, të cilës i mungon shqyrtimi gjyqësor dhe nënshkrimet e 22 dëshmitarëve të vakëfnames. Poashtu tek Aleksej Olesnicki janë përvjelur edhe disa gabime në lexim si dhe disa gabime edhe gjatë përkthimit të saj.7

Studiuesi dhe hulumtuesi shqiptar me renome botërore Hasan Kaleshi, i cili gjatë jetës së tij të shkurtër(ka jetuar 54 vite) ka lënë vepra kapitale dhe ka njoh dhe fol 10 gjuhë, gjuhën shqipe, turke, serbe, maqedone, arabe, perse, angleze, gjermane dhe frenge, ka analizuar vakëfnamen e Suziut të cilën ka pas rast të merr nga imami i xhamisë së Suziut në atë kohë, Hafiz Qemajl efendi Kajserliun, dorëshkrimin e vërtetuar të vakëfnames së Suziut. Për dallim nga dorëshkrimi i vakëfnames së Suziut të cilin e ka pas në dorë Olesnicki, në vakëfnamen të cilin e ka pas në dorë Hasan Kaleshi, mungon shqyrtimi gjyqësor, porse është prezent rregullorja në të cilin ceket se si të veprohet me pasurinë pas vdekjes së Ajshes, vajzës së vetme të Suziut, poashtu është prezent edhe regjistri i librave të dhuruara donacion nga Suziu për bibliotekën, mënyrën e shfrytëzimit të këtyre librave të dhuruara si dhe në fund të vakëfnames janë edhe 22 nënshkrimet e dëshmitarëve të vakëfnames së Suzi Çelebiut.8

Mevlana Suzi prizrenasi Vakëfnamen e tij e ka përpiluar dhe legalizuar në vitin 1513 tek kadiu i atëhershëm dhe në prezencën e 22 dëshmitarëve të nënshkruar, në mesin e tyre, dy imam, tre myezin, tre haxhi si dhe vëllau i tij Nehariu i cili gjithashtu ishte poet. Në vakëfnamen e tij përmendet mesxhidi(xhamia) së bashku me mejtebin dhe çifligun e tij në Grazhdanik. Gjatë kohës së përpilimit të vakëfnamesë, ai kishte vetëm një vajzë të vetme Ajshen të cilës ia ka caktuar gjersa të jetë e gjallë, të shfrytëzoj dhe posedojë dy livadhe, e të cilat pas vdekjes së saj do të kalojnë në kuadër të vakëfëve të lënë. Suziu është varrosur në oborrin e xhamisë së Suziut të cilin vet e ka ndërtuar. Mbi varrin e tij gjendet mbishkrimi arab i cili në përkthim në gjuhën shqipe do të thotë:”Ai është i përjetshëm. Ka ndodh vdekja e të ndjerit Muhamed Suzi prizrenasi në vitin 931h. Le të jetë mbi të mëshira e gjerë e Zotit”.9

Çiftligun që e posedonte në fshatin Grazhdanik afër Prizrenit, ia kishte dhuruar në shenjë respekti për të sulltan Selimi, për veprimin që e kishte bërë me rastin e kthimit të tij nga Stambolli.

Pasi që Suziu e kishte përfunduar shkollimin e lartë në Stamboll, ishte kthyer në Prizren, dhe rrugës ishte ndal në Tetovë, në të cilin ka rastisur në një kadi që ishte një tiran dhe merrte rryshfet. Pasi që Suziu ishte poet i madh dhe kishte aftësi të veçantë të shkruarit, lidhur me kadin në Tetovë, kishte shkruar një padi kundër tij. Sulltan Selimi në atë kohë nëpërmjet shejhul Islamit e ka pranuar këtë padi, dhe pas kësaj e ka ftuar Suziun në Stamboll, dhe në shenjë mirënjohjeje për këtë gjest ia ka dhuruar të dhetën pjesë të ardhurave të tij në fshatin Grazhdanik të Prizrenit.10

Studiuesi dhe hulumtuesi prizrenas Raif Vërmiça në mënyrë të detajuar e ka përshkruar Vakëfnamen e Suziut të cilën e ka marrë dhe e ka kopjuar nga nipi i Hafiz Qemajlit, Efnan Kajserliu, e cila ishte e njëjtë me atë që e ka pas në dorë edhe Hasan Kaleshi.

Kopja e Vakëfnames dallohet nga origjinalja, pasi që në pjesën hyrëse të kësaj vakëfnameje të përshkruar, shkruan se është vërtetuar nga kadiu i Prizrenit dhe i Suharekës Osman Sylejmanit, të përshkruar në vitin hixhri 1212, apo 1797.11

Vakëfnameja e Suziut përbëhet prej tri pjesëve. Në pjesën e parë pas falënderimeve të autorit, pasojnë ajetet nga Kurani dhe hadiset nga pejgamberi Muhamed. Në pjesën e dytë përshkruhet çifligu i Suziut në Grazhdanik, të dhuruar nga sulltan Selimi, pas së cilës pasojnë edhe vakëfet prezente në çifligun e tij, poashtu ceken edhe vakëfet e lëna në Prizren, mesxhidi(xhamia) dhe mejtepi(shkolla), pjesën që e ka lënë vajzës së vetme Ajshes, pjesës me të cilin do të paguhen imami dhe myezini i xhamisë së tij, si dhe librat e lëna vakëf, e të cilët ishin: dy vëllime “Tefsiri shejh”, dy vëllime “Hidaje”, një vëllim”Sheriatul islam”, një vëllim”Teskiretul elvija”, katër vëllime të “Mesnevisë”, dhe dy vëllime të “Kimia sadet”. Në pjesën e tretë të fundit, janë nënshkrimet e 22 dëshmitarëve të cekur me emër e mbiemër, në mesin e të cilëve ishte edhe vëllau i Suzisë, Mevlana Nehari.12

Ky ishte një përshkrim i shkurtër i Vakëfnames së Suziut si dokumenti i parë i rëndësishëm në fushën e bamirësisë në qytetin e Prizrenit në fillim të shek. XVI-të dhe i cili si i tillë ka një rëndësi historike, kulturore, sociale, humanitare.

(vazhdon)

14.12.2018 Faik MIFTARI

1 Hasan Kaleshi, Prizreni si qendër kulturore gjatë periudhës turke,Hikmet nr.10, Instituti për shkencat humane ”Ibni Sina”, Prishtinë, 2015, fq.10.

2 Mark Krasnqi, Prizreni-vështrime historiko-gjeografike, Përparimi nr.1-2, Këshilli redaktues, Prishtinë, 1960, fq.83.

3 Skender Rizaj, Prizreni deri te Tanzimati, Gjurmime albanologjike, Seria e shkencave historike XIII-1983, Prishtinë, 1984, fq.62.

4 Nehat Krasnqi, Kronika(Menakib) e Tahir efendiut, burimi i rëndësishëm për historinë e kulturës në Prizren gjatë periudhës turko-osmane, Edukata Islame nr.57, Kryesia e shoqatës së ylemave të Kosovës, Prishtinë, 1995, fq.86.

5 Tatjana Katiq, Osmanizimi i qytetit mesjetar të Prizrenit në shek.XV-të dhe XVI-të, Haikmet nr.11, Instituti për shkenca humane”Ibni Sina”, Prishtinë, 2015, fq.177.

6 Raif Vırmiça, Menakib, Hacı Mehmet Tahir efendi, Yeni dönem, Prizren, 2001, fq.74.

7 Hasan Kaleshi, Prizreni si qendër kulturore gjatë periudhës turke,Hikmet nr.10, Instituti për shkencat humane ”Ibni Sina”, Prishtinë, 2015, fq.10.

8 Hasan Kaleshi, Prizreni si qendër kulturore gjatë periudhës turke,Hikmet nr.10, Instituti për shkencat humane ”Ibni Sina”, Prishtinë, 2015, fq.10.

9 Po aty, fq.22

10 Petar Kostić, Crkveni život pravoslavnih Srba u Prizrenu i njegovoj oklimi u XIX veku, Grafički institut ”Narodna misao”, Beograd, 1928, fq.94

11 Raif Vırmiça, Kosovada Osmanlı Mimari eserleri I, T.C. Kültür bakanlığı yayınlari, Ankara,1999, fq.58

12 Po aty, fq.58-59.

OPINIONE