Vallë me të vërtetë “në fillim të shekullit të 20-të, shqiptarët në Maqedoni ishin popullsi dominuese apo e konsiderueshme në Ohër, Manastir, Prilep, Resnjë, Veles…”?

 

Nga: Salim Kadri Kerimi, Shkup

Para ca ditëve kisha rastin ta lexoj artikullin e z.Patriot Lumani, me titull: “20 vjet Marrëveshja e Ohrit, po tani…“, i publikuarë në Portalin e gazetës KOHA, të datës 10 Gusht 2021. Pa dashur të hy në hollësirat e përmbajtjes të artikullit në fjalë, me këtë rast përmbledhtas dua të them se me shumicën e vlerësimeve të z.Lumani pajtohem plotësisht. Unë personalisht, Marëveshjen e Ohrit (2001), e konsideroj si fillim të një proçesi afatgjat për korigjimin e gabimeve dhe padrejtsive të bëra ndaj komuniteteve jo maqedonase dhe posaçërisht ndaj shqiptarëve, turqve, romëve, boshnjakëve, e tj.

Shkaku i këtij reagimi nuk është Marëveshja historike e Ohrit, por mospajtimi i im rreth dy – tre vlerësimeve të z.Lumani, të bëra në të njëjtin artikull, në lidhje me zgjerimin dhe numrin e shqiptarëve në Maqedoni. Dhe konkretisht, vlerësimet e tij:

– “Teza politike se shqiptarët në Maqedoni po zgjerohen, është një lajthitje!“;

Në fillim të shekullit 20, shqiptarët në Maqedoni ishin popullsi dominuese apo e konsiderueshme në Ohër, Manastir, Prilep, Resnjë, Veles…“, dhe,

– “… në këtë drejtim janë statistikat osmane që dokumentojnë këtë prezencë, janë jo të vërteta/ jo të drejta, mendoj unë. Kjo, mes tjerash, për vet faktin se:

– Në lidhje me tezën e parë, nëse gjykojmë sipas të dhënave statistikore, duke filluarë nga Regjistrimi i parë zyrtar i vitit 1921, dhe gjer në Regjistrimin e vitit 2002, do të vimë në përfundim të kundërt. Me fjalë të tjera, në se sipas të dhënave statistikore të regjistrimit në fjalë (1921), numri i qytetarëve të “Banovinës të Vardarit“ (teritori i Republikës të Maqedonisë Veriotre të sotme), të cilët si gjuhë amtare e kanë patur gjuhën shqipe, paska qenë 110.674 frymë, në Regjistrimin e vitit 2002 numri i tyre (pra i shqiptarëve), në të njëjtin teritor, ishte ritur në rreth 500.000 frymë. Gjithmonë duke gjykuarë sipas të dhënave statistikore, në regjistrimet vijuese rritja/ shtimi i numrit të shqiptarëve ka qenë si vijon: në Regjistrimin e vitit 1931 – 129.640 frymë, në Regjistrimin e vitit 1948 – 197.389, në Regjistrimin e vitit 1953 – 162.524, në Regjistrimin e vitit 1961 – 183.108, në Registrimin e vitit 1971 – 279.871, në Regjistrimin e vitit 1981 – 377.208, në Regjistrimin e vitit 1991 – 441.987, në Regjistrimin e vitit 1994 – 478.967, kurse në Regjistrimin e vitit 2002 – 509.083 frymë. Pra, pamvarsisht se në periudhën mes viteve 1921 dhe 1966/67, si rezulltat i politikave të gabuara dhe diskriminuese të pushtetarëve të atëhershëm jugosllav, kur një numër i madh edhe i shqiptarëve u shpërngulën në Turqi, kurse një numër i vogël edhe në Shqipri dhe Kosovë, numri i tyre në Maqedoni, nga regjistrimi në regjistrim, ka shënuarë rritje të vazhdueshme. Pra, në se gjykojmë në bazë të të dhënave dhe fakteve të sipërpërmendura na del se, teza politike se “shqiptarët në Maqedoni po zgjerohen“ nuk na qenka një lajthitje, por ajo është më se e vërtetë. Sa për kujtesë, në 100 vitet e fundit, tkurje/ zvogëlim të përmasave enorme ka ndodhur, por jo i popullatës shqiptare, por i popullatës turke të Maqedonisë, numri i të cilëve në vitin 1921 ka qenë 118.758, kurse në Regjistimin e viti 2002 – 77.959 frymë.

Sa i takon vlerësimit tjetër të z.Lumani se, „Në fillim të shekullit 20, shqiptarët në Maqedoni ishin popullsi dominuese apo e konsiderueshme në Ohër, Manastir, Prilep, Resnjë, Veles…“, dhe se, „… në këtë drejtim janë statistikat osmane që dokumentojnë këtë prezencë, me këtë rast, më lejoni ti transmetoj këto disa fakte dhe të dhëna:

– Prezenca e popullatës shqiptare në Ohër, Resnjë, Manastir, Prilep, Veles dhe në vendbanimet e tjera të Maqedonisë, në të kaluarën dhe sot, kanë qenë/ janë evidente dhe të pakontestueshme. Mirpo, as në të kaluarën e as sot, në qytetet në fjalë, popullata shqiptare asnjëhere nuk ka qenë dominante ose e konsiderueshme. Poashtu, për ndonjëfarë prezence dominuese apo të konsiderueshme të shqiptarëve në qytetet në fjalë, me sa e di unë, nuk bëhet fjalë në asnjë dokument statistikor të administratës osmane. Kjo, mes tjerash, për vet faktin se, autoritetet osmane regjistrimet e tyre i kanë bërë sipas përkatsisë fetare dhe jo asaj etnike/ nacionale, të popullatës të regjistruarë. Do ti jem mirënjohës të nderuarit P.Lumani në se na ofron ndonjë dokument konkret të administratës osmane, me të cilin është vërtetuarë se, “në fillim të shekullit 20, shqiptarët në Maqedoni ishin popullsi dominuese apo e konsiderueshme në Ohër, Manastir, Prilep, Resnjë, Veles, e gjetkë, siç pretendon ai;

– Egzistojnë të dhëna konkrete nga periudha e Perandorisë osmane, me të cilat në mënyrë të tërthortë, por të pa kontestueshme, vërtetohet pranija dominante e popullatës turke, p.sh. në Manastir dhe Shkup. Kështu p.sh., sipas të dhënave statistikore të publikuara në tezën e doktoraturës (“Manastiri në periudhën Osmane – nga pushtimi e deri në vitin 1873“, Shkup 2016), të d-r Jenuz Ibrahimit, gjykuarë sipas dokumenteve osmane – gjashtë Defterë të regjistrimit, nga shek i XV dhe XVI (Tapu Tahrir Defterleri), që ruahen në Arkivin Osman në Stanboll, të evidentuara me numrat: 993, 16, 73, 149, 370 dhe 232), në Regjistrimin e vitit 1460 në Manastir, nga gjithsej 2.350 banorë, 1.475  kanë qenë muslimanë, kurse 875 të krishterë. Gjithmonë sipas burimit të njëjtë, sipas të dhënave nga Regjistrimi i vitit 1481, nga gjithsej 3.100  banorë, 1.990 kanë qenë muslimanë, kurse 1.110 të krishterë. Sipas të dhënave të Regjistrimit të vitit 1519, nga gjithsej 4.663 banorë, 3.224 kanë qenë muslimanë, kurse 1.439  të krishtere. Në vitin 1528/29, nga gjithsej 4.682 banorë, 3.300 kanë qenë muslimanë, kurse 981 të krishterë, 241 hebrej dhe 100 romë. Në vitin 1544, nga gjithsej 3.349 banorë, 1.982 kanë qenë muslimanë, 950 të krishterë, 327 hebrejë dhe 90 romë. Dhe në vitin 1566/68, nga gjithsej 5.506 banorë, 3.105 kanë qenë muslimanë, 706 të krishterë, 1.425 hebrejë dhe 270 frymë romë.

Sa i takon qytetit të Shkupit, sipas të dhënave që janë të publikuara në punimin kërkimor – shkencor (“Üsküp Şehri’nin İdari Yağısı, Mahalleleri ve Nüfusu, XVII Yüzyıl, Yeni Türkiye, Yıl 21, Sayı 67, Mart – Haziran 2015, Ankara, s.1507-1509“) të historijanit nga Republika e Turqisë, d-r Ejyp Kull (d-r Eyüp Kul), qyteti i Shkupit, bazuarë sipas të dhënve nga regjistrimet e administratës osmane (ne shekujt XV dhe XVI), në vitin 1455, nga gjithsej 4.091 banorë, 2.584 (63%) kanë qenë muslimanë, kurse 1.507 (37%) të krishterë, në vitin 1468, nga gjitsej 4.901 banorë, 3.362 (69%) paskan qenë muslimanë, kurse 1.539 (31%) të krishterë; në vitin 1529, nga gjithsej 4.045 banorë, 2.947 (73%) kanë qenë muslimanë, kurse 1.098 (27%) të krishterë; në vitin 1544, nga gjithsej 6.061 banorë, 4.810 (80%) muslimanë, kurse 1.251 (20%) të krishterë; dhe në vitin 1569, nga gjithsej 10.525 banorë, 8.080 (77%) paskan qenë muslimanë, kurse 2.445 (23%) të krishterë. Të dhëna të njëjta për banorët e Shkupit të asaj periudhe janë të publikuara edhe në punimet kërkimor – shkemcor të disa autorëve të tjerë nga Republika e Turqisë, përfshirë edhe në punimin, në anglisht, të d-r Mehmet Inbashë (d-r Mehmet İnbaşı), me titull: “The City of Skopje and i’ts Demographic Structure in 19th Century.

Pra, duke u nisur nga fakti se kalimin në fenë islame, në mënyrë më masovike, shqiptarët kanë filluarë ta bëjnë duke filluarë nga fundi i shekulli të XVI, dhe më vonë (në shekujt XVII, XVIII dhe XIX), dhe duke i patur parasysh të dhënat e lartpërmendura, vihet në përfundim të pakontestueshëm se pjesa dominante e banorëve të Manastirit dhe Shkupit, në shekullin e XV dhe XVI, kanë qenë turq dhe jo shqiptarë. Me fjalë të tjera, të gjithë ata banorë të Manastirit dhe Shkupit, të përkatsisë fetare islame duhet të kenë qenë turq. Kjo, njëkohësisht na jep të drejtë të konkludojmë se numri i shqiptarëve gjer në vitin 1912, dhe më vonë, në Manastir dhe Shkup, si dhe në Ohër, Resnjë, Prilep, Veles, e gjetkë, nuk ka qenë as i konsiderueshëm dhe as sesi dominant.

Për ta ilustruarë këtë konstatim, në vijim po i jap të dhënat statistikore, për 100 vitet e fundit, edhe për qytezën e Resnjës. Sipas të dhënave statistikore nga viti 1921, nga numri i përgjithshëm i kësaj qyteze (3.731 frymë), numri i banorëve të cilët si gjuhë amtare e kanë patur shqipen, ka qenë vetëm 159  frymë; në vitin 1948, nga gjithsej 4.737 banorë, numri i të deklaruarë si shqiptarë ka qenë 338 frymë; në vitin 1953, nga gjithsej  5.204, si shqiptarë janë deklaruarë 157 frymë; në vitin 1961, nga gjithsej 5.824, si shqiptarë janë deklaruarë 293 frymë; në vitin 1971, nga gjithsej 7.142, numri i të deklaruarve si shqiptarë kanë qenë 523; në vitin 1981, nga gjithsej 8.263, si shqiptarë janë deklaruarë 495 frymë; në vitin 1991, nga gjithsej 9469, numri i shqiptarëve nuk dihet meqense shqiptarët nuk morën pjesë në këtë regjistrim; në vitin 1994, nga gjithsej 8.684, si shqiptarë janë deklaruarë 328 frymë; dhe në 2002, nga gjithsej 8.748, si shqiptarë janë deklaruarë 325 frymë. Pra, numri i shqiptarëve në këtë qytezë të Maqedonisë Veriore asnjëherë nuk ka qenë dominues ose i konsiderueshëm. Sipas mendimit tim, edhe të dhënat e lartpërmendura, në lidhje me numrin e shqiptarëve të Resnjës janë jo të vërteta, meqenëse numri dërmues i të deklaruarve si shqiptarë të kësaj qyteze janë qytetarë të përkatsisë egjiptase, gjuha e të cilëve është shqipja.

Për momentin nuk disponoj me të dhënat statistikore edhe për numrin e shqiptarëve të Ohrit, Prilepit dhe Velesit, por jam më se i bindur se edhe në këto qytete numri i shqiptarëve, jo në 100 vitet e fundit, por në mijvjeçerin e fundit, nuk ka qenë dominant ose i konsiderueshëm.

*     *     *

Siç e kam theksuarë edhe në disa raste të tjera, në një periudhë të gjatë kohore, në disa qarqe/ qendra shqiptare bie në sy prania e tendencës për shtrembërimin e fakteve në lidhje me numrin e popullatës shqiptare në disa qytete të Maqedonisë, duke lansuarë teza të pavërteta/ të pa mbështetura me të dhëna konkrete dhe duke e prezantuarë të gjithë popullatën muslimane vetëm si shqiptare. Për ta vërtetuarë një gjë të këtillë, në disa raste, qarqe ose persona të ndryshëm, kohë pas kohe, kanë lansuarë/ lansojnë të dhëna të rejshme, gjoja të administratës osmane. Kështu, p.sh., para ca viteve, në disa mediume shqiptare (të Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë), u publikua një “dokument“ (tabelë), gjoja i administratës osmane, sipas të cilit, “në Shkup para një shekulli kanë jetuar 50.258 shqiptarë, 9.264 serb dhe 29.080 bullgarë (asnjë maqedonas, siç quhen sot). Sipas të njëjtit burim, Tetova ka patur 52.076 banorë shqiptarë, ndërsa Gostivari 23.197 shqiptarë, …. Prizreni kishte 64.569 shqiptarë, 17.219 serbë e asnjë turk“. Sipas të dhënave në të njëjtin “dokument”, “në të gjitha qytetet shqiptarët  e paskan përbërë shumicën”.

Konkludimi i autorëve anonim se, në vitin 1908 numri i shqiptarëve në Shkup qënka 50.258 frymë, në Tetovë 52.076 frymë, në Gostivar 23.197 frymë, në Prizren 64.569 dhe asnjë turk, dhe se asokohe në të gjitha qytetet e Vilajetit të Kosovës shqiptarët e paskan përbërë shumicën e banorëve në ato qytete, janë tërësisht të pavërteta dhe të sajuara. Kjo, mes tjerash, për vet faktin se:

E para, siç e theksova edhe mësipër, në periudhën e Perandorisë osmane regjistrimet dhe evidentimet e tjera bëheshin në bazë fetare e jo atë etnike/ nacionale, që do të thotë se nuk është i saktë pohimi se të dhënat e lartpërmendura na qënkan të bazuara nga një dokument i Perandorisë osmane. (Çdo autor serioz kur i referohet ndonjë dokumenti e ka për obligim të informojë për cilin dokument bëhet fjalë dhe ku ruahet ai, që shumica e autorëve shqiptar nuk e bëjnë një gjë të këtillë);

E dyta, të dhënat për numrin e shqiptarëve në qytetet e lart përmendura dhe të tjera, janë të dhëna për popullsinë e tërësishme myslimane (turqit, shqiptarët, torbeshët/ pomakët/ goranët, boshnjakët, romët dhe një numër i vogël i çerkezëve), e jo vetëm e shqiptarëve, siç pretendojnë artikullshkruesit anonim;

E treta, gjatë gjith periudhës Osmane dhe deri në Regjistrimin e popullsisë të RS të Maqedonisë, të vitit 1971, numri i shqiptarëve, p.sh., në qytetin e Shkupit çdo herë ka qenë më i vogël se ai i popullsisë turke. Këtë fakt, mes tjerash, e vërtetojnë edhe të dhënat statistikore, në periudhën nga viti 1921 e deri në 1971. Duke filluarë nga viti 1971, elementi shqiptar shëndrohet në element të dytë, pas atij maqedonas, si rezultat i shpërnguljes masovike para së gjithash i popullatës turke të Shkupit dhe gjithë Maqedonisë, në Turqi, në vitet e 50 dhe 60 të shekullit të kaluarë; dhe,

E katërta, është tërësisht i papërgjegjshëm dhe i gabuarë konkludimi se në vitin 1908, në të gjitha qytetet e Vilajetit të Kosovës, përfshirë edhe në Shkup, Tetovë, Gostivar, Prizren, Gjakovë, Pejë e tj., se gjoja nuk paska asnjë turk dhe e gjithë popullata muslimane na qënka vetëm shqiptare.

Për ta konfirmuarë edhe një herë pavërtetsinë e pohimeve dhe të dhënave të gazetarëve anonim shqiptarë, në vazhdim po i jap edhe të dhënat për përbërjen nacionale të banorëve të Shkupit, që në punimin kërkimor – shkencor (në disertacionin e doktoraturës) i ka dhënë historijani maqedonas d-r Petar Todorov (д-р Петар Тодоров). Kështu p.sh., sipas Regjistrimit të vitit 1902/1903 në Shkup kanë banuarë gjithsej 33.696 banorë, prej të cilëve 23.906 frymë myslimanë (turq, shqiptarë, torbeshë, boshnjakë, romë dhe çerkezë), kurse 8.456 të krishterë (ortodoks), 1.198 hebrenjë dhe 136 frymë katolikë. Gjithmonë sipas këtij historijani, në Regjisztrimin e vitit 1913, nga gjithsej 43.847 frymë, 28.600 qenkan myslimanë, 13.331 të krishterë (ortodoks), 1.500 hebrenjë dhe 401 frymë katolikë. Sipas tij, në Regjistrimin e vitit 1902, jo vetëm qyteti, por e gjithë Kazaja e Shkupit, ka patur 52.223 frymë myslimanë (jo vetëm shqiptarë) dhe 36.514 të krishterë (ortodoks), 1.198 hebrenjë dhe 136 katolikë, ose gjithsej 90.071 frymë.

Në një rast tjetër, në informacionin që Portali  “lajmpress.com” e publikoj më 29 korik të vitit 2015, duke e komentuar një fotografi nga qyteti i Manastirit, të autorit austro-hungarez Jozef Sekeli (Josef Székely), të vitit 1863, autori anonim ka ardhur në këtë përfundim: “Bie në sy fotografia e Manastirit bërë nga pjesa jugore e këtij qyteti, ku vërehen shumë xhami që ka pasur ky qytet. Duke pasë parasysh se shumë shqiptarë në vitin 1863 i kanë takuar konfesionit islam, fotografia shërben edhe si dëshmi për atë se shqiptarët kanë qenë shumicë, që tregojnë edhe shumë të dhëna statistikore nga ajo kohë”. Se sa i pavertetë është konkludimi i lart përmendur, përveç të dhënave statistikore, së paku nga periudha e Perandorisë osmane e gjer në vitet e 90-ta të shekullit të 20-të, flet edhe vet fakti se xhamite në Manastir dhe ku do tjetër në botë, atëherë dhe sot, nuk ndërtoheshin/ nuk ndërtohen vetem për besimtarët mysliman shqiptarë, por për të gjithë besimtarët mysliman. Prandaj është apsurde/ e pallogjikshme, numri i xhamive kudo qoftë, dhe në rastin konkret në  Manastir, të përdoret si “dëshmi” e vetme për numrin e shqiptarëve të asaj kohe të Manastirit.

Trillimet rreth numrit të popullatës shqiptare të qytetit të Shkupit, Manastirit, dhe vendbanime të tjera të Maqedonisë, në periudhën e Perandorisë osmane nuk mundohen ti bëjnë vetëm persona jo mirë të informuara, por edhe disa historijanë dhe autorë të tjerë “seriozë”. Kështu, p.sh.:

– Sipas d-r Skender Asanit, “… edhe pse historianët shqiptarë i kanë trajtuar shumë pak shqiptarët e Shkupit, ka fakte të shumta të historianëve të huaj që dëshmojnë se Shkupi, prej shekujsh me radhë ka qenë dominuar nga shqiptarët”. “Unë desha vetëm të nxjerr një fakt i cili ka të bëjë me udhëpërshkruesin Evlia Çelebia, i cili kur vjen në Shkup, jep nјë të dhënë se shumica e popullatës është shqiptare dhe në Shkup flitet vetëm gjuha shqipe dhe rumishte” (d.d/BalkanWeb, Dhjetor 2014);

– Sipas vlerësimeve në një shkrim të z.Behxhet Jasharit, i publikuarë në Portalin e Revistës “Shenja”, e transmetuarë në Portalin e kësaj gazete (Gazeta Impakt), të datës 16 korik 2018, “… sipas regjistrimeve osmane të vitit 1900, vetëm kryeqendra e Vilajetit të Kosovës – Shkupi i kishte 4.682 shtëpi me më shumë se tridhjetë mijë banorë, pjesën më të madhe të të cilëve e përbënin shqiptarët myslimanë”;

– Zotërinjtë Isamedin Azizi dhe Agron Salihi, në ligjëratën e tyre të përbashkët me titull: Lëvizjet demografike të shqiptarëve në Shkup me rethinë midis dy luftrave”, e prezantuar në Konferencën shkencore, të mbajtur më 14-15 tetor 2015, në Shkup, e organizuar nga Instituti i trashigimisë shpirtrore e kulturore të shqiptarëve, me seli në Shkup, dyke dashur ta vërtetojnë tezën për praninë dominate“ të shqiptarëve në qytetin e Shkupit, në periudha të caktuara, kanë bërë manipulime dhe keqinterpretime të disa të dhënave statistikore dhe fakteve relevante. Duke i përdorur të dhënat “të favorshme“ për numrin e shqiptarëve në nivel të Rethit të Shkupit, kanë sygjeruar konkludim të rejshëm në lidhje me numrin e popullatës shqiptare në qytetin e Shkupit;

– Manipulime të ngjajshme me numrin e shqiptarëve, duke e minimizuar ose mohuar tërësisht praninë e popullatës turke në disa pjesë të Maqedonisë, e posaçërisht në Shkup, kanë bërë edhe zotërinjtë Qerim Lita dhe Skender Asani, mes tjerash, edhe në librin e tyre të përbashkët me titull: “50 vjet nga tërmeti të Shkupit – Dokumente“, Libraria e çarshisë, Shkup 2013. Sipas këtyre dy autorëve, përkundër faktit se mungojnë të dhënat reth përbërjes nacionale për këtë periudhë, lirisht mund të thuhet se shqiptarët për dallim nga kombësitë  tjera përbënin elementin më dominues…. Z.Q.Lita në ligjëratën e tij të mbajtur në Konferencën e lartpërmendur të ITSHKSH-së, edhe një herë turqit i ka fshirë tërësisht nga harta e qytetit të Shkupit dhe rethinës;

– Ose, zotërinjtë Skender Asani dhe Ardian Limani, në studimin e tyre mbi “Lëvizjen kombëtare shqiptare në Shkup 1908-1912“, dyke u thirur në të dhëna gjoja turke dhe gjermane, gjith popullatën myslimane të Shkupit me rethinë e kanë prezantuar vetëm si shqiptarë. Me fjalë të tjera, gjoja sipas të dhënave statistikore turke, në Shkup e rethinë, në periudhën osmane, elementi turk nuk egzistuaka fare!?.

Shtrembërime edhe më flagrante, mes tjerash, edhe në lidhje me përbërjen nacionale të banorëve të Shkupit ka bërë edhe, tashti më i ndjeri, Hamit Kokalari, konsull në Konsulatën e Shqipërisë në Shkup, i cili në dorëshkrimin e tij me titull “Shkupi Üsküb Konsiderata etnografike, historike e ekonomike“, të pregaditur në vitin 1942, mes tjerash, ka “zbuluarë“ se, “elementi turk pothuajse nuk egziston fare në Shkup, me përjashtim të dy a tre familjevet“.

Për fat të keq, manipulimet me të dhënat statistikore të kësaj natyre nuk kanë fund – këto në të kaluarën, mes tjerash, i kanë bërë edhe akademikët: Marenglen Verli, Kristaq Priftisipas, Mark Tirta, e tj., e tj.

Dhe fare në fund të këtj reagimi dua ta ritheksoj faktin se, trillimi i vetëdijshëm i të dhënave statistikore për të zmadhuar numrin e shqiptarëve në disa qytete të Vilajetit të Kosovës, përfshirë edhe në qytetin e Shkupit, Manastirit, dhe qyteteve të tjera të Maqedonisë, për mohimin e pranisë posaçërisht të popullatës turke, në periudha të caktuara, paraqet akt i shëmtuar dhe i pa lejueshëm. Një veprim i këtillë njëkohësisht e devalvon edhe vlerën dhe besueshmërinë e punimeve të kësaj natyre të historijanëve/ hulumtuesve shqiptar, mendoj unë. Pasojat që dalin si rjedhojë posaçërisht e manipulimeve të vetëdijshme, nga ana e “shkencëtarëve“ të ndryshëm, bile në zë, meqënëse “zbulimet“, ose më mirë thënë trillimet e tyre, me kohë bëhen burim “atraktiv“ për “analistë“ të ndryshëm, të cilët duke u mbështetur në fakte të shtrembëruara lansojnë gënjeshtra edhe më fantastike. Një gjë e këtillë sa është e dëmshmë, po aq është edhe e palejueshme.

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne